Numri i Parë – 11 Maj 1991
FALAS
Publikimin mund ta merrni duke klikuar mbi “MERRE PUBLIKIMIN” dhe ndiqni hapat.
Rikthehet gazeta “Koha Jonë” online, si dikur kur bëri HISTORI! Mund ta lexoni online.
Gazeta “Koha Jonë” më 11 maj 1991 filloi në Lezhë. Nga ky qytet i vogël, i lashtë dhe truall poetësh të njohur kombëtar, i ëndërrtarëve të mëdhenj, shkoi drejt Tiranës së madhe për të shkruar një prej faqeve më brilante të shtypit të shkruar shqiptar, në një Shqipëri të sapodalë nga diktatura, në atëkohen e shpresave të mëdha dhe pamundësive ekstreme.
Ajo ishte e para gazetë e pavarur, paraprijësja e sfidave sublime në shtypin shqiptar, e para mundësi që kishin të gjithë, të ishin pjesë e saj, e para që trokiti në çdo derë dhe çeli çdo zemër, zëri që i foli çdo heshtjeje dhe kurajoja që zgjoi nga letargjia shoqërinë shqiptare, për ta bërë zot të fateve të veta.
Edhe sot ajo është e para dhe e vetmja gazetë e shtypit shqiptar, e cila do t’i ofrohet lexuesit, admiruesit të shtypit të shkruar, studiuesve dhe hulumtuesve, në formatin PDF, një histori mbi 30 vjeçare të shtypit të lirë. Përmes kësaj sipërmarrjeje sfiduese do t’i tregojë të sotmes, se si ishte e djeshmja, se cilat ishin hallet dhe dertet e atyre viteve, dhe me sa vendosmëri dhe vetëbesim shkruhej dhe kushtrohej nga ata që ishin pjesë e kësaj vuajtje dhe atij mjerimi.
“Koha Jonë”… vjen përmes atyre faqeve të grisura e shkronjave të ngrëna, t’u tregojë kolegëve të sotëm se si bëhej asokohe gazetari, se si shkruhej me zemër dhe me shpirt, se cili ishte çmimi i guximit për të thënë të vërtetën, se cilët ishin ata që patën fjalën penë dhe parmendë, ata që patën ideale dhe luftuan për të përhapur “fenë” e tyre gjithkund kishte nevojë për besim.
“Koha Jonë” në PDF nuk rivjen për të rishkruar historinë, por për ta treguar atë, për ta rrëfyer ashtu siç ajo ishte, siç e skalitën ato forca pasioni dhe përkushtimi, që nuk i nënshtroi asnjë ndalesë dhe s’ia arriti t’i mundte asnjë despot e diktat, as pamundësitë dhe vështirësitë, siç nuk i’a doli as junta policore dhe shteti i burgjeve dhe barbarive të inkuizicionit.
Sot “Koha Jonë” rikthehet në formatin PDF, si një mundësi për të rrëfyer udhën që ajo bëri, rrugën që ajo përshkoi, vështirësitë që asaj ju desh të kapërcente për të ardhur deri këtu.
Koha ka kaluar dhe sot ajo nuk është më në print, siç shumë simotra, që ju dorëzuan kësaj pamundësie për të vazhduar më tej. Por ajo guxoi të qëndronte, duke ju përgjigjur kërkesave në rritje të progresit, për të vijuar të jetë ajo, “Koha Jonë” e epokës teknologjike, atij ngulmi që mundëson shpejtësi komunikimi dhe mbulim të paimagjinueshëm, me prani dhe informim, komunikim dhe përfshirje, vullnet dhe zëshmëri.
Duke ardhur në formatin PDF, sjell faqe për faqe, germë për germë, jetën e asaj që nuk ishte vetëm rrugëtimi e gazetës “Koha Jonë”, por historia 30-vjeçare e popullit shqiptar.
Janë 34 vite por për të qenë korrekt me të vertetën dhe modestinë e pranueshme se pjesa më e papame, ku historia e Shqipërisë nuk është e plotë nëse nuk lexon gazetën KOHA JONE, sidomos ndër vitet 1992-2002.
Ndaj nga sot po hedhim nga pak e përditë në PDF gazetën që nga viti 1991.
Redaksia e KOHA JONË
(Gusht 2024)