Home Forum Xhelali, më s...

Xhelali, më shumë portrete se tre projekt kryeministra

6
0

Politika në Shqipëri, fatkeqësisht, me shumë gjasa është një zeje atipike. Për të kuptuar atë që po ndodh sot në këtë fushatë, nuk shërben as logjika dhe as politika. Sot dhe nesër vendos aritmetika. Si kurrë ndonjëherë me parë, kombinimet e numrave, shuma e të cilëve në total shkon në 140 dhe minimumi i nevojshëm është 71…

Nga Lorenc Vangjeli

Në gjashtë muajt e fundit të një mandati qeverisës, Tirana dhe gjithë Shqipëria mbulohej nga simbolet partiake. Zyra elektorale në çdo cep, postera gjigantë, flamuj ngjyra-ngjyra dhe histeria e historisë vazhdonte me bluza, kapele, çakmakë për qytetarët. Rrugët nacionale dhe ato rurale, ndërtimet e reja apo ekzistuesë, brenda në fshatra e deri në periferi qytetesh, gjithë vendi shndërrohej në një vitrinë gjigante ku shitej politikë dhe politika afrohej si ofertë e vetme vizive, e ndarë në sigla të ndryshme partiake. Madje edhe në ato raste kur kishte sigël, por nuk kishte parti apo kishte ftesë për besim në një parti dhe vetë partia nuk ekzistonte.

Në këtë fushatë është ndryshe. E gjithë Shqipëria ka më pak postera dhe flamuj sesa kishte vetëm Bulevardi Blu i Kamzës në zgjedhjet paraardhëse. Rama, Vasili, Basha, Idrizi apo dhe Blushi, Duka, Bojaxhiu a Kola, të gjithë së bashku, kanë më pak portrete të tyre nëpër rrugë sesa ato që kishte vizatuar Xhelali me bojëra lloj-lloj dhe i kishte shtypur në letër me lustër Mziu nëpër muret e Kamzës dy vjet më parë.

Mungesa e fushatës vizive – edhe mungesa e mitingjeve masive – nuk do të thotë se partitë janë më pak të pasura se dje. Kjo nuk do të thotë se ato tremben nga ndonjë tip “auditi” që do t’u kontrollonte shpenzimet pas fushatës. Kjo nuk do të thotë se është rritur ndjeshmëria mbi mjedisin dhe kanë refuzuar ta bombardojnë qytetarin me një ndotje vizive që rrallë e kund mund të shihej gjetkë. Secila nga këto arsye mund të jetë nga pak, por asnjëra prej tyre e vetme nuk e shpjegon dot këtë fenomen të ri për Shqipërinë.

Politika në Shqipëri, fatkeqësisht, me shumë gjasa është një zeje atipike. Për të kuptuar atë që po ndodh sot në këtë fushatë, nuk shërben as logjika dhe as politika. Sot dhe nesër vendos aritmetika. Si kurrë ndonjëherë me parë, kombinimet e numrave, shuma e të cilëve në total shkon në 140 dhe minimumi i nevojshëm është 71, do të vendosin shumëçka. Duke nisur me emrin e kryeministrit dhe duke vazhduar dhe me emrat dhe ngjyrat në fanelë të njerëzve që do të qeverisin. Tre ofertat kryesore që janë në tregun politik, edhe Rama, edhe Vasili, edhe Basha, kanë përpara vetës mundësitë jo vetëm aritmetike që ta shohin veten në skajet e një segmenti: ose kryeministër, ose i “papunë”. Domethënë, ose njeriu më i fuqishëm në vend, ose një numër në rradhë.

Shqipëria politike mund të jetë gjithçka, por nuk është kurrsesi e mërzitshme. Ajo është e paparashikueshme si humor grash. Në janar të këtij viti, zgjedhjet e qershorit ngjanin si një shëtitje elektorale për të majtën. E vetmja dilemë ishte nëse Rama e Meta do të hynin bashkë apo veç e veç në zgjedhje. Tre muaj më pas, në prill ishte vënë në dilemë vetë institucioni i zgjedhjeve; opozita që refuzonte të hynte në zgjedhje, diktonte zgjedhje, por jo zgjidhje në qershor. Në maj u dëshmua se asnjë ylber moral e politik nuk është i pakapërcyeshëm. Rama bëri realitet në mënyrën më të paimagjinueshme koalicionin me tre bashkëkryetarë, por në vend të Idrizit, siç premtonte në vjeshtën dhe dimrin e vitit të kaluar, ai afroi Bashën. Si në një dashuri të bëftë me shikim të dytë që përfundoi në fejesë me bashkëjetesë. Kjo bashkëjetesë mund të jetë një nga shpjegimet se pse, Mziu i djeshëm, ka më shumë portrete elektorale se të gjithë të tjerët së bashku. Xhelali nuk ka për të lëvizur nga Bulevardi Blu i Kamzës, pavarësisht emrit të kryeministrit të nesërm. Dhe jo për shkak të ndarjes dhe autonomisë së pushtetit lokal, por sepse pushteti qëndror, ndryshe nga janari, në këtë qershor është më i paqartë se kurrë në ngjyra. Sepse në Tiranën politike, asnjëherë nuk është ashtu siç duket.

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit