Home Intervista Vlahutin: E v...

Vlahutin: E vërteta e kërcënimit, email-et e politikanëve shqiptarë dhe ç’mendoj për Ramën, Bashën e Berishën

35
0

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, ka qenë e ftuara e radhës në emisionin “E Diell” nga Adi Krasta në Top Channel dy ditë pas vizitës së përfaqësueses së lartë të BE-së, Frederica Mogherinit në Tiranë, ku bëri thirrje për të vijuar me reformat për të hapur negociatat për anëtarësim. Gjatë intervistës Vlahutin u ndal edhe te qëndrimi dhe kërkesat e opozitës në protestën që po zhvillojnë prej më tepër se 2 javësh.

Dua ta filloj intervistën me vizitën e Mogherinit. Italiane, e hapur, pa makiazh, e drejtpërdrejtë, vjen në Shqipëri dhe prek disa nga problematikat më të rëndësishme, jep dhe një deklaratë për media. Nuk e di pse pata një ndjesi që e folura e saj ishte e parashikueshme, apo gjuha e Bashkimit Europian nuk mund të jetë filmike ose melodramatike?
Dua të shtoj edhe dy mënyra të tjera për ta shpjeguar Zj.Mogherini, për ta përshkruar atë. Shumë, shumë e sinqertë dhe tejet e përkushtuar. Kjo e shton kënaqësinë për mua që unë të punoj për shërbimin të cilin ajo udhëheq. Ju thatë se a mund të ketë fjalime që mund të jenë më melodramatike! Unë mendoj se ai në universitet ka qenë në fakt një fjalim shumë i sinqertë. Ajo ka këmbëngulur që të takohet me studentët e Erasmus-it dhe në fakt kjo gjithnjë të jep jo vetëm energji, pra takimet me të rinjtë, për punën që bëjmë ne, por janë shumë interesante edhe mendimet e atyre që janë të arsimuar, janë të rinj dhe për të cilët po bën gjithë këtë punë të madhe në fund të fundit sepse ata do të kalojnë shumicën e jetës së tyre si qytetar të BE-së. Nuk është se ka hapësirë për dramë këtu t’iu them të drejtën. Nuk mund të them për shembull që nuk është emocionale. I gjithë procesi i zgjerimit është shumë më shumë se sa thjeshtë rregullat ose rregulloret e brendshme, ligjet etj. Por është një ndryshim i të gjithë shoqërisë dhe si i tillë kërkon edhe shumë gjëra emocionale të cilat duhen arritur. Por mendoj se Zj.Mogherini erdhi me dy mesazhe tejet të rëndësishme. Njëri ishte një mesazh për të gjithë vendet e rajonit, që ju jeni Europa, por tani ne duhet të punojmë akoma dhe më shumë që ju të bëheni shtete anëtare të BE-së, ndërsa mesazhi i dytë që ishte i posaçëm për Shqipërinë është që ka pasur ecuri, progres shumë të mirë deri tani e keni radhën ju dhe duhet të ecim përpara sepse Shqipëria ka bërë në fakt disa reforma shumë të forta, të vështira dhe do të ishte gjynah të themi që mos të kishte atë lloj ritëm zbatimi i cili i nevojitet këtij vendi dhe që meritojnë qytetarët e Shqipërisë.

Duke pasur parasysh se si e pritën zonjën Mogherini në Beograd, mund të konsiderohet që pritja në Shqipëri, në gjithë kompleksitetin e vet, ishte një vizitë e qetë dhe e suksesshme. Pyetja ime për ju është. Në momentin e fundit që ju e takuat atë çfarë ju tha dhe si ju drejtohet ajo juve Zj.Vlahutin apo ju drejtohet Romana? Ishte diçka personale apo tha, në çfarë vendi duhet të operoni e dashur ahh…?
Jo, ajo më thotë Romana, por është mënyra se si ne flasim me njëra-tjetrën në përgjithësi. Unë e quaj Zj.Mogherini, por ajo më ka thënë shumë qartë, më ka lënë disa detyra për të bërë dhe disa prej tyre ne i bëjmë rregullisht do të na duhet të punojmë për disa çështje që kanë të bëjnë me zgjedhjet që ne sigurisht mund të flasim më vonë nëse dëshironi. Unë kam në fakt një sërë instruksionesh se çfarë duhet arritur më pas.
1488729438sas
Zj.Ambasadore, për ju cila është reforma më e rëndësishme në Shqipëri, është reforma për drejtësi apo është reforma elektorale?
Për Bashkimin Europian ne nuk mund të themi se cila është reforma më e rëndësishme. Këto janë dy gjëra të ndryshme, nëse më lejoni të shprehem kështu. Por më lejoni të filloj me reformën zgjedhore dhe me zgjedhjet në përgjithësi. Për ne janë baza, janë pjesë, kritere të Kopenhagen që tregojnë pjekurinë e një vendi dhe në një farë mënyre ne e marrim të mirëqenë që këto do të jenë një nga standardet kyçe të cilat duhet të përmbush një shtet. Ndërsa përsa i përket reformës në drejtësi kjo është një reformë shumë e veçantë dhe e krijuar për nevojat e Shqipërisë. Ju e dini që vendimi Europian që të rekomandonte çeljen e negociatave me kushtin që të fillonte zbatimi i Vettingut dhe të kishte ecuri të vazhdueshme në pesë prioritetet kyçe ishte si rezultat i një suksesi tejet të madh i cili u arrit vjet në verë me miratimin unanim të ndryshimeve kushtetuese.

Dua të qëndroj vetëm shumë pak te reforma zgjedhore. Mua më vjen mirë që e përmendët të parën, çka në një kuptim i tregon edhe publikut që pa këtë nuk mund të kërkohet realizim i reformave të tjera të cilat në një kuptim janë të lidhura me njëra-tjetrën. Por Zj.Ambasador, në raport me kërkesën për reformë zgjedhore, iu janë dukur të drejta shqetesimet tanimë popullore për një tjetërsim të votës, një frikë për blerje të votës, një frikë që edhe sot e kësaj dite do të përdoren para’ të mëdha, të ardhura nga të tjera burime jo domosdoshmërisht të ndershme që të vidhet vota. Pra, ka Bashkimi Europian një shqetësim që shkon paralel me shqetësimin popullor në këtë vend në raport me këtë çështje?
Unë mendoj se jemi gjithnjë të shqetësuar dhe nuk është i një shqetësim vetëm për Shqipërinë ky. Bëhet fjalë pra, do të thosha është një shqetësim edhe më i madh përsa i përket zgjedhjeve. Ky shqetësim është për arsye të ndryshme, por këtu do të thosha se ajo që është e rëndësishme për ne është që, së pari, ODIHR-i dhe OSBE-ja, pra OSBE/ODIHR kanë disa rekomandime shumë të qarta, e zeza mbi të bardhë, kanë vite që kanë vëzhguar zgjedhjet në Shqipëri, e dinë cilat janë mangësitë dhe fatkeqësisht, Shqipëria është vonë përsa i përket miratimit të reformës zgjedhore, një reforme të thellë që do të kishim preferuar ne të shihnim, por gjithsesi këtu jemi.

Ajo që është e rëndësishme që duhet të bëjmë ne tani është që të shikohet se çfarë mund të bëhet në këtë periudhë kaq të shkurtër kohore në mënyrë që ne të sigurohemi që njerëzit të kenë besim, që vota e tyre të numërohet ashtu siç e kanë hedhur në kuti. Në rast se, për shembull nëse i mbani mend zgjedhjet vendore, të cilat për mua kanë qenë të parat, ka pasur probleme. Unë kam folur atëherë për këto gjëra, kam folur madje edhe për persona të cilët kanë një të shkuar penale që ishin në lista dhe thamë që ishte e papranueshme, ju e keni parë që ligji është miratuar dhe disa persona janë larguar nga Kuvendi në sajë të këtij procesi.

Por ende më shumë duhet bërë, natyrisht kjo është e qartë, por më e rëndësishme është që nuk duhet të ketë askënd me këtë të shkuar kriminale në këto zgjedhje. Gjëja tjetër është blerja e votës, votimi familjar, pra lloj-lloj gjërat të cilat janë bërë në një farë mënyre që votat të shkonin në një drejtim të caktuar dhe unë mendoj se ne kemi qenë shumë të qartë atëherë dhe shumë të qartë jemi dhe tani.

Por t’iu them të drejtën do të thoja se vëzhguesit më të mirë të votës në Shqipëri janë vet qytetarët e Shqipërisë dhe kjo është ajo që funksionon më mirë se çdo gjë tjetër. Ajo që po mendojmë ne, e që bën pjesë në detyrat që unë duhet të bëjë, është që si ta bëjmë këtë monitorim në një aspekt më të gjerë, jo vetëm thjesht monitorim nga OSBE/ODIHR që ndodh zakonisht, por a mund të ketë elementë apo instrumente të tjerë shtesë që mund t’i përdorim në mënyrë që këto zgjedhje të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe që kërkohen për një shtet që është vend demokratik, për një shtet anëtar i NATO-s dhe një kandidat për BE-në.

Zonja Mogherini në vizitën e saj në Shqipëri gjithashtu e proklamoi dallueshëm Vettingun si një kusht që nëse realizohet, Shqipëria do të ketë një qasje më të garantuar, më pozitiviste në raport me hyrjen në Bashkimin Europian. Por ju duket në një kuptim një lloj mini-ç’balancimi që Vettingu konsiderohet shumë i rëndësishëm ndoshta duhet të shkonte paralelisht me elemente të reformave ose të reformës dhe duket sikur Vettingut në vetvete i jepet një rëndësi shumë më e madhe pikërisht për të mbuluar inperfeksionin që ai mund të ketë në realizim, në një vend si Shqipëria, i vogël, ku të gjithë e njohin gjithkënd, e ku kemi rekorde të tmerrshme për të vënë në pozicione njerëz të cilëve nuk ju shohim background-in apo të kaluarën?
Vlahutin-Lu
Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme dhe unë do të përpiqem që t’i jap një përgjigje sa më të thjeshtë të mundshme. Që prej fillimit ka qenë e qartë se kjo reformë do të kërkonte ndryshime jo vetëm të kuadrit legjislativ, por edhe një shqyrtim të thellë të sistemit. Pra, edhe për personat që janë në sistem, sepse po të kesh ligje për të njëjtën persona atëherë gjërat nuk ndryshojnë. Në një fare mënyre do të thosha se Vettingu është dhe kulmi i kësaj reforme dhe instrumenti kryesor, sepse pa të ne nuk mund të kemi mundësinë të ecim. Shqipëria nuk do të ketë mundësinë të ecë me krijimin e institucioneve të reja të cilat duhen krijuar sipas kushtetutës duke përfshirë këtu prokurorin e posaçëm për korrupsionin, krimin e organizuar, po ashtu mënyrën e re se si do të emërohen apo zgjidhen gjyqtarët dhe prokurorët. Pra është një element thelbësor i reformës dhe asgjë tjetër nuk mund të bëhet përpara se të fillojë Vettingu dhe prandaj shprehimisht është e përmendur kjo gjë në rekomandimin e Komisionit Europian, pasi ky komision donte ta bënte fare të qartë se ky është një hap i cili duhet ndërmarrë në mënyrë që të ketë besim në zbatimin e mëtejshëm të reformës. Pra duhet filluar nga një fillim i mbarë dhe kjo është edhe gjëja më e rëndësishme, sepse është fillimi më i mbarë i mundshëm.

Unë kam një ndjesi se ju po i thoni shqiptarëve, bëjeni, mos bëni shumë pyetje, vetëm bëjeni, ta kryeni me qëllim që të vazhdoni përpara. Në një mënyrë më vjen pak si mësuesi i klasës së parë që i thotë një nxënëseje bëje kështu si them unë se do të kesh gjëra të mira në të ardhmen. Kjo ndjesi është ndjesi e gabuar?

Ironike kjo…është komplet e gabuar. Më vjen keq dhe duhet t’iu them se nuk kam mbajtur ditar, por kam shumë email-e. Që në fillim fare ju them se të gjithë nga pala shqiptare i ka kërkuar komitetit ndërkombëtar që ta bëjë ai Vettingun, për të gjithë aktorët politikë, dhe qartazi fare ne kemi thënë “Jo”. Unë e mbaj mend qartë një takim me komisionerin Hahn dhe ka qenë në vitin 2015 ku ai u shpreh fare qartë dhe tha “Jo”, ju jeni vet kandidatë për në BE. Vettingun duhet ta bëni vet. Ajo që mund të bëjmë ne për t’iu ndihmuar që të ketë besim në këtë proces është pjesa e monitorimit. Dhe kjo është pikërisht ajo që po bënë ONM-ja apo Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Është në fakt thjesht monitorim, asnjë kurrfarë vendimmarrje, asnjë pushtet apo mandat ekzekutiv. Të gjitha vendimet që prej fillimit deri në fund janë dhe do të vazhdojnë të merren nga institucionet shqiptare. Është një dallim shumë i qartë i roleve dhe ju kam thënë që në fillim. Dua të them gjithashtu se një nga betejat më të forta që kemi bërë ka qenë pikërisht kjo, sepse askush nga komiteti ndërkombëtar nuk do ta kishte bërë Vettingun, sepse përndryshe do të jetë diçka komplet ndryshe , do të jetë si një komision ekzekutiv si EULEX-i dhe kjo nuk ishte gjëja e përshtatshme. Ajo që është gjëja e duhur dhe e përshtatshme është që institucionet shqiptare të bëjnë punën e tyre siç duhet dhe elementi ndërkombëtar është këtu thjesht dhe vetëm për të siguruar rritjen e besimit për atë që po bëhet, kjo është!

Ndërkohë ngjarje ndodhin në Shqipëri: Opozita ka ngritur një çadër në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, përballë Kryeministrisë. Me çfarë këndvështrim e keni parë këtë protestë?

Protestat në demokraci janë jo vetëm legjitime në mënyrë absolute, por edhe një nga instrumentet bazë që tregon se njerëzit janë të pakënaqur nga një gjë e caktuar. Madje unë mund të them se në vendin tim, për shembull më pak se para një viti ka pasur protesta tejet të mëdha. Ndoshta ju nuk mund ta besoni, por kishte të bënte me kurrikulën shkollore! Pra, natyrisht, e drejta e të gjithëve për të protestuar duhet mbrojtur por ajo që nuk mund të promovohet apo nuk lejohet është dhuna, sepse pastaj do të kthehen në një gjë tjetër, por përsa i përket protestave dhe ne kemi qenë gjithnjë shumë të qartë për këtë kemi thënë se kjo është e drejta e të gjithëve.

Cila është marrëdhënia e punës midis jush personalisht dhe shefit të opozitës, Z.Basha. Si mund ta përshkruajmë atë?

Më duhet t’iu them, unë mendoj se kam një marrëdhënie shumë të mirë pune me të gjithë, sepse unë këtu përfaqësoj një institucion i cili është shumë i rëndësishëm për Shqipërisë dhe unë bëj më të mirën e mundshme dhe të gjithë bëjnë më të mirën e mundshme sepse të gjithë po punojmë për një objektiv të përbashkët. Gjatë javëve të fundit unë kam pasur në fakt një takim më të intensifikuar me Z.Basha, sepse kemi pasur dy vizita shumë të rëndësishme atë me Z.Flackenstein dhe natyrisht atë me Zj. Mongherini. Kështu që natyrisht kemi komunikuar pak më shpesh se zakonisht. Por unë mendoj se kam një marrëdhënie të hapur, të sinqertë dhe të mirë me Z.Basha.

Ju natyrisht nuk mund të spekuloni se si do të ishte përgjigja e tij nëse unë do ta pyesja Z.Basha ç’raport pune keni me Zj.Vlahutin! Natyrisht që s’mund të…

Jo nuk mund të spekuloj për asgjë në fakt, as s’mund të lexoj shumë gjëra, më shumë se ç’duhet. Të tjetër spekulojnë, por unë e di se cila është kjo marrëdhënie.

Më bën përshtypje që ju jeni relativisht e mbyllur si person dhe keni një ide të fortë fikse që nuk duhet të flitet në mënyrë private në Shqipëri. Po?

Absolutisht e drejtë. Së pari, unë jam një person i tillë, ashtu siç e shpjeguat ju, unë kështu jam, kjo jam dhe së dyti, unë këtu nuk kam ardhur personalisht. Unë këtu kam ardhur në emër të një institucioni, të një institucioni tejet serioz dhe çdo gjë që them unë e them në emër të atij institucioni që përfaqësoj e për këtë arsye unë mendoj se është shumë e rëndësishme se kjo të bëhet në mënyrën e duhur dhe të përshtatshme dhe prandaj kështu që të kërkoj fort ndjesë se e di që ndoshta ju e menduat se do të ishte një intervistë e mërzitshme kjo e jona, por unë shpresoj të mos jetë e tillë. Unë mendoj se është e rëndësishme që unë të mbroj faktin që përfaqësoj një institucion madhor dhe shumë të rëndësishëm për mua, por edhe për Shqipërinë.

Unë jam i bindur që nuk do të jetë një intervistë e mërzitshme, sepse tani nuk dua të flas për një gjë që ju e konsideroni private. Por në këtë vend për rezidencën e Bashkimit Europian është folur shumë dhe nga të gjithë. Zj.Mogherini ka dhënë disa shpjegime në një letër ose në një dokument prej 13 pikash, unë jam i bindur Zj.Vlahutin se Bashkimi Europian është shumë më i interesuar se sa njerëzit që flasin në këtë vend për të sqaruar sa metra është një shtëpi sa lekë janë paguar për të. Pra unë nuk do t’jua bëj këtë pyetje. Do t’ia lë Zj.Mogherini dhe ajo e ka sqaruar. Por, si gazetar, mua më ka bërë përshtypje që në një nga intervistat e rralla që ju keni dhënë, dhe ju lutem më korrigjoni nëse dhe kjo është një gënjeshtër dhe tipike për fake-news, që sot është bërë një urdhër i ri botëror, ju keni dhënë një intervistë në një institucion mediatik kroat, ku iu është bërë kjo pyetje, një pyetje që në fakt do ta shqetësonte publikun në raport me ambasadoren e BE-së në një vend, ju ju dhatë një shpjegim dhe kishit bërë pastaj aty një përcaktim shumë interesant duke thënë se kjo sjelle në media mund të jetë një lloj sulmi që persona të caktuar mund të kenë programuar me qëllim që ta destabilizojnë, ta kulpabilizojnë ose ta vendosin në një dritë, a pozicion të vështirë ambasadoren, që mos ta lënë të qetë dhe në hallet e veta. Pyetja ime është, ky sqarim fillimisht ka ndodhur ju e keni dhënë këtë intervistë në Kroaci?
Po kam dhënë një intervistë, me një gazetar fantastik që mbulon çështjet e BE-së për publikun kroat, sepse ai iu referua dhe unë thjesht doja t’i thosha miqve, familjes time që jam shumë mirë, jam e sigurt këtu. Kështu që, mendova se duhet ta shpjegoja këtë gjë që nuk është aq e rrezikshme situata siç mund të jetë interpretuar gabimisht dhe ndihem shumë mirë dhe shumë e sigurt në Shqipëri. Por t’iu them të vërtetën në rast se do të kishte pasur heshtje të plotë dhe askush nuk do të shihte se çfarë bënim ne atëherë unë do të isha shqetësuar në këtë moment, por fakti që është bërë atje dhe ka krijuar do të thosha është gjë e mirë, sepse do të thotë zhurmë do të thotë se në po bëjmë diçka të rëndësishme dhe si krijohet ajo zhurmë është një gjë që nuk dëshiroj ta diskutoj, por do ta lëmë për një bisedë tjetër. Por unë mendoj se fakti që ka nevojë për t’i bërë rezistencë kësaj që po ndodh tani, vetëm i jep rëndësi kësaj reforme që po bëhet në Shqipëri. Dhe më duhet t’iu them se nuk jam thjesht gazetare në trajnim dhe arsimim, por jam dhe analiste, analiste poetike. Por unë kam parashikuar këtë lloj zhvillimi para shumë kohe. Unë e dija që në një moment të caktuar, dhe është e logjikshme grupe të caktuara interesi do të kenë probleme me këtë lloj çështje dhe është normalë. Është pjesë e punës sime. Unë paguhem që të jem edhe e ekspozuar. Kështu që pra, është ajo që po të thosha se, ajo që nuk më pëlqen dhe nuk mund ta pranoj kurrë është që ka pasur disa sulme në publik kundër personelit që punon në delegacionin e BE-së dhe ajo nuk duhet të ndodh.

Ndërkohë, Z.Berisha më shumë se një herë, në një program televiziv ka bërë një nga jo vetëm përcaktimet por edhe akuzat më të forta të prezencës ambasadoriale në Shqipëri dhe ju ka “graduar” nëse do mund ta shohim në këtë formë, me një lloj buzëqeshje, bashkë me ambasadorin amerikan për një sjellje guvernatoriale në këtë vend. Tani, ju mund të neglizhoni të gjithë njerëzit e kësaj bote, por kam përshtypjen se një ish-kryeministër dhe një njeri të rëndësishëm të opozitës së momentit keni një përgjigje në raport me këtë përcaktim? Po?
Së pari, unë jam diplomate dhe kurrë asnjëherë nuk kam për të bërë komente për askënd, pra për një person i cili nuk është pjesë e punës sime. Së dyti unë kam respekt për të gjithë në këtë vend dhe veçanërisht për ata njerëz që kanë sjellë ndryshime. Më duhet t’iu them se kurdoherë që takohemi me Z.Berisha, janë takime prej miqsh dhe ndoshta do të çuditeshit që do ta dëgjoni këtë gjë, por është pjesë e politikës shqiptare, që ne nuk kemi pjesë në këtë pjesë të politikës shqiptare. Çështjet e brendshme të Shqipërisë janë çështje të Shqipërisë, ndërsa puna ime është që të bëj atë që është e rëndësishme për Shqipërinë në mënyrë që Shqipëria të përgatitet për t’u bërë shtet anëtar i BE-së. Dhe në këtë aspekt unë do të thosha që jam tmerrësisht e përqendruar, shumë e qetë dhe e di fare mirë se cilën trajektore duhet të ndjekim. E di se cila është kjo trajektore. Kështu që nuk ka se si do të lëvizim nga ajo që delegacioni i Bashkimit Europian dhe BE-ja për Shqipërinë. Rrugëtimi është shumë i qartë. Edhe unë vij nga një vend i cili ka kaluar procesin e zgjerimit siç ju thash edhe prej fillimit. Është edhe një proces emocional sepse ka shumë sfida, nuk është e lehtë. Kjo është tejet e qartë, por ja vlen. Unë e di këtë gjë nga vet jeta ime, që ja vlen çdo lloj përpjekje që mund të bësh në këtë aspekt, sepse këtu nuk po flas për një gjë abstrakte, për një institucion abstrakt etj., por po flas për cilësinë e jetës së qytetarëve dhe Bashkimi Europian sjell diçka që ju bën më të sigurt, përsa i përket ushqimit që konsumohet, ujit që pini, shërbimit mjekësor që ofrohet, drejtësisë apo mundësive të barabarta për punë; sigurisë së punës në rast se ju jeni pjesë e administratës publike. Që ju si qytetar që paguani taksa të dini se ku shkojnë paratë e tua dhe ku fëmijët e tu shkojnë në shkolla të afta për fëmijët dhe ky është Bashkimi Europian dhe unë përpiqem sa herë që të kemi takime të mëdha, që ndryshimi nuk ka për të ndodhur kur Shqipëria të bëhet shtet anëtar i BE-së, por jo nuk ka për të ndodhur atëherë. I gjithë ndryshimi ka për të ndodhur më parë dhe për këtë po punojmë ne tani dhe në këtë aspekt unë do të përsëris edhe një herë se ndoshta jam personi më i fokusuar që mund të mendoni. Ne punojmë fort dhe nuk më vjen keq për ato orë më pak gjumë që mund të kem bërë këto dy vjet e gjysmë, sepse e di që ja kanë vlejtur dhe e di me siguri që shqiptarët e kuptojnë këtë gjë. Dhe ju do të çuditeshit madje se sa njerëz nga pjesë të ndryshme të shoqërisë na falënderojnë për faktin që kemi qenë kaq të qartë dhe mendoj se në këtë aspekt do të thosha se roli është i tillë që për të garantuar se ky ndryshim ka për të ndodhur kjo trajektore ka për t’u ndjekur sepse në fund të fundit këtë kanë kërkuar qytetarët e Shqipërisë. Pra ne po bëjmë që Shqipëria të jetë një vend anëtar i fortë.
Vlahutin
Zonja Ambasadore, keni marrë ju gjatë këtyre muajve, viteve, informacione të klasifikuara ose jo, ka qenë pjesë e axhendës tuaj të diskutimeve dhe a keni folur ju ndonjëherë publikisht për një problem shumë të madh që ne kemi aktualisht në Shqipëri, që është problemi i shtrirjes së kanabisit nëpër fushat shqiptare. Është ky një problem që ju diplomatikisht ose jo do të kishit pranuar të thoshit diçka?
Është një problem dhe për shumë muaj ne kemi punuar që ky problem të trajtohet në mënyrë të strukturuar. Ju e dini që Guardia di Finazia e Italisë ka qenë shumë e pranishme në Shqipëri, madje me aeroplan ata kanë fluturuar mbi fusha për të parë plantacionet, për të kuptuar se çfarë po ndodhte! Dhe ne të gjithë së bashku, pra Komuniteti Ndërkombëtar kemi shkuar te qeveria kemi thënë diçka duhet bërë. Dhe ajo që kam parë përpara dy ditësh ka qenë një strategji tërësore për luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve dhe është hartuar pjesërisht me asistencën e ekspertëve të huaj. Ne si Bashkim Europian sollëm ekspertë kryesisht nga Hollanda dhe Belgjika. Ne duhet të shohim tani se çfarë forme ka marrë kjo strategji dhe ajo që do të jetë gjëja më e rëndësishme do të jetë zbatimi i saj. Ky është një problem vërtetë serioz dhe unë dua t’iu siguroj jo vetëm ju por edhe audiencën teleshikuesit që Komuniteti Ndërkombëtar në përgjithësi në rastin tim dhe Bashkimi Europian në veçanti po e ndjekin këtë çështje në mënyrë sistematike me vëmendje të veçantë për të parë se çfarë mund të trajtohet ky program.

Si ambasadore ju keni pasur rastin kohët e fundit ta flisni këtë problem shumë të madh me Kryeministrin Rama?
Ne jemi në komunikim të përhershëm me qeverinë për këtë problem dhe kjo është një gjë që siç ju thashë….

Është një çështje që flitet në mënyrë të vazhdueshme, apo jo për të gjetur rrugë për ta trajtuar atë?
Absolutisht po! Tre nga pesë prioritetet kyçe kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Krimi i organizuar është pjesë e tyre dhe tani nuk ka pikë dyshimi për ne që ky është një problem i cili duhet zgjidhur. Po ashtu, duke pasur parasysh elementët e ndryshëm të këtij procesi, ne kemi bërë thirrje në mënyrë të sinqertë, bashkë me kolegët e SHBA-së që qeveria të përpilonte një plan tërësor i cili të mund të zbatohet shumë shpejt për këtë problem…

Me kusht që Vettingu të shkoje në drejtimin e duhur. Ne kuptojmë se një qasje ndaj BE-së mund të bëhet e mundur, madje le të themi jo me vështirësi. Por Zonja Ambasadore në çfarë gjendje e keni ju gjendjen e Bashkimit Europian tani! Nuk me duket kaq e lumtur dhe mbi të gjitha, më lejoni t’iu shpreh dyshimin tim të plotë që nuk më ngjall shumë siguri për të ardhmen e bashkimit!
Nuk jam plotësisht dakord…

Dhe jam i kënaqur që nuk jeni tërësisht dakord me mua!
Kur flas për këtë çështje nuk po flas si një person që është nëpunës i shërbimit civil i BE-së. Në fakt unë mendoj se ky është një projekt i mrekullueshëm dhe të gjithë do të ishin dakord dhe do të thoshin se BE është një hapësirë e standardeve më të mira sociale në botë. Askund tjetër në botë nuk mund të gjeni njerëz që mund të jenë kaq të mbrojtur përsa i përket standardeve sociale saç janë ata brenda për brenda kufijve të BE-së. Po ashtu BE-ja dhe ky projekt e ka bërë të mundur që paqja, bashkëpunimi të dominojë, jo luftërat që kemi pasur në të shkuarën dhe nuk duhet t’i harrojmë këto gjëra! I harrojmë, por nuk duhet. Janë shumë të vlefshme dhe po ashtu ka krijuar një nga ekonomitë më të pasura të botës dhe tregu i BE-së, kur bëhesh pjesë e tij, sepse unë e di nga vendi im, ndryshon edhe ekonominë e vendit. Kështu që nuk më pëlqen asnjë nga ata që thonë se asgjë nuk funksionon. Një problem të vij dhe çdo gjë tjetër është e errët. Por si në çdo vend tjetër të botës ka situata që duhen përmirësuar apo duhen zgjidhur. Dhe Bashkimi Europian e ka vërtetuar dhe të shkuarën që çdo sfidë e ka çuar BE-në në një nivel tjetër të të përmirësuarit dhe të shndërruarit të një Bashkimi Europian më të mirë. Kështu që unë i shoh problemet si mundësi për t’u përmirësuar. Jam vërtetë e sinqertë, e hapur kur ju them që ky është një moment i shkëlqyer për Bashkimin Europian për t’u forcuar më shumë, për një sërë arsyesh. Për shembull isha shumë e kënaqur kur Zj.Mogherini tha pardje që ajo nuk do ta mendojë BE-në për zgjerimin por është ribashkimi i Europës dhe ky është një kontinent fantastik në të cilin jetojmë. Unë jam tejet e lumtur kur shkoj nëpër Shqipëri dhe shoh art të një niveli botëror, pra trashëgimi kulturore të nivelit botëror sepse rikonfirmon edhe një herë se kush jemi ne, se cili është identiteti europian dhe unë vërtetë besoj të kjo gjë. Unë jam rritur në një qytet të Rilindjes se Mesjetes dhe për mua kjo është prova.

Për ta mbyllur dhe në formën e shakasë le ta themi, nëse secili vend i Ballkanit do të kishte nga një melodi të madhe që qëndron mbi kokat e njerëzve, si një melodi përcaktuese ose përgjithësuese, Kroacia mund të kishte pasur përshembull Heroikën e Beethoven, Bosnja dhe Hercegovina ndoshta do të kishte pasur Vallen e Shpatave të Khachaturian, mendoni se Shqipëria mund të kishte pasur “Toccata e Fuga” të Bach-ut?
Më duhet t’iu them një gjë për Shqipërinë. Për mua, në fakt një gjë që ka për të qenë gjithnjë me mua, ka për të qenë ka për të qenë drita e Shqipërisë. Vendi juaj ka një dritë shumë të veçantë! Kombinimin e malit, detit, pjesërisht është sikur unë jam kthyer në fëmijërinë time dhe po të flasësh për simbolikën ose atë që t’i do të marrësh si metaforë për të gjithë jetën time në këtë rast unë do të marrë dritën e Shqipërisë me vete.

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Më shumë nga Politika

Më shumë nga Politika

Lajmet e Fundit

Te Fundit