Home POLITIKE Vëzhguesit ve...

Vëzhguesit vendorë: Mungesa e konsensusit rrezikon ngërçin institucional

31
0

Në deklaratën e tij, Koalicioni vëren se pak muaj para zgjedhjeve të ardhshme kuadri ligjor është i paplotë, pavarësisht domosdoshmërisë së shprehur nga të gjithë aktorët për përmirësim të Kodit Zgjedhor dhe reflektim në të të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, por dhe ndryshimeve të krijuara me miratimin e ndarjes së re territoriale.

“Kanë mbetur vetëm 12 ditë në dispozicion të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve, dhe menjëherë më pas ligji zgjedhor parashikon nisjen e një sërë procesesh për përgatitjen e infrastrukturës parazgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve”, thuhet në deklaratën e KVV-së.

Sipas saj, koalicioni shpreh shqetësimin për ngërçin institucional ku mund të futet vendi, ngërç i cili është tashmë evident dhe i mundshëm pas depozitimit të dokumentacionit të më shumë se 100 grupeve nismëtare për organizimin e referendumeve lokale në njësitë e tyre vendore.

Përmes këtyre referendumeve popullsia lokale do të shprehet nëse janë dakort të shkrihet komuna apo bashkia e tyre, duke vënë në pikëpyetje dhe futur në ngërç institucional dhe kushtetues ndarjen e re territoriale, si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme. Sipas parashikimeve të bëra nga Kushtetuta, nëse këto referendume janë në përputhje me ligjin, ato duhet të mbahen para zgjedhjeve lokale.

Në këtë situatë, Koalicioni i bën thirrje klasës politike dhe veçanërisht kryetarëve të tre partive më të mëdha politike, kryetarit të PS-së, Edi Rama, kryetarit të PD-së, Lulzim Basha dhe kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, që të tejkalojnë të gjitha ndasitë dhe interesat partiake dhe të gjejnë zgjidhjen e përbashkët për të shmangur këtë ngërç të panevojshëm e artificial që mund të fusë në kolaps ligjor vendin.

Koalicioni i kërkon Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, që të mbledhë sa më parë krerët e partive parlamentare jo vetëm për t’u konsultuar rreth datës së zgjedhjeve që ai duhet të dekretojë sa më parë, por edhe për t’i nxitur ata drejt kompromisit dhe gjetjes së gjuhës e interesit të përbashkët në dobi të vendit dhe të qytetarëve, thuhet në deklaratën për shtyp të KVV-së. 

 

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Më shumë nga Politika

Më shumë nga Politika

Lajmet e Fundit

Te Fundit