Home Magazine Themeluesi i ...

Themeluesi i arsimit në Mirditë

88
0

Nga Qazim Shehu/Bibë Gjet Lleshaj është një dijedashës i nderuar dhe për të cilin ia vlen të ndalet e mund të thuhen fjalë miradije në një kohëhapësirë të caktuar,  po edhe në kontekstin e sotëm, kur na duhet të vlerësojmë pishtarët e fjalës.  Po kush ishte Bibë Gjet Lleshaj; shumë janë shprehur dhe sjellin kujtime për të,  ai ishte një ndër të aktivizuarit në fushën e arsimit prej Ndrec Ndue Gjokës, i cili jo vetëm justifikoi besimin ndaj tij,  po këtë besim e madhëroi përmes një pune titanike me përkushtim prometean gjithnjë në kushte objektive të caktuara.  Mbasi mbaron shkollën fillore në Prelat vazhdon Internatin e Burrelit, sot kjo shkollë barazohet me arsimin e mesëm.  Përfytyrojmë një ambient shkolle të asaj kohe.  Një shtëpi me dërrasa,  pa banka,  ku nxënësit uleshin përtokë, dërrasa e zezë lyhej me gëlqere të bardhë,  ndërsa shkruhej mbi të me thëngjill.  Fletorja pritej dy apo tre pjesë. Libra nuk kishte, një në dy tre nxënës, po atëherë libri ishte i shenjtë,  sepse etja e dijes ishte e madhe, dhe për mësuesin e fjalën e tij kishte një respekt fetar. Ndrec Ndue Gjoka organizon në Shënpal një seminar duke dhënë udhëzimet për mësuesit e rinj;ndërsa Biba hap shkollën e parë në Prosek duke grumbulluar 12-13 fëmijë si fillim. Ishte viti 1945. Gjithkush që ka lexuar,  apo ka kuriozitetin e nevojshëm për ta njohur atë kohë, larg çdo interpretimi dashakeq, mëson dhe nuk ka sesi të mos ndjejë respektin e nevojshëm për këta idhujtarë të heshtur të dijes që u mësonin nxënësve germat e para,  aritmetikë, histori,  duke u folur mbi Gjergj Kastriotin, Ismail Qemalin e heronjtë e kombit;gjeografi; e plot njohuri të tjera të cilat mbillnin në mendjet e vogëlushëve një shpresë për ta parë botën më ndryshe,  më të bukur. Bibë Gjet Lleshaj ishte njëri nga këta misionarë dhe idhulltar i dijes, i cili me kohën kishte një raport të caktuar që ndërtohej dhe përshpejtohej nga vullneti për të ecur përpara dhe për të dhënë kontributin e caktuar,  të nevojshëm për gjithë ato që thamë më lart. I biri i tij,  Anton Lleshaj, avokat i shquar,  një nga kandidatët potencialë për Avokatin e Popullit, ai rrëfen fare mirë për atë kohë duke sjellë edhe dëshmi autentike të saj, të cilat mund të përmblidhen në një krenari të ligjshme të fëmijës për prindin e tij që nocionin e arsimimit tek fëmijët nuk e pa deri në një stad të caktuar,  po për të ecur dhe për të shkuar më tej, sepse dija nuk ka fund. Naimi thoshte:”Dhe dritë e diturisë përpara do na shpjerë/përpara drejt lirisë…”Nëse në atë kohë flittej dhe propagandohej një liri që herë- herë jetësohej në fantazinë e një demagogjie false, do të shohim se liria për të ditur nuk mund të kalonte në gjykimin dhe trajtesat e ndryshme të bisedave për sistemin shoqëror apo gjërat që nuk shkonin. Mbasi kreu shërbimin ushtarak ai kthehet të vazhdojë punën,  po nuk mund të punojë dhe kjo nuk është pak. Arsyet dihen,  ai ishte dhëndër tek një familje “reaksionare”, e cila kështu etiketohej në atë kohë edhe pse kontributi patriotik i saj ishte i pamohueshëm. Biba punon në punë të ndryshme: në SMT, llogaritar brigade, furnitor në ndërmarrje të ndryshme të rrethit duke punuar me përkushtim,  devocion dhe korrektesë maksimale,  sepse ishte në survejim. Për mësues Bibën është aktivizuar edhe folklori i zonës, thuren vargje rapsodike nga ish- nxënës, shokë, poetë të Mirditës. Bibë Gjet Lleshaj ishte një nga ata pishtarë të arsimit, i cili për vendlindjen e tij dha çka mundi e ndoshta më tepër në fushë të arsimit, kulturës, po edhe duke rritur e forcuar më tepër traditat, zakonet, besën e virtytet e burrit mirditor. Ai jo vetëm diti t`i ruajë ato, po edhe t`i pasurojë me ngjyra të reja. Kështu,  duke ecur me kohën, duke i dhënë asaj, ai u fut natyrshëm në kohë për të zënë vendin e vet të merituar si një përmendore kujtese, prandaj edhe shkolla e sotme e Prosekut mban emrin e tij, jo vetëm si themelues i saj, po edhe si punëtor i palodhur që e ngriti dhe i dha emër në një kohë të vështirë dhe me sakrifica të mëdha.

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit