Home Uncategorized Teleferiku…

Teleferiku…

54
0

 Nuk di pse pyeta veten: Do lërë ndonjë gjurmë në Tiranë Basha?…Tramin?…Jo…Bulevardi?…Nuk e le Rama ta inaguroi?…Po më tej? Ndolla kujtime…  Viti 1981. Ditë e bukur pranvere. (Mbase ja fut edhe kot: nuk mund të ketë edhe diktaturë edhe ditë me diell!)…Unë punoja në gazetën “Zëri i Popullit”. Më thotë shefi: merr Niko Xhufkën, fotoreporterin dhe hidhu na bëni ca foto nga mali i Dajtit. Kur mbritëm në lëndinën përpara kampit të pionierëve, para nesh qëndroi një makinë. Njeri pas tjetrit zbritën disa topografë me vegla në duar. Njërin e njihja. Më tregoi: Një muaj më parë shoku Enver na paskësh thirrur  në zyrë Jashar Mezenxhiun, Kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të Tiranës.

Enveri:- Sa pranvera mba mbi supe, more Jashar?

Jashari:- Nën kujdesin e parties, i kalova të 60-tat! Por ndjehem si djalë në vaht!

Enveri:- Dukesh evlat, dukesh! Mba ment kur ke qenë në Peshkëpi? Ju fute asaj pune…ha, ha… bakllavasë me gjithë hundë! Por të ruajti partia…Nejse! Dua të të pyes: një ditë do të vdesësh. Do thonë njerëzia: “Çfarë la nga pas, ki, Krietar Jashari?…Mos më ul sytë për tokë, mo. Mendon edhe për ty partia janë sokoleshë!…

Jashari:- Unë jam nën komandën tuaj…

Enveri: – Unë thom të bëjmë një teleferik nga Tirana në malin e Dajtit. E bëmë teleferikun? E bëmë. Le ta gëzoi kllasa jonë punëtore. E ka hak! Unë thom, që puntoria të hipin pa lekë, badjava. Le të paguajnë burokratët si puna jote, se kini nisur të dhjamoseni nga mirëqenia!… Nga zyra e Enverit, Jashari u degdis në Makinaimport, vazhdoi tregimin tipografi. Mori ca oferta nga Austria. Teleferiku kushtonte nja 7-8 milionë dollarë. Pa dollarë nga qeveria, Jashari ngriti grupin e punës për teleferikun… Zbrita në Tiranë. Nisa të ndjek gjurmët e Kryetarit të Komitetit. Tregimi i tipografit ishte i saktë. Me kapën “ethet” e shkrimit. Thashë të takoj Jasharin. Nuk më bënë këmbët: me siguri nuk do të pranonte të bëja zhurmë në gazetë! Vendosa të shkruaj me iniciative. Dy ditë më vonë e dorëzova artikullin. Më befasoi kryeredaktori: ke bërë një kryevepër? Ku të vajti mendia, xhanëm!…Një ditë më vonë artikulli u botua. Në ora shtatë të sabahut ra telefoni i parë. Ishte kryeministri, Adil Çarçani: “Shoku kryeredaktor! Mos kini luajtur nga mentë ti që e boton dhe Mitrua që shkruan për teleferikun? Ne e kemi arkën e shtetit trokë, ju kërkoni qiqra në hell!” Telefonat nuk pushuan atë mëngjes. Pas Adilit, foli zëvendësi i tij, shoku Besnik Bekteshi. Pas Besnikut mori Vangjush Çërava nga Komiteti Qendror i Partisë: “Ç’janë këto përralla me mbret! Ne s’kemi 50 mijë dollarë për të importuar klor për të pastruar ujët, ju kërkoni miliona dollarë për të ndërtuar teleferik!” Rezymenë e telefonatave ma bëri kryedaktori, ndërsa makina ecte nëpër bulevard. Na kishin thirrur në Komitetin Qendror të Partisë së Punës! “Histori e bukur, tha kryeredaktori. Këtë mesele e dimë unë, ti, Jashari dhe shoku Enver. Të tjerët, që nuk dinë asgjë, bëjnë gam-gam! Kur të marrin vesh se është porosia e shokut Enver, do të futin bishtin në shalë?” Po ti nga e more vesh historinë e teleferikut,- pyeta unë me gjysëm zëri!…Dy javë më parë, më erdhi në shtëpi për vizitë shoku Jashar,- tha ai. Ngjitëm dy-tre palë shkallë. Kaluam në dy koridorë dhe përfunduam në zyrën e shokut Vangjel Çërava, Sekretar i Komitetit Qendror…Kini lënë kokrrën e namit, tha ai…Kryeredaktori e shikonte si i zënë në faj. Kur Vangjushi pyeti:

– I paudhi ua futi në vesh këtë proçkë?

-Me kujdes kur flisni, shoku Vangjush,- tha kryeredaktori.- Porosinë për të ndërtuar teleferikun e ka dhëne vetë shoku Enver…U këmbyen rolet. Vangjushi u ngrit në këmbë. Fytyra e burrit mori ngjyrën e verdhë…Të njëjtën fat patën edhe projektet për ndërtimin e teleferikut Tiranë-Dajt. Për një çerek shekulli i “mbuloi pluhuri i harresës”. Si në socializëm dhe në demokraci, shteti mbeti “trokë”, domethënë nuk kishte para për të zbatuar projektet.

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit