Home Uncategorized Stina e kandi...

Stina e kandidatëve

3
0

 

Erion Habilaj.

Me mbylljen e muajit mars, shkoi drejt fundit loja e gjerë dhe hipotetike me kandidatët që do garojnë këto zgjedhje lokale për 61 bashkitë e vendit; dhe dje ngjan se hyri stina e emrave të përveçëm. Ndërkohë që mazhoranca e majtë po vendos njërin pas tjetrit, kandidatët në bashkitë kryesore, opozita, ajo që duhet të kishte ndarë që më herët hesapet brenda vetes, pasi nuk ka ç’të humbasë, është në një ngërç të madh. PD-ja e Lulzim Bashës është mungestarja e madhe në këtë lulëzim emrash.

Një forcë politike që kërkon me ngulm dhe me inat përmbysjen e kësaj qeverie, që shpall nevojën urgjente për zgjedhje të parakohshme, që deklaron se erdhi koha që ajo “t’ja kthejë pushtetin qytetarëve”, nuk bie dot dakord për emrat e kandidatëve që koalicioni i saj do paraqesë këto zgjedhje. Ngjan paradoks, por shpjegimin e ka të thjeshtë: Basha, që më në fund arriti ta heqë sikletin e Tiranës duke e përjashtuar veten nga lista e kandidatëve, nuk ka fuqi vendimmarrëse në PD, për të ndarë shapin nga sheqeri, për të caktuar emrat dhe për të filluar fushatën edhe më parë se data zyrtare; siç bën çdo opozitë. Në të kundërt, aleatët e vegjël ose po ikin, ose kërcënojnë.

Pse-në e kësaj gjendjeje në PD e dinë të gjithë: Vendimin aty e merr Berisha, ndërsa Bashës edhe sikur të ketë dëshirë dhe visto nga shefi i vërtetë, i mungon aftësia negociuese. Ah, po, nëse ai di të negociojë, kjo mund të jetë një negociatë “e mbrapshtë”, siç e akuzoi direkt kreu republikan Fatmir Mediu, që deklaroi se Basha po bën allishverishe me PS-në përmes sekserëve, për bashkinë e Durrësit.

Por çfarë treguan këto ditë “të nëndheshme” bisedimesh në telefona, emaile, kafe e zyra nga të dyja kampet?

Vihet re se PS po hedh pas krahëve pakënaqësinë e aleatëve të vegjël që nuk ka dashur ose nuk ka mundur t’i kënaqë, dhe ka afruar zyrtarisht PDIU-në e Shpëtim idrizit. Ka një moment moral në këtë episod aleancash që pësëriten çdo palë zgjedhje, kostoja e të cilit ende pritet për t’u parë. Por një tregues tani për tani i vogël i kësaj kostoje, është vota e të pakënaqurve nga qeverisja, që ndryshe nga herë të tjera nuk duket të shkojë tek opozita. Kjo sepse performanca e kësaj të fundit, në çdo aspekt të luftës së saj politike këto dy vjet, ka qenë mjerane. Kjo votë si dhe ajo e abstenuesve të mundshëm, mund të kanalizohet tek kandidatët e pavarur. Deri tani ka qenë Gjergj Bojaxhiu për Tiranën. A do përsëritet kjo dukuri në bashkitë e tjera? Le të presim, por për cilësinë e demokracisë shqiptare ky është një fenomen për t’u inkurajuar

Vihet re nga ana tjetër, se PD nuk po kapitalizon dot asgjë nga koeficienti i konsumimit nga pushteti, që natyrshëm e pëson çdo forcë qeverisëse. Për ta thënë këtë duhen numëruar votat dhe mbase ngjan pohim i nxituar, por nga sjellja e deritanishme e PD-së, ky konkluzion qëndron. Dhe arsyeja për këtë është se selia blu nuk ka një kokë drejtuese, por një figurant që bën kryetarin, dhe një familje të superpushtetshme që bën politikë me facebook. Zemërimin për këtë pafuqi, familja në fjalë nuk mund ta shprehte më mirë sesa përmes të birit, që nuk la mallkim pa bërë për ata që po tradhtojnë partinë e babës. Por, nëse mungesa e opozitës së vërtetë ka krijuar një vakum që për shkak të ligjeve të “fizikës politike” duhet ta mbushin emra të rinj, qofshin këta dhe kandidatë të pavarur, atëherë ashtu qoftë!

(Marre nga Gazeta DITA)

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit