Home Forum Sokol Olldash...

Sokol Olldashi, një vdekje me peng Olldashi

106
0
transmetim direkt fundin e njërit prej politikanëve të rinj, më premtues të vendit. Ikja e Sokol Olldashit shkaktoi një përjetim të thellë kombëtar si sot një vit. Ajo bëri të ulnin kokën me pikëllim edhe shumë prej atyre që së gjalli nuk e kanë pëlqyer për besiminm e tij politik.
 
Në një shkrim, Besnik Mustafai e përcaktonte me të drejtë përsenë e këtij përjetimi intensiv: largimi brutal i Olldashit, nga një rrugë e re që po fillonte të merrte, ndërprerja mizore e një misioni të ri që dukej se ai kishte në plan për partinë e tij, por me një rezonancë të gjerë për të gjithë jetën politike shqiptare. Larg çdo sublimimi formal e pak të sforcuar, që sjell me vete vdekja tragjike, me Olldashin u shua një premisë emancipimi, një flamturtar i vetmuar i politikës, që mund t’i kishte dhënë, me kalimin e kohës, një rrjedhë të re ngjarjeve në të djathtë. Ku tradicionalisht sfida të tilla, kanë qenë thjesht të pamundura që nga fillimi i kohërave.
 
Ikja e Olldashit një vit më parë, u pasua më pas nga të tjera vdekje (në fakt vrasje) e të tjera figurave të njohura publike. Ekzekutimi tragjik i bankierit Artan Santo në derën e bankës së tij, është vetëm rasti i fundit i vdekjeve të njerëzve me emër, të cilët kanë ikur nga kjo botë, pa u marrë vesh kurrë rrethanat, shkaqte dhe autorët e tyre. Deputeti i majtë Xhindi është gjithashtu një tjetër emër i kësaj liste të zezë e plot pikëpyetje.
 
Pak pas vrasjes së Artan Santos, Spartak Ngjela deklaronte një të vërtetë të madhe dhe cinike të realitetit shqiptar. “Këtu tek ne”, shprehej Avokati, “vrasjet nuk zbulohen, por harrohen”. Koha që kaloi, javët e muajt që na ndajnë nga ajo vrasje makabër në qendër të Bllokut, i japin të drejtë Ngjelës dhe të gjithë atyre që mendojnë se ky vend e ka shumë të vështirë ta dënojë krimin. Sidomos krimin politik.
 
Nuk duam ta fusim mekanikisht vdekjen e Sokoll Olldashit në listën e të vrarëve të shquar të këtij vendi, të mbetur pa fajtorë. Por ne nuk e dimë ende sot me siguri, në këtë përvjetor të parë, nëse Sokol Olldashi vdiq në një aksident banal, teksa fliste në celular apo tymoste duhanin aq të dashur, në poltronin e makinës së tij, në dalje të tunelit të Krrabës. Nuk e dimë se pse nuk u sqarua kurrë se nga vinte ai atë natë të errët, pse e kishte ndërmarrë atë udhëtim, pse vendi i aksidentit u pastrua pak orë më pas me fadroma, si për të zhdukur disa gjurmë të bezdisshme të një akti që akoma sot vazhdon të ngjallë më shumë se një dyshim. Nuk e dimë me siguri sesi iku nga jeta ky politikan i ri, që mund të kishte qenë edhe një shpresë e re për politikën shqiptare.
 
Duket sikur kjo e Sokolit dhe të tjerëve, janë vdekje të destinuara për t’u harruar, për të mbetur të errëta, të pazbardhura. Por nuk është kështu. Të harruara, ato janë vetëm nga neglizhenca e institucioneve të shtetit dhe kulisat e errëta të politikës shqiptare, që për njëmijë arsye, nuk kanë qenë të interesuara t’i zbardhin, e as t’u shkojnë deri në fund përgjegjësive e fajtorëve.
 
Prandaj edhe një-vjetori i Sokol Olldashit vjen me një brengë më tepër, sesa vetë ikja e tij nga kjo botë. Shumëkush ka pyetur gjatë një viti “si iku kështu ky djalë”? Ka qenë një pyetje spontane, jo domosdoshmërisht një dyshim konkret apo një akuzë ndaj dikujt. Ka qenë një boshllëk që shumëkush që e njihte Olldashin, e ndjen ende sot, teksa përkujton mikun e tij që sot nuk është më. Kjo pezulli, ky peng, duket se ja shton edhe më shumë melankolinë e keqardhjen këtij momenti të dhimbshëm. Jo vetëm për familjarët e kolegët e Sokolit, por për të gjithë ata që duan të vërtetën në këtë vend.
 
*JAVA

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit