Home Forum Shqipëria dhe...

Shqipëria dhe Serbia, në kërkim të shtegut të ngushtë të dialogut

20
0

Konferenca në të nxehtë, e organizuar të mërkurën nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim doli nga kornizat e një aktiviteti rutinë, duke i vënë shqiptarët, serbët e ndërkombëtarët në kërkim të shtegut të ngushtë të dialogut mes dy vendeve.

A mund të konsiderohet vizita e Ramës një sukses? A hapi ajo një kapitull të ri në marrëdhëniet deri tani të ngrira mes dy vendeve?

“Rezultati kryesor ishte që kjo vizitë më në fund u krye. Dhe që kryeministri Rama përcolli një mesazh të rëndësishëm, se Shqipëria dhe Serbia kanë shumë për të ndarë, për një të ardhme më të mirë”,-thotë analisti serb Dushan Janjic.

Janjic nuk heziton të thotë se pritshmëritë rreth këtij takimi të realizuar pas 68 vitesh ishin të larta e deri diku naive dhe se dy kryeministrat u bënë gjithashtu pjesë e lojërave të vogla për konsum të brendshëm.

“Mendoj se dy qeveritë kanë probleme të brendshme, sa i përket mbështetjes popullore. Dhe të dy kryeministrat janë luftëtarë të ashpër në këtë drejtim. Rama është më i fortë në basketboll, Vuçiç një tifoz i Yllit të Kuq dhe në konferencën për shtyp, secili luajti në mënyrën e vet”,-tha më tej Janjic.

Historia është njëra anë e medaljes; nevoja e përbashkët për t’u afruar me Bashkimin Europian, ana tjetër. Ndaj edhe qeveria shqiptare dhe ajo serbe janë të dënuara të bashkëpunojnë për të vënë në jetë një sërë projektesh rajonale të lindura në konferencën e Berlinit, e përmes tyre, edhe një bashkëjetesë në paqe.

Historiani Paskal Milo evokon ngjarjet e fundit, në dritën e një përplasjeje të vjetër mes albanofobisë dhe serbofobisë. “Vetëm shkëputja prej tyre do të mund të lehtësojë procesin e bashkëpunimit dhe të pajtimit në të ardhmen”,-tha ai në konferencë.

Një studim i bërë nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë tregon se edhe sot, serbët i njohin fare pak shqiptarët. Ndasitë e së shkuarës kanë frenuar shkëmbimin e njerëzve dhe të kulturave, ndërsa politika duket se nuk ka ndihmuar në këtë drejtim.

Drejtoresha e kësaj qendre, Sonja Stojanovic Gajic mendon se sfidat e përbashkëta të sigurisë rajonale do ta ndihmojnë këtë proces. “Integrimi në BE na detyron të bashkëpunojmë”,-tha ajo, duke vënë në dukje megjithatë se përtej përplasjeve politike,  shkëmbimi në fushat e sigurisë është më produktiv.

Një mesazh për paqen dhe bashkëpunimin lëshoi edhe ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin. “Europa është një projekt paqeje dhe nuk dëshiron që të ketë konflikte mes saj. Ballkani i ka kapacitetet në rrugën drejt bashkëpunimit. Koha nuk duhet humbur dhe duhet bërë e pamundura për të ecur përpara”,-tha Vlahutin.

“Reporteri.al”

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit