Home Kosova “SHBA nuk do ...

“SHBA nuk do të lejojë Rusinë në Ballkan”

38
0

Pozicioni i Moskës zyrtare në rajonin e Ballkanit është komprometuar seriozisht nga informatat e reja nga burime të Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që bëjnë të ditur se Kremlini ka bashkëpunuar me nacionalistët serbë që provuan ta rrëzojnë dhunshëm qeverinë në Mal të Zi, për ta ndaluar këtë vend t’i bashkohet NATO-s, shkruan analisti politik Janus Bugajski, raporton gazeta malazeze Pobjeda, përcjell Klan Kosova.

“Tentim-puçi tregon qartësisht dallimet në mes të SHBA-ve dhe Rusisë sa i përket këtij rajoni (Ballkanit)”, ka thënë ai.

“Deklaratat e (Mike) Pence gjatë vizitës së tij në Bruksel dhe Mynih konfirmuan obligimet amerikane karshi NATO-s, duke e bërë të qartë se Ballkani nuk do t’i lihet Moskës”.

Në analizën e tij Bugajski zbulon se SHBA-të do të kenë vazhdimësi të prezencës në Ballkan dhe ndoshta do të ofrojnë edhe më shumë mbështetje për këtë rajon – gjë kjo që është bërë një test strategjik për Administratën Trump.

“Përkundër se është ende herët të saktësohet roli i SHBA-ve në Ballka, integrimi ndërkombëtar i kësaj ane është në progress. Trump mbase do të ketë qasje më të zbehtë në Serbi, Kosovë e Bosnje. E disa besojnë se Trump do të tërhiqet dhe do ta lë Bashkimin Europian të merret me atë pjesë”.

Bugajski ka kujtuar edhe deklaratën e cilësuar kontroverse të kongresmenit të SHBA-ve, Dana Rohrabacher, që foli për ndryshime kufijsh në Ballkan.

“Disa thonë se mbase Dana Rohrbacher mund të influencojë politika në Shtëpinë e Bardhë. Kongresmeni pohoi se Serbia e Kosova duhet të bëjnë shkëmbime territoresh dhe se Maqedonia duhet të ndahet mes Bullgarisë e Kosovës. Por, çdo ndarje e re e kufijve çon në konflikt serioz. Madje edhe anëtarët e NATO-s si; Kroacia, Shqipëria, Bullgari, Greqia dhe Turqia do të bëheshin pjesë e kësaj lufte regjionale. Kështu që Dana Rohrabacher nuk duhet të merret seriozisht”, shkruan Bugajski.

Përkundër se Moska dhe Beogradi shpresojnë se Trump do të jetë aleati i tyre, administrata e tij mund të ketë plane tjera për Serbinë e Rusinë.

Ndërsa sa i përket Kosovës duket se administrata e SHBA-ve është gati ta mbrojë pavarësinë e saj.

“Sekretari (Ministri) Amerikan i Mbrojtjes tha se SHBA-të janë gati ta mbështesin Kosovën në formimin e një force të armatosur. Beogradi dhe Moska nuk janë të lumtur me këtë ide. Disa spekulojnë se Uashingtoni do t’i kërkojë Serbisë ta njohë pavarësinë e Kosovës”, thotë Bugajski.

Sipas tij, Trump dhe administrata e tij janë duke e monitoruar nga afër aktivitetin e Moskës në Ballkan.

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit