Home Editorial Rama shkon si...

Rama shkon si Kryeministër, kthehet si lider i shqiptarëve

19
0

Këtu, në Tiranë ku ka selinë e kryeministrit, do të ketë njerëz që e  urrejnë politikisht dhe të tjerë që do e mbështesin, ashtu siç ndodh me çdo politikan që përfaqëson një subjekt të caktuar. Sesi janë këto balanca në Shqipëri mes urrejtjes dhe dashurisë për të, e tregoi 23 qershori i vitit të kaluar. E që të jemi më konkretë, duhet të pranojmë se nga vizita dy ditore në Serbi, kryeministri Rama kthehet si një politikan i një formati tjetër. Shqiptarët e Kosovës, që kishin shumë pikëpyetje mbi qëndrimet e tij, tashmë e kanë të qartë: Rama është një politikan mbarëkombëtar e jo vetëm për kufijtë e Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës. Në fjalimin e mbajtur në datën 10 nëntor në Beograd, ai tregoi se mbetet përfaqësues i denjë, jo vetëm i shqiptarëve të Shqipërisë, por di të paraqesë e të mbrojë çështjet rajonale të shqiptarëve. Ai tha se Serbia, pra mu në pallatin “Serbia”, duhet të pranojë realitetin e Kosovës së Pavarur. Një kurajo lideri dhe jo një fjalë e një njeriu kalimtar në karrigen e pushtetit. E tha duke parë përtej perdes Vuçiç, aq sa ky i fundit fliste me vete edhe në konferencën e shtypit. Kush nuk e pa sesi i iku shikimi normal.

Fiks para një viti, Edi Rama pati deklaruar në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, intervista e parë në një media të shkruar qëkur u bë kryeministër, se kam ardhur për të lënë një emër të mirë në histori dhe jo për t’i hipur kalit të pushtetit . Asokohe, nuk ishin të pakët analistët që flisnin jo pa kunja për këtë thënie të tij, bile kishte dhe shpoti. Kanë kaluar pak muaj qëkur ka bërë një vit në qeveri dhe këtu brenda Republikës sonë, bëri disa veprime që opinioni publik i donte, por asnjë nuk guxonte deri në këtë kohë t’i realizonte; vendosi rendin publik në çdo cep të territorit, ku tashmë dihet se Lazarati iu “kthye” Republikës, pasi ishte një “republikë droge”. Filloi operacionin e prishjes së ndërtimeve pa leje. I rrafshoi me një kurajo që asnjë kryeministër nuk kishte guxuar, përjashtuar Ilir Metën në vitin 2001-2002 që prishi ndërtimet e mafias tek Parku Rinia dhe anash Lanës. Por dhe atëherë, bashkë ishin Meta e Rama në këtë aksion që hoqi rrënjët e një grupi ndërtimesh i cili merrte frymën kryeqytetit. Më pas, vendosi autoritetin e ligjit për energjinë elektrike, ku vazhdohet akoma përditë; hoqi nga qarkullimi universitete private që shisnin diploma. Vendosi rregulla për administratën, të cilat kanë filluar, por do shikojmë se si do zbatohen deri në fund.

Në të gjitha këto veprime brenda Republikës, Edi Rama shihet si një kryeministër që ka iniciativë ekzekutive, edhe që ka përkrahje. Por në arenën mbarëkombëtare, ende nuk shihej me nota shumë pozitive. Kjo edhe për faktin që Sali Berisha ka luajtur bukur e tinëzisht duke marrë pozën e një lideri mbarëkombëtar. Dhe e ka bërë, duhet pranuar. Kishte bërë disa vizita në Kosovë dhe në Maqedoni Edi Rama si lider opozite, por edhe tashmë si kryeministër. Nuk kishte ngjitur kaq shumë sa ngjiti kjo e Beogradit. Në Pallatin “Serbia” ai i tha Serbisë atë që nuk do të kishte guxuar asnjë politikan shqiptar ta bënte nëse do të ishin në vendin e tij. U tha hapur, me një sinqeritet të spikatur se ‘harrojeni Kosovën’. Rama tregoi përgjegjshmëri politike dhe kombëtare në këtë rast. Nëse Kosova do të ishte shmangur nga tema e bisedave me kryeministrin Vuçiç, apo deklarata të ishte më e zbutur, Rama do të kishte humbur mjaft pikë dhe do të anatemohej si një vizitë ku Shqipëria u tregua vasale e Serbisë, njëlloj siç bëri Enver Hoxha në vitin 1947, i cili as u kujtua se kishte Kosovë mes Serbisë dhe Shqipërisë. Deklarata e Ramës ka rritur kuotat e tij tek shqiptarët e Kosovës dhe në Luginën e Preshevës. E jo vetëm këtu ,por në mbarë botën ku jetojnë shqiptarë. Mjafton të shikosh rrjetet sociale, aty ku shkruan gjithkush e ku shan shumëkush; por dje të gjithë e ngrinin në qiell Edi Ramën për atë çka tha në Beograd e më pas në Luginën e Preshevës. Nëse për punët në Shqipëri e shajnë në rrjetet sociale pothuaj diku tek afro 50 për qind, pasi është akoma në fillimvitin e dytë të qeverisjes, në rastin e këtyre ditëve të fundit, Edi Rama u bë si një hero kombëtar, më saktë u bë Lider mbarëkombëtar. Fjalë e madhe kjo që po them?! Mundet! Deri para kësaj vizite historike në Beograd dhe fjalimit të tij që shokoi Serbinë nacionaliste, por ndriçoi mendjet mbarëshqiptare, Rama për shkak të lidhjes historike që një pjesë e opinionit kosovar ka pasur me Partinë Demokratike dhe figurën e Sali Berishës në Prishtinë, etiketohej si një politikan jo shumë mbarëkombëtar. Madje, edhe për shkak të trashëgimisë së Fatos Nanos në Partinë Socialiste dhe takimit të dikurshëm të tij me Sllobodan Milosheviçin, kryeministri Rama kishte mbi supe dhe kryqin e rëndë të papjekurive politike të ish-kryetarit të PS-së, pra Fatos Nanos. Çelësi që i dha dikur këngëtarit serb, Goran Bregoviç, ishte një tjetër “njollë” që nacionalistët padrejtësisht ia përmendnin sa herë që binte fjala për politikën e jashtme të Partisë Socialiste. Qëndrimi i Ramës në Beograd ua mbylli gojën përfundimisht gjithë këtyre aludimeve. Pritja që i bënë dje në Kosovë pas kthimit nga Serbia ishte dëshmia se shqiptarët e Kosovës po shihnin një politikan tjetër. Jo atë Ramën që kanë njohur nga fjalimet e Berishës. Jo një politikan që hiqet sikur është babai i kombit, por një lider shqiptar të përgjegjshëm që di të flasë në kohën e duhur dhe sidomos, në vendin e duhur. Dhe foli bukur  në Beograd. Duhet pranuar!

Edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë pasur mundësi të njihin Edi Ramën qëkur ai ishte në opozitë. Si rrallëherë, është i vetmi zyrtar i lartë që e ka vizituar tre herë Luginën; dy herë gjatë kohës që ishte kryetar i Partisë Socialiste dhe dje, si Kryeministri i parë shqiptar që nga historia e themelimit të shtetit në vitin 1912. Për të gjithë ata që sot bëjnë rolin e “patriotit”, duhet thënë se deri para disa vitesh shumica e shqiptarëve në Shqipëri nuk e dinin se ku binte Presheva, nëse ishte e Kosovës apo e Maqedonisë. Dhe aq më pak, nuk dinin se është një vend në Serbi që banohet në shumicë nga shqiptarë etnikë. Edi Rama shkoi në Preshevë si Kryeministri i shqiptarëve dhe foli për të drejtat e tyre. Dhe ata e pritën si kryeministrin e tyre. Në mënyrë të natyrshme, ky qëndrim i Edi Ramës në Serbi do të sjellë efekt të njëjtë për shqiptarët e Maqedonisë. Nëse Tirana arriti të ngrejë mu në zemrën e Serbisë  respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, diçka e tillë është dhe bëhet më lehtë në Maqedoni, ku shqiptarët nuk janë minoritet, por një etni shtetformuese. Pa kolonën shqiptare, ai shtet rrëzohet në një ditë. Diplomacia shqiptare me Edi Ramën ka dalë nga rrethi i mbyllur i deklaratave zyrtare dhe është vënë në lëvizje për të garantuar të drejtat e shqiptarëve në rajonin e Ballkanit. E luan bukur, me pasion këtë rol, ndonëse deri para se të nisej për Beograd, akoma nuk ishte në kuotat e tij më të larta rajonale. Nga dje, ai e mori stafetën e liderit  mbarëkombëtar. Nëse Berisha ishte rrëzuar si kryeministër para një viti, tashmë Rama e rrëzoi edhe si lider nacionalist Berishën. Edi Rama e kaloi provimin si një lider mbarëkombëtar dhe me sukses. Ai tashmë ka nevojë të rikthehet në çështjet e brendshme të Shqipërisë, sidomos në anën ekonomike. Siç përmendëm në hyrje të shkrimit, ka bërë në këto 14 muaj qeverisje disa gjëra të guximshme, por duhet që ekonomia të ndryshojë më shumë. Ka lëvizur, por do një dorë të fortë kryeministrore, pasi nga ekonomia vjen edhe fuqia politike, ekzekutive dhe ajo e Liderit mbarëkombëtar.

Edi Rama u nis për në Beograd si Kryeministër dhe dje u kthye në Tiranë si Lider. Por është fillimi! Përpara ka shumë lumenj dhe përrenj me “cungje” që duhen kapërcyer. Të presim e të mos ngutemi!

Alban Mati

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Më shumë nga Editorial

Më shumë nga Editorial

Lajmet e Fundit

Te Fundit