Home KRYESORE Rama nis fush...

Rama nis fushatën. Basha: S’ka zgjedhje

43
0

Vendi është në krizë politike prej gati një muaj. PD ka ngritur çadrën para Kryeministrisë dhe deklaron se nuk do të lëvizë që andej pa qeveri teknike. Dhe se nuk do ketë zgjedhje parlamentare pa këtë kusht-thotë Basha. Parlamenti prej 26 ditësh është bojkotuar nga opozita. Reforma në drejtësi, po ashtu është bllokuar dhe nuk dihet se kur do të rinisë. Për reformën zgjedhore, për momentin, as që flitet fare si çështje e axhendës politike edhe pse zgjedhjet janë vetëm 95 ditë larg.

Shkarkimet e 4 ministrave në kabinetin “Rama” u duk se do të qetësonin situatën dhe do zbusnin opozitën. Në fakt, për katër ditë tensionet në qeveri shkaktuan vetëm zhurmë në koalicion dhe në opinionin publik, por nuk ndryshuan asnjë qëndrim nga PD-ja. Çadra vijon të jetë ende në shesh dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha vazhdon të thotë të njëjtat kërkesa, sipas tij, të panegociueshme. Kërkesa që Basha i përsëriti edhe dje në takimin me disa ambasadorë të BE-së; qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.

Ndërkohë që kriza është në qendër të politikës dhe Tiranës, Partia Socialiste ka shpallur tjetër axhendë. Edhe pse jo zyrtarisht, Kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste kanë nisur fushatën elektorale. Sinjali i parë u dha që ditën e diel nga Kryeministrit Edi Rama, kur teksa njoftoi ndërrimin e ministrave në Facebook, deklaroi se “gjithë socialistët duhet të ngrihen në këmbë për hapur siparin e betejës se re elektorale”. Këto ditë të Kryeministrit Rama kanë qënë vetëm në funksion fushatës elektorale. Të hënën inauguroi investimet e reja në pavionin e kirurgjisë në spitalin “Nenë Tereza”. Takimi, përveçse shërbeu për prezantimin e ministres së re të Shëndetësisë, ishte dhe vënia në dukje e investimeve në shëndetësi si pika kryesore e fushatës së Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme. Rama edhe pse largoi ministrin Beqaj e cilëson shëndetësinë si një nga sektorët ku janë kryer reforma më të mëdha. Si pjesë e axhendës së fushatës ishin dhe aktivitetet e zhvilluara dje gjatë “Ditës së Verës”. Fillimisht në Tiranë, në prezantimin e Pazarit të Ri, Rama nuk u dal vetëm tek investimi i Bashkisë, por në tërësinë e reformave që sipas tij ka kryer qeverisja e Partisë Socialiste. Ndërkohë, nga Tirana Kryeministri udhëtoi drejt Elbasanit, njësoj si në një ditë fushate, ku përveç pjesëmarrjes në festë lëshoi dhe kritikat e radhës ndaj Partisë Demokratike dhe bllokimit të reformës në drejtësi.

Në retorikën dhe fjalimet e Kryeministrit tashmë flitet vetëm për reforma të realizuara dhe projektet e premtimet që do të realizohen gjatë mandatit të dytë të Partisë Socialiste. Kryeministri ka nisur fushatën njëlloj si në një situatë normale me inaugurime dhe premtime, ndërsa përmend çadrën e PD-së vetëm për efekt krahasimi dhe humori.

Ndërkohë çadra dhe kriza politike vijojnë të jenë para zyrës së tij. Takimet e fundit të kreut të PD-së me ambasadorë e gjithë vendeve të BE-së këto ditë janë pritur me interes si mundësi për negociata apo ulje mes palëve. Por vetë Basha nuk ka lënë asnjë hapësirë për Pazar, teksa pas çdo takimi rikonfirmon kushtin për qeveri teknike ose zgjedhje nuk do të ketë fare në 18 qershor. Ish-kryeministri Sali Berisha dje ishte dhe më i ashpër me Kryeministrin Edi Rama duke i kërkuar të largohej ose demokratët “do të krehin me lecka”. Në këtë situatë me bojkot dhe kërcënime, nuk dihet ende sesi mundet mazhoranca e vetme të shkojë në zgjedhje.

Aq më tepër mesazhet e ndërkombëtarëve duket se e kanë lënë zgjidhjen e krizës në dorë të partive shqiptare. Ministri i Jashtëm i Italisë, Anxhelino Alfano, vendi i të cilit ka rolin e kujdestarit të rajonit për procesin e integrimit në BE, dje deklaroi se nuk do të ndërhynte të çështjet e brendshme të Shqipërisë.

Rama ka nisur fushatën elektorale, kurse Basha thotë se zgjedhje nuk do të ketë pa qeveri teknike zgjedhore. Nëse njëra palë nuk tërhiqet, ose nëse të dyja palët nuk lëshojnë diçka nga qëndrimet e tyre, kush do t’a shmang krizën dhe përplasjen?

Që të dy, Rama dhe Basha, po shkojnë me kokëfortësi drejt përplasjes finale. Më mirë duhet të tërhiqet i forti dhe pushtetari për gjetjen kompromisi në emër të shtetit dhe stabilitetit.Në Tiranë kacafyten PD dhe PS, kurse lideri i LSI dhe kryetari i Parlamentit vazhdon takimet e nivelit të lartë në Finlandë. Ilir Meta duhet të ndërhyjë, sa nuk është vonë, në gjetjen e një të “mesme të artë”.

Q. Xhani

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit