Home Intervista Pse u mbyllën...

Pse u mbyllën dosjet e korrupsionit në Ministrinë e Mbrojtjes?

7
0

Nga Skënder Minxhozi*

Zonja Kodheli, cilat janë përshtypjet tuaja si ministre e mbrojtjes, pasi keni konsumuar tashmë vitin e parë në detyrë?

Mund të them pa droje se më duket sikur kanë kalur vetëm pak ditë nga hyrja ime në zyrën e ministrit të Mbrojtjes dhe mendoj se ka një arsye pas. Shumllojshmëria dhe diversiteti i çeshtjeve me të cilat jam marrë dhe merrem, përgjegjësitë dhe problematikat, volumi i punës dhe intensiteti janë kaq të mëdha, sa e bëjnë vitin të duket javë. Por përtej kësaj ndjesie, përshtypjet e mia jane tejet pozitive dhe eksperienca që kam marrë është jo një eksperiencë që vjen për shkak të një pune “të zakonshme”, e ketu nuk kam parasysh faktin pse unë bëj ministrin, por sepse bëj ministrin e Mbrojtjes.

 Cilat janë sfidat kryesore që kalon sot ushtria shqiptare?

Sfidat janë të shumta. Jo vetem sepse detyrimet e saj janë kushtetuese dhe ato të një vendi anëtar të Aleances, por edhe sepse ushtria shqiptare kishte kohë që kishte humbur busullën e drejtimit, pasi drejtimi i gabuar kishte bërë që ajo të humbte dite pas dite dinjitet, profesionalizëm, aftësi, terren. Ndaj sfidat e saj ishin, janë, të shumta: rritja e profesionalizmit të saj nëpërmjet një shkollimi, edukimi e trainimi më të mirë; rritja e dinjitetit të saj nëpërmjet luftës ndaj korrupsioni, që deri dje ishte ngritur në sistem, nëpërmjet trajtimit të barabartë brenda saj dhe respektimit të vlerave dhe rezultateve; lufta me mentalitetet dhe paragjykimet; mungesat për një mbështetje më të madhe, qofte kjo materiale apo morale, ndaj atyre që venë në rrezik edhe jetën shpesh herë.

Për të mos harruar më tej një supersfidë: atë të të qenit në të njëjtin nivel njohurish, shkollimi, trainimi, trajtimi e rezultati, me kolegët e vendeve shumë herë më të zhvilluara se Shqipëria, kolegët e vendeve të NATO-s, pa harruar përmbushjen e pritshmërive që shoqëria shqiptare ka ndaj forcave të armatosura.

 

 

 

Ju keni çuar në prokurori një dosje me akuza ndaj paraardhësit tuaj, të cilën prokuroria e Përgjithshme e ka mbyllur. Ndërkohë kryeprokurori ka aluduar se ajo që ju pretendoni, nuk mjaftonte për nisur një proces penal ndaj ish-ministrit Imami. Cilat janë komentet tuaja?

Më lejoni të jem pak më e saktë – nuk është një dosje, janë shumë. Disa të mbyllura e disa në proces. Duke qenë se ato dosje janë hartuar si pasojë dhe rezultat i gjetjeve të inspektimit të brendshëm dhe auditimit në Ministrinë e Mbrojtjes, mendoj që në të gjitha rastet duhet të mjaftonin për të nisur një procedim penal, ndaj kujtdo që ishte përgjegjës. Prokuroria nuk përjashtohet dhe as është e imunizuar nga një sistem me probleme të mëdha siç është sistemi gjyqësor apo në përgjithësi shteti i së drejtës. Përkundrazi. Ka raste të mbylljes së dosjes pa u hapur, ka raste kur për të njëjtin abuzim, për ekzaktësisht të njëjtën çeshtje, dy njerëz të ndryshëm procedohen ndryshe: njërit i mbyllet çeshtja (çuditërisht atij më “të shkathtit”) ndërsa për tjetrin vazhdon procedimi; ka raste kur shkelja e Kushtetutës dhe degjenerimi i misionit kushtetues të Forcave të Armatosura, konsiderohet pak ose aspak i dëmshëm, ose ka raste kur gjërat zvarriten prej një viti, por ka edhe raste kur prokurorët dijnë dhe duan ta bëjnë punën, siç ligji dhe morali e kërkon.

Kanë kaluar disa muaj nga incidenti i avionit me drogë që zbriti në plazhin e Divjakës. Si e kujtoni atë ngjarje sot, kur ka rënë Lazarati dhe kur qeveria ka hapur një front të gjerë ndaj kultivuesve të narkotikëve në vend?

Nuk dua t'i rikhthehem kësaj historie. Të gjithë e kanë parë angazhimin tonë si qeveri ndaj problemit në fjalë. Besoj se personi i duhur për t'u përgjigjur edhe për këtë episod të pakëndshëm, është ministri i brendshëm. Ajo që unë mund të them është se Forcat e Armatosura nuk kanë pasur asfare të bëjnë me ndonjë veprimtari të paligjshme që lidhet me trafikun e drogës.

Në media dhe një pjesë të opinionit publik, ka nisur të qarkullojë dendur emri juaj, si një ndër kandidatët më të mundshëm për garën e bashkisë së Tiranës. A do ta pranonit ju këtë sfidë, nëse shumica do të vendoste për emrin tuaj?

Është e vërtetë që kohët e fundit më bëhet shpesh kjo pyetje, sidomos në media. Unë kam të njëjtën përgjigje dhe do ndaj edhe me ju të njëtin qendrim. Mendoj se ky është një vlerësim që më bëhet mua si person dhe karrierës time politike e profesionale. Eshtë një besim që njerëzit që punojnë me mua apo që më njohin, e kanë. Por unë i mbetem të njëjtit opinion: karriera ime më shumë se 5 vjecare në bashkinë e Tiranes dhe në prefekturë, më ka ndihmuar të rritem profesionalisht dhe politikisht. Jo pa modesti them se kam lënë gjurmët e mia në punët e qytetit ku jam lindur e rritur dhe jam tejet krenare për rezultatet. Ndërkaq, karriera politike dhe besimi që më është dhënë, më bën sot të mbaj një ndër portofolet më të rëndësishëm qeveritarë. Kam një reformë sa te thelle aq dhe delikate per te çuar në fund dhe një premtim të bërë me dorën mbi Kushtetutë, për të mbajtur. Besoj se kaq mjafton për t’i dhënë jetë idesë, se një i ri apo pse jo një zonjë tjetër, mund të jetë kandidat më i mirë i mundshëm për garën e bashkisë së Tiranës.

Meqë jemi tek bashkia, ku ju keni qenë numri dy kohën kur atë e drejtonte Edi Rama, si e komentoni mandatin e deritanishëm të Lulzim Bashës?

Do mundohem t’i përgjigjem pyetjes tuaj jo si Mimi ministre, as si Mimi ish-nënkryetare bashkie, por si Mimi qytetare e Tiranës. Mua me Tiranen më lidh çdo gjë. Çdo herë e parë është e lidhur me të: është qyteti ku babai im ka lindur, ku unë kam lindur dhe djali im ka lindur, por është edhe qyteti që ka mirepritur shumë e shumë të tjerë që nuk e kanë pasur këtë shans. Pse Tirana është me zemër të madhe e i takon të gjithëve. Por Tiranën duhet ta respektosh, ta duash, ta mbash pastër, të mos e dhunosh, të mos e gënjesh, e aq më pak akoma të mos e keqpërdorësh. Përndryshe ajo të flak. Dhe e bën këtë pa krisma. Di ta bëjë me mençuri dhe elegancë. Ndaj nuk ka sesi të mos e tregojë veten edhe këtë herë.

Vendi ynë ofron kontribut me trupa ushtarake në disa misione të rëndësishme në vende të ndryshme të botës. Si u përgjigjeni kritikëve që thonë se, para se të ofrohet siguri për vendet e treta, duhet të ofrohet siguri brenda vendit, duke luftuar krimin, korrupsionin dhe trafiqet?

T’ju them të drejtën nuk është se kam degjuar ndonjehere kritika te kesaj natyre. Pra nuk është se kam dëgjuar të thonë se pse ne kontribuojmë me misione jashtë, kur duhet të merremi me sigurinë brenda vendit. Megjithatë preferoj të ndalem pak në përgjigjen e pyetjes tuaj. Që në momentin që Shqipëria u anëtarësua ne NATO ndryshoi koncepti dhe mënyra e mbrojtjes së vendit. Sot, mbrojtja qe i ofrohet vendit tone është ajo kolektive dhe kur them kolektive, kam parasysh aleatët tanë.

 

Ndaj të qenit bashkarisht në operacione është tamam ajo qe kerkohet. Ne mbrojme qe te na mbrojne. Së dyti, historia  na mëson se në ditët e sotme pasiguria e një vendi që mund të duket larg teje, madje shume larg, mund të jetë edhe pasiguria jote, kërcënimi që vjen nga nje vend i larget per nje aleat tendin, është edhe kërcënim per ty. Ndaj kontributi qe ne japim ne arenen nderkombetare është me shume se mision, është vete siguria per qytetaret tane dhe vendin. E megjithatë kjo nuk do të thotë se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë nuk janë aty sa herë që e kërkon nevoja, në mbështetje të luftes ndaj krimit, korrupsionit apo trafiqeve. Madje ndonje media krejt abuzivisht është “shqetesuar” per mbështëtjen që ne i kemi dhene forcave të rendit, në luftën e tyre ndaj trafiqeve dhe krimit. T’ju them të drejtën, kjo gje vetëm na e ka forcuar akoma më shumë bindjen se jemi në të drejtën tonë, sa ligjore aq edhe morale, në raport me shtetin dhe shoqerinë.

Çfarë eksperience është, në rrafshin politik, të qenit ministër mbrojtjeje i një vendi anëtar të NATO-s?

Pa ndrojë mund te them se jam e privilegjuar. Shqiperia ulet ne nje tryeze dhe merr, bashke me aleatët e saj, vendime  të rëndësishme për fatet e sigurisë botërore. Dhe këtë e bën nëpërmjet ministrave të saj të mbrojtjes apo të jashtem. Ministerialet e NATOs janë një eksperiencë e qenësishme politike. Marrëdhëniet dypalëshe janë një tjetër eksperiencë e madhe. Aktivitetet brenda dhe jashtë vendit, vizitat, misionet, iniciativat rajonale, operacionet ushtarake, shkëmbimet dhe të punuarit me afër se çdo instrument tjeter shtetëror me partnerët ndërkombetarë, e bën eksperiencën tënde të pasurohet çdo ditë, por edhe të vihet në provë çdo ditë.

Opozita ndodhet prej muajsh jashtë Kuvendit. Si e komentoni mënyrën sesi PD është sjellë politikisht pas 23 qershorit?

Unë kam vene shumë nota gjatë periudhës që kam qenë pedagoge në universitet, por nuk me ka pelqyer asnje here të ngel dikë në klasë, ndaj nuk po e bej as këtë here. Mendoj se ka disa probleme me opozitën sot. Më së pari, pas 23 qershorit, opozitës i mungoi guximi, dëshira dhe forca për të reflektuar mbi rezultatin që mori në zgjedhje, pse jo për të kërkuar edhe falje. Dhe ketu nuk e kam fjalen për emra apo persona. E kam fjalën per proces dhe reflektim.

Opozita duhet ta gjente arsyen e humbjes vetëm dhe vetëm tek vetvetja, tek mënyra se si kishte qeverisur në tetë vite, gabimet që kishte bërë, korrupsionin që i kishte zënë sytë, shkëputjen nga realiteti, mosmbajtjen e premtimeve, mungesën e reformave, dhunën që kishte ushtruar ndaj opozitës së atëhershme, kapjes së institucioneve, humbjes së besimit brenda vetes, sidomos ndaj lidershipit e shumë të tjera.

Së dyti, mosbërja e kësaj analize dhe mungesa e reflektimit, bëri që opozita e sotme të kalonte në një proces të ashtuquajtuar reformimi, në daçi quajeni edhe zgjedhor, sa të gënjeshtërt, aq edhe në mungesë të plotë procedurash e demokracie. Ky ishte gabimi i dytë që bëri. Dhe ç’është më e keqja, këtë e bëri në emër të të rinjve dhe frymës së ndryshimit. Së treti, opozita mendoi dhe mendon se format e konsumuara tashmë nga opozita e dikurshme, do të kishin sukses edhe për ta. Mungesa e fantazisë dhe shterpësia i ka lënë në një qoshe të politikës, pa mundur të bëjnë protagonistin opozitar. Gjithsesi unë mendoj se PD është akoma në kohë për të reflektuar drejtë, i ka njerëzit brenda vetes, i ka dhe mundësitë. Vetëm se nuk mund ta ngrejë politikën e re opozitare as mbi perbaltje, as mbi shpifje, as mbi dhunë e as mbi injorancë. Nëse do të ishte kështu, e ka të humbur betejën pa e nisur.

 

 

 

Serbia është ankuar, përmes ministrit të jashtëm Daçiç, se Shqipëria është bërë pengesë në procesin e afrimit të Beogradit me Aleancën Atlantike. Cili është reagimi juaj?

Shqipëria bashkë me një vend tjetër anëtar të NATO-s kanë kërkuar sqarime lidhur me një dokument të detyrimeve të përvitshme që Serbia ka ndaj NATO-s. Pyetjet dhe sqarimet që kemi kërkuar janë normale dhe kërkojnë kohën e tyre. Shqipëria për asnjë moment nuk do të bllokojë rrugën e askujt për në NATO. Por a duan vërtetë disa vende të anëtarësohen në Aleancë?!

 

 *JAVA

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit