Home Bota Presidenti mo...

Presidenti moldav vihet në lojë pas shakasë së Putin

5
0

Kritikët i vunë presidentit pro-rus të Moldavisë, Igor Dodon nofkën si “ushtari i Carit” pasi presidenti rus Vladimir Putin bëri shaka në kurriz të tij në një samit në Moskë.

Nga Ana Maria Touma

Presidenti pro-rus i Moldavisë, Igor Dodon, është bërë objekt talljeje nga politikanët kundërshtarë dhe nga mediat në Kishinau, pasi presidenti rus Vladimir Putin foli për të në Shën Petërburg, ku kreu moldav i shtetit ishte të shtunën për të marrë pjesë në Samitin Ekonomik Euroaziatik.

Kur një gazetar në samit e pyeti kryeministrin indian Narendra Modi nëse ai beson se Federata Ruse ndërhyri në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, ishte Putin ai që u përgjigj.

“Pyet Dodonin. Ai e di më mirë,” tha Putini dhe Dodoni buzëqeshi.

Shaka lidhet me tiranin rus Ivan i Tmerrshëm, i cili sa herë që mërzitej përgjigjej: “Pyete bufonin tim, ai e di më mirë”.

Mediat dhe analistët moldavë reaguan me kritika ndaj Dodon, pavarësisht nga përpjekjet e presidencës për të minimizuar incidentin.

Analisti politik Petru Bogatu shkroi në faqen e tij në Facebook se Dodon po përdorej si “bufoni i carit” nga “ky lider i ligë i Moskës”.

“Palaçoja Igor Dodon më në fund gjeti vendin e tij në histori dhe askush nuk mund t’ia marrë këtë. Mandati i tij presidencial do të përfundojë herët a vonë, por cilësimi si bufoni i carit Putin nuk do të ketë kurrë fund,” tha Bogatu.

Dodoni ka qenë një mbështetës i fortë i lidhjeve më të ngushta me Federatën Ruse dhe në fushatën e tij elektorale të vitit 2016 ai premtoi të dalë nga marrëveshja tregtare e Moldavisë me Bashkimin Europian dhe të bashkohet me Unionin e Euroazisë të kryesuar nga Putini.

Që kur mori detyrën në dhjetor 2016, presidenti moldav e ka takuar Putinin disa herë.

Sidoqoftë, në takimin e tyre të parë në janar, Putini e la të priste në paradhomën e tij për tre orë para se ta pranonte.

Putini i dha Dodonit dhuratë një hartë të Moldavisë historike të vitit 1790, përpara se të bashkohej me Rumaninë. Dodoni ia prezantoi atë shtypit, duke e ngatërruar për një hartë të Moldavisë të vitit 1812, pas Luftës Ruse-Turke, kur Perandoria Osmane ia dha Besarabinë, Moldavinë e sotme, Perandorisë Ruse.

Dodon ishte gjithashtu i vetmi kryetar shteti nga ish-republikat sovjetike në Komonuelthin e Shteteve të Pavarura, që i qëndroi krah Putinit në Paradën e Ditës së Fitores të 9 Majit, ku u shënua fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Dodoni pati një takim privat me Putinin të premten gjatë forumit të Shën Petersburgut, i pesti takim që kur është bërë president.

Në faqen e tij në Facebook, ai tha se i kërkoi falje Putinit për vendimin e qeverisë në Kishinau për të dëbuar pesë diplomatë rusë javën e kaluar.

Ai tha gjithashtu se Putini premtoi se nuk do të ketë probleme të mëtejshme për këtë veprim.

BIRN

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Më shumë nga Bota

Më shumë nga Bota

Lajmet e Fundit

Te Fundit