Home KRYESORE Petrit Vasili...

Petrit Vasili: E pafalshme! Kapja rilindase ktheu reformën në drejtësi nga iluzion në deluzion

12
0

Nga Petrit Vasili

Kapja rilindase ktheu reformën në drejtësi nga iluzion në deluzion!!
Mijëra e mijëra qytetarë presin prej vitesh drejtësinë që ajo të shprehet për mijëra dosje!
Reformë e vërtetë dhe reale në drejtësi është ajo, që u jep përgjigje në kohë dhe me kualitet ligjor të lartë çështjeve që qytetarët duan të zgjidhin me drejtësinë!
Çdo ekzaltim i rremë për një reformë në drejtësi që gjoja “ecën përpara”, është thjesht një propagandë bajate, që vetëm i largohet zgjidhjes së çështjeve të mijëra qytetarëve me drejtësinë si edhe është gjithshtu një mesazh shumë negativ pikërisht kundër tyre.
Mijëra qytetarë po ikin nga kjo jetë pa mundur të shohin as prekjen me dorë të dosjeve të tyre dhe kjo është një e vërtetë tepër e rëndë.
Shifrat dhe faktet janë aty dhe kokëfortë, kush i anashkalon apo bën qëllimisht sikur nuk i sheh u kundërvihet haptas qytetarëve shqiptarë.
Çdo zgjidhje artificiale për një trajtim të përciptë dhe të nxituar të dosjeve vetëm sa për ndryshuar sado pak statistikat e rënda është antidrejtësi.
Kërkohet urgjentisht, që këto shifra katastrofike të shihen në sy dhe të gjendet një zgjidhje reale, që kurrën e kurrës nuk do ti binte ndesh cilesisë së gjykimit të tyre dhe të dhënies së drejtësisë.
Qytetarët janë shumë të zhgënjyer dhe pesimistë pasi shohin qartë që zgjidhja e problemeve të tyre me drejtësinë është tepër larg dhe në vend të përgjigjeve konkrete dëgjojnë slogane dhe klishe propagandë të pështirë.
Gjykata që kanë me pak se gjysmën e gjykatësve, 14 mijë dosje vetëm në Gjykatën e Apelit, 30 mijë dosje në Gjykatën e Lartë e cila ka vetëm 7 gjyqtarë nga 19, çështjet në shqyrtim janë ato të vitit 2016 janë vetëm disa fakte nga tabloja thellësisht dramatike me sistemin aktual të drejtësisë.
Të gjithë qytetarët pas pesë vitesh prisnin dhe shpresonin për një situatë rrenjësisht të ndryshme nga ky realitet i hidhur.
Kapja e Reformës në drejtësi është shkaku i vetëm për kaosin dhe deluzionin e qytetarëve dhe autori dhe fajtori i vetëm për këtë kapje është rilindja, Rama dhe kushdo që i mbështeti ata.
Pas pesë vjetësh shumë të çmuara të reformës së miratuar në 21- 22 korrik 2016 nuk ka asnjë hap përpara, por shumë hapa pas, hapa të cilët e kanë çuar drejtësinë në udhëkryqin më të rrezikshëm të saj.
Është e pafalshme, që reforma në drejtësi për mijërat e qytetarëve shqiptarë të kthehej nga iluzion në deluzion!
Lexoni analizën e juristit të mirënjohur Bledar Dervishaj!
“Disa fakte për të kuptuar realitetin se si është gjendja e sistemit gjyqësor sot”
1. Gjykata e Apelit Admimistrativ sot ka 8 gjyqtarë, nga 13 që duhet të kishte sipas organikës. Sot në këtë Gjykatë shqyrtohen çështje të vitit 2016, pra të atyre njerëzve që halli me shtetin apo nga shteti i ka zënë 5 vite më parë. Sipas ligjit, shqyrtimi në Gjykatën Administrative duhet të përfundojë 30 ditë pas administrimit të ankimit, ndërkohë që mosmarrëveshjet e qytetarit me administratën për vendimet e saj shtohen përditë.
Llogaritë më mirë mos të fillojme t’i bëjmë, se do na vdesë dhe ajo fija e fundit e shpresës.
2. Gjykata e Apelit Tiranë sot ka vetëm 9 gjyqtarë, nga 31 që duhet të kishte sipas organikës. Edhe në këtë Gjykatë shqyrtohen çështje me vite vonesë (2016) dhe ka shumë probleme me formimin e trupave gjyqësore. Ka 14 000 dosje që presin gjykimin.
3. Gjykatat e Apeleve në Rrethe funksionojnë me numër gjyqtarësh më shumë se të përgjysmuar. Ka Gjykata që nuk formojnë as një trup gjyqësore me 3 anëtarë, ndërkohë që në Gjykatat e Rretheve përditë reduktohet numri i gjyqtarëve për shkak të procesit vetting. Edhe në këto gjykata ka vonesa masive, me vite, në shqyrtimin e çështjeve.
Strategji të qartë dhe realiste për plotësimim e vendeve vakante në këto gjykata me gjyqtarë me eksperiencë nuk ka, apo të paktën publikut nuk i është ofruar.
4. Gjykata e Lartë sot ka 7 gjyqtarë nga 19 që duhet të kishte. Sot në këtë gjykatë çështjet e mbartura vijojnë të jenë mbi 30 000 mijë dhe që datojnë prej vitit 2016.
Mjafton një llogari e thjeshtë dhe të del që edhe kjo gjykatë duhet të ketë në përbërje 30 gjyqtarë që të rikthehet në normalitet për një periudhë 3 vjecare.
Praktikisht të gjitha Gjykatat në vend, nuk kanë numrin e gjyqtarëve që përcakton ligji.
Që të jemi të sinqertë me veten dhe njeri-tjetrin, të gjithë duhet të gjejmë burrërine të ngremë këto pyetje:
1. A janë të vërteta këto fakte? Patjeter që po! Po i vuajmë në kurriz përditë!
2. A konsiderohet kjo, një gjendje suksesi?
Vetëm nëse fjala “sukses” do të ishte e barabartë me fjalën “rri në vend numero”, “blloko”, apo akoma më keq, “kthehu pas”!
3. A kemi sot një sistem gjyqësor funksional dhe që jep drejtësi në kohë?
Funksionaliteti nuk është të kesh nja dy veta brenda institucioneve të hapin e mbyllin dyert, pas dosjeve që mbahen stok me vite.
4. Kur do të jetë ai vit (????) që këto gjykata do shqyrtojnë me koherencë dhe brenda një afati të arsyeshëm? Edhe sa 5-vjecar duhet të presim?!!
5. Pse gënjeshtra nuk i ka këmbët aq të shkurtra kur gënjen një i huaj ? Pse gënjeshtrat në gjuhë të huaj i tresim kollaj ne shqiptarët?
Ku e di unë…mos vallë është çështje keqpërkthimi!
Do jetë faji i përkthyesit me siguri, jo i të huajit!
Kur zgjedh të thuash të vërtetat, të pakten je mik i popullit tënd, dhe i del përballë, atyre që duan ta sundojnë e ta mbajnë të përgjumur atë!
Unë zgjedhjen time e kam bërë. Jam me të vërtetën, jo me gënjeshtrën, jo me hipokrizinë. Ndaj edhe më shumë akoma nuk honeps, aheng-xhinjtë, që duartrokasin gënjeshtarin, sesa vet këtë të fundit.
Secili që do të jetoj me nder, nuk duhet të rreshti së thëni të vërteta. Dhe të tillë njerëz, me integritet, shoqëria jonë ka plot. Ndaj kam zgjedhur të jem me ta, në anën e së vërtetës.
E vërteta shëron shpejt, hipokrizia dhe gënjeshtra të mbajnë gjithëmonë në agoni pa fund.

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit