Home Forum Ndryshime në ...

Ndryshime në politikën gjermane ndaj drogës?

28
0

Teorikisht presidenti amerikan Barack Obama lejohet të mbjellë në Shtëpinë e Bardhë deri në gjashtë rrënjë marihuanë, për të dredhur një joint për vetë dhe të ftuarit e tij. Qytetarët kanë vendosur me një referendum në fillim të nëntorit për ta legalizuar marihuanën në kryeqytetin Uashington. Të njëjtën gjë vendosën votuesit edhe në Alaska dhe Oregon. Në Colorado dhe Washington State kanabisi është krejtësisht i lejuar që nga fillimi i nëntorit 2012, së bashku me mbjelljen dhe tregtimin. Guardiani britanik njofton se në Colorado marihuana sjell më shumë taksa se alkooli, pa shkaktuar atje përmbysjen e botës.

Në mbarë botën shtohen zërat, që bëjnë thirrje për një politikë tjetër ndaj drogës, sepse e ashtuquajtura luftë kundër drogës ka dështuar haptazi. Edhe në gjermani ka zhvillime në debatin për një qëndrim tjetër ndaj drogës. Në filim të javës në një konferencë mbi këtë temë në Frankfurt mbi Main u pa qartë se ekziston një konsens i gjërë: ekspertë për varësinë nga droga, mjekë, juristë dhe policë ishin të një mendimi: Ligji penal nuk është mjeti i duhur. Përdorimi vetjak i kanabisit nuk duhet dënuar. E ngarkuara për shëndetësinë në Frankfurt bëri të ditur një projekt pilot.

Ligji përkatës antikushtetues?

Lufta kundër abuzimit, edhe me droga të buta, aktualisht bëhet me ligjin për mjetet anestezike. Juristi nga Bremeni Lorenz Bollinger e konsideron këtë ligj, i cili përfshin edhe ndalimin e kanabisit, antikushtetues. Në një intervistë me Deutsche Welle Bollinger tha se ligji për lëndët narkotike nuk është as i përshtatshëm, as i nevojshëm, as në proporcion me rastin, pra me rrezikun e një dëmi nga përdorimi i drogës. Këto kushte duhet të plotësohen, nëse shteti ndërhyn me ligje në të drejtat e qytetarëve.

Sipas profesorit të drejtësisë nga Bremeni ligji për lëndët narkotike këtu ka një efekt kontraproduktiv: "Ai dëmton popullsinë, sepse blerja e drogës bëhet përmes strukturave kriminale, sepse të rinjtë, të cilët nuk janë me të vërtetë kriminelë, janë të stigmatizuar, të kriminalizuar dhe shtyhen në një karrierë kriminale". Abuzimi me drogat mund të parandalohet shumë më mirë me mjetet preventive, se sa me zbatimin e ligjit. Bollinger nuk është i vetmi jursit gjerman, i cili ka këtë bindje. Që para një viti më shumë se gjysma e profesorëve gjermanë të së drejtës penale kanë nënshkruar një rezolutë, që kërkon shqyrtimin e ligjit të lëndëve narkotike..

E ngarkuara për drogat: Legalizimi sinjali i gabuar

E ngarkuara e qeverisë gjermane për drogat, Marlene Mortler, kundërshton legalizimin e përgjithshëm të kanabisit. Duke iu përgjigjur pyetjeve të Deutsche Welles Mortler shkruan: "Kjo do të jepte një sinjal të gabuar dhe do ta paraqiste si të parrezikshëm konsumin." Mortler thotë se nuk sheh ndonjë kthesë në SHBA pas referendumeve të nëntorit. Megjithatë e ngarkuara e qeverisë gjermane për drogat dëshiron të lejojë më fort përdorimin e kanabisit si ilaç për pacientët e sëmurë rëndë. Efekti i tij është provuar për shembull te skleroza multiple. Ai përdoret për trajtimin e anoreksisë në kuadër të terapisë kundër kancerit, ose sidës, dhe në terapinë kundër dhimbjes.

Qëndrimi i Mortler pasqyron qëndrimin e shumicës në shoqërinë gjermane. Një sondazh i Infratest dimap, me porosi të shoqatës gjermane të kanabisit, e cila angazhohet për legalizimin e kanabisit, arriti tani në përfundime interesante: Më shumë se 80 % e të pyeturve janë për lehtësimin e rrugëve të sigurimit në rast sëmundjeje. Gjithashtu me shumë se 80 % bëjnë një bilanc negativ të luftës globale kundër drogës. Por deri tani në Gjermani nuk ka ende një shumicë për legalizimin e kanabisit. Por 30 për qind do ta përshëndeste hapjen e dyqaneve speciale, ku të rriturit mund të blinin kanabis në mënyrë të rregullt dhe të ligjshme.

Spote për kanabisin në kinema

Për Georg Wurth nuk janë të mjaftueshme këto shifra. Kryetari i shoqatës gjermane së kanabisit njofton zhvillimin e një fushate të parë në Gjermani për legalizimin e kanabisit: Nga java e ardhshme në kinematë gjermane do të shfaqen spote për këtë temë. Wurth thotë se "Nuk është reklamën për drogën, apo kanabisin. Ky nuk është synimi ynë. Çështja është: A është ndalimi mënyra e duhur?" Gati gjysmë milioni euro ka vënë në dispozicion shoqata për këtë fushatë. Para, që Wurth i fituar në fillim të vitit në një emision televiziv.

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit