Home Rajoni Mustafa i për...

Mustafa i përgjigjet Hahnit për Tregun Ballkanik: Nuk realizohet pa viza

54
0

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë sot në punimet e Samitit të Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, i njohur si “Western Ballkan 6”, i cili u zhvillua në Sarajevë.

Në takim, përveç kryeministrit Mustafa ishin edhe komisioneri i BE-së për Fqinjësi Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn si dhe kryeministrat e Bosnjës dhe Hercegovinës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Alfano.

Kryeministri Mustafa u prit në hapje të Samitit nga homologu boshnjak, Denis Zvizdiq.

Më pas, kryeministri Mustafa ka marrë pjesë në punimet e Samitit, ku para të pranishmëve ka prezantuar të arriturat e Republikës së Kosovës, si dhe ka shprehur qëndrimet lidhur me proceset e mëtejme eurointegruese të Republikës së Kosovës dhe rajonit.

Mustafa theksoi se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për agjendën e bashkëpunimit rajonal.

“Jemi të interesuar të lehtësojmë bashkëpunimin tonë ekonomik dhe tregtar, të eliminojnë, të thjeshtëzojmë procedurat burokratike dhe të gjejmë rrugët më të përshtatshme për t’u integruar në tregun unik evropian. Synimi i Kosovës është të jetë pjesë e tregut evropian, ndërkaq me vendet e Ballkanit Perëndimor të lehtësoj dhe përparoj bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar. Tregu i përbashkët, për të cilin po insistohet, qoftë ai unik Evropian, apo një treg i Ballkanit Perëndimor nuk mund të funksionojë pa lëvizjen e lirë dhe për Kosovën pa liberalizim të vizave”, tha ndër të tjera kryeministri, duke folur edhe për të arriturat e Kosovës dhe statistikat e tregtisë të cilat konfirmojnë bashkëpunimin rajonal.

Mustafa, më tutje ka folur edhe për ankesat e bizneseve me procedurat shtesë me disa shtete, që krijojnë kosto të reja.

“Konsideroj se bashkëpunimi ekonomik në vendet e Ballkanit Perëndimor është krucial për arritjen e shumë qëllimeve që janë të shtruara në kuadër të procesit të Berlinit”, tha kryeministri, duke kërkuar që t’i jepet përparësi disa prej aspekteve konkrete që lidhen me lehtësimin e bashkëpunimit ekonomik.Më tej, duke folur për bashkëpunimin ndërmjet vendeve të rajonit, kryeministri Mustafa tha se Kosova ka marrëdhënie shumë të mira  me shumicën e vendeve të rajonit, duke folur edhe për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-së.

Ndërkaq, kryeministri Mustafa i është kundërpërgjigjur disa çështjeve që janë ngritur në këtë takim nga kryeministri serb, Vuçiq duke i bërë të qartë se ato janë çështje të brendshme të Republikës së Kosovës dhe se nuk do t’i diskutojnë ato çështje me të.

“Disa çështje që u hapën sot këtu nga Vuçiq, i konsideroj se janë çështje të brendshme të Kosovës, ku Kosova ka legjitimitet të plotë të vendosë, prandaj nuk e shoh asnjë arsye që ato t’i diskutoj këtu me juve”, tha kryeministri Mustafa në samit.

Më tej, kryeministri Mustafa ka folur për agjendën e konektivitetit, për kompletimin e Autostradës 7, që lidhë Shqipërinë me Kosovën dhe Kosovën me Nishin në Serbi, për fazën e avancuara për fillimin e rekonstruktimit të linjës 10 të hekurudhës që lidhë Shkupin-Prishtinën dhe Beogradin, për themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim të të Rinjve, si një impuls i duhur dhe i kohës, që do të krijonte ura të këmbimit dhe bashkëpunimit rinor, për bashkëpunimin në luftën e përbashkët kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

“Më lejoni të konfirmoj qëndrimin afirmativ të Kosovës në drejtim të ndërmarrjes së hapave të nevojshëm për të lehtësuar tregtinë ndërmjet vendeve tona, në frymën e Marrëveshjes së CEFTA-së, në frymën e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, në frymën Evropiane. Aspiratat për të qenë pjesë e familjes së vendeve të Bashkimit Evropian, janë reale dhe legjitime. Ato nuk lidhen vetëm me faktin që ne i takojmë këtij kontinenti, por me substancën se kemi nevojë të jemi në BE por edhe se BE përfiton më shumë me ne në gjirin e saj, sesa me ne si satelit të saj.

Në fund, dua të theksoj se Republika e Kosovës kërkon përkrahje nga ju që selia e Traktatit të Komunitetit të Transportit të caktohet në Prishtinë. Kosova do t’i përmbushë të gjitha detyrimet administrative për këtë”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Pas përfundimit të takimit, është zhvilluar një konferencë për media, si dhe është lëshuar një deklaratë e përbashkët.

Ndërkaq mbrëmë, kryeministri Mustafa mori pjesë në darkën e shtruar për kryeministrat e Ballkanit Perëndimor të pranishëm në Samitin e Sarajevës.

Gjatë takimeve, është diskutuar për proceset eurointegruese të vendeve të rajonit, për bashkëpunimin ndërmjet tyre si dhe për avancimin e bashkëpunimit rajonal përmes projekteve të ndryshme.

Ky Samit, është mbajtur në kuadër të përgatitjeve për Samitin e radhës të përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të BE-së, si vazhdimësi e Procesit të Berlinit, i cili pas Berlinit, Vjenës dhe Parisit, sivjet do të mbahet në Trieste të Italisë.

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit