Home Uncategorized Mallkim popul...

Mallkim popullor, mos ardhsh kurrë viti 1997!

1177
0

 SPECIALE/20 vjet më parë

Nga Nuri Dragoj 

Shqiptarët, në më pak se 6 dekada, janë detyruar të mallkojnë dy vite. Mos ardhsh kurrë/ Se na rrëzove flamur! Kështu e mallkoi populli vitin 1939. Por edhe vitit 1997, iu drejtuan me të njëjtat fjalë: Mos ardhsh kurrë,/ Se le nënat pa djem dhe gratë pa burrë!

Viti 1997 do të mbetet në historinë e Shqipërisë si një vit i tmerrshëm dhe i përgjakshëm, pasi në luftën absurde humbën jetën rreth 3500 të rinj. Ishte armatosur e gjithë popullsia për shkak të rënies së shtetit nga protestat popullore, pas rrëzimit të firmave piramidale, në të cilat shumica e qytetarëve humbën kursimet e tyre. Ishte e çuditshme të konstatohej se si ndryshoi gjithçka brenda disa javësh. Deri në fillim të atij viti, kush kapej me armë, dënohej me burg për “armëmbajtje pa leje”. Por erdhi një ditë e çmendur, kur njerëzit u pajisën me armë, në një kohë shumë të shkurtër, sa të hapësh e mbyllësh sytë. Grupe qytetarësh rendnin drejt reparteve ushtarake dhe merrnin prej andej ç’të mundnin: Kallashnikov, karabina, kundratank, topa, arka me municion, granata, flakëhedhëse, kundërajror, tanke e lloj-lloj armësh.

Kanë kaluar 20 vite nga mallkimi i fundit dhe politika ka ndryshuar fare pak. Shqiptarët kanë mbetur sërish të varfër dhe vazhdojnë të trokasin dyerve të Europës, në emrin e një jete më të mirë, por në fakt përulen thjesht për bukën e gojës. Ata vazhdojnë të ikin e të ikin çdo ditë, çdo muaj e vit, me mijëra. Nëse në fund vitin 1990, popullsia numëronte gati 4 milionë banorë, tashmë në Shqipëri kanë mbetur më pak se 2.5 milionë vetë. Duket sikur janë larguar 1.5 milionë shqiptarë, por në të vërtetë numri është shumë më i madh, pasi nuk janë llogaritur shtesat e popullsisë. Nëse vitet e para largoheshin të gjitha kategoritë e popullsisë, sot duket sikur po ikin më shumë njerëz të ditur, për të cilët nuk ka vend pune, pasi ata nuk dinë t’u afrohen partive, nuk kanë kohë të tepërt të rrinë rrugëve dhe t’u bëjnë fresk politikanëve. Por le të kthehemi edhe një herë 20 vite më parë. Të rikujtojmë çfarë ndodhi atë vit të mbrapsht dhe të reflektojmë secili veças dhe të gjithë së toku, nëse kemi nxjerrë mësime për të mos u përsëritur kurrë më ngjarje të tilla. E që ta bëjmë këtë, le të japim shkurtimisht atë çfarë ndodhi.

Fatkeqësia e tranzicionit, firmat piramidale

Trazirat e vitit 1997, patën si shkak kryesor rënien e firmave piramidale dhe korrupsionin galopant të pushtetarëve. Dëshpërimi i shqiptarëve arriti kulmin dhe populli u ngrit kundër pushtetit, në protesta dhe demonstrata që degraduan deri në hapjen e depove ushtarake të armëve. Në këto rrethana pushteti u dorëzua dhe disa nga qeveritarët ia mbathën jashtë shtetit. Por njerëzit e thjeshtë brenda vendit u armatosën, ndërkohë që bandat e hajdutëve dhe kriminelëve u shtuan. Kjo gjendje krijoi një pështjellim të madh, sepse shqiptarët, përveçse humbën nëpër firmat piramidale kursimet e tyre familjare, tani e tutje rrezikoheshin nga bandat kriminale, që të humbitnin edhe jetën.

Firmave piramidale që mbinë në Shqipëri pas viteve 1990, ende nuk u është venë emri i vërtetë. Dihet vetëm që ato lulëzuan menjëherë, pasi gjetën terren të përshtatshëm, në një popull të papërgatitur. Njohuritë e pakta financiare të publikut në Shqipërinë pas diktatoriale, besimi i njerëzve te kapitalizmi, për të cilin dinin fare pak, por edhe besimi te shteti i tyre, të cilin e shihnin si mbrojtës nga e keqja, bënë që uragani i firmave të mos ndalej. Mjerimi ekonomik dhe izolimi shekullor nxitën mijëra njerëz drejt fitimit të parave pa djersë dhe në kohë të shkurtër.

Firmat e para e filluan veprimtarinë pas vitit 1990, si pasojë e sistemit të dobët financiar. Zyrtarët shqiptarë dhe vëzhguesit e huaj, në veçanti Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), qenë të ndërgjegjshëm për praninë e tregut jozyrtar të huasë në Shqipëri, por parapëlqyen të mos ndërhynin, pasi e panë këtë treg si një përgjigje ndaj mangësive të bankave.

Megjithë rreptësinë e ligjit të bankave, firmat piramidale u lejuan të vepronin, pasi e paraqitën veten si firma prodhuese. Për çudi, ato u lejuan nën Kodin Civil dhe nuk iu bindën Ligjit për Bankat, edhe pse po ndërmerrnin veprime bankare, nëpërmjet pranimit të depozitave. Madje këto “fantazma ekonomike” u lejuan të depozitonin dhe të tërhiqnin paratë e tyre në bankat shtetërore, pa pasur mbikëqyrje nga shteti, i cili kishte preferuar të heshtte. Ministria e Drejtësisë nuk pranoi të shprehej mbi këtë çështje, sepse firmat kishin bekimin e qeverisë.

Sportelet vdekjeprurëse

Sportelin e parë të thithjes së parave me fajde e nisi Sudja, që u krijua në vitin 1993 nga Maksude Kadëna, një punëtore e fabrikës së këpucëve dhe funksionoi gjysmë-ilegale deri në vitin 1996. Dy javë para zgjedhjeve elektorale, ajo u regjistrua në gjykatë, në të njëjtën zyrë ku qenë regjistruar firmat Xhaferri dhe Populli.

VEFA Holding ishte firma kryesore piramidale, që u krijua në vitin 1994 nga Vehbi Alimuça dhe u shtri në gjithë vendin. Ajo investoi në fusha të ndryshme të ekonomisë si hotele, karburante, dyqane dhe fabrika. Disa javë para zgjedhjeve të 26 majit 1996, u bë atentat me bombë te supermarketi i VEFA-s, në qendër të Tiranës, për të cilën nuk u identifikuan as autorët dhe as shkaku i një sulmi të tillë.

Populli u krijua më 16 korrik 1996 dhe u shtri kryesisht në Tiranë, Durrës, Lushnjë, Kavajë, Fier e Berat, në të njëjtat zona si edhe “Xhaferri”. Presidenti i saj ishte Bashkim Driza, për të cilin thuhej se bashkëpunonte me parti politike, madje financonte edhe gazeta.

Muajt e parë të vitit 1996 u hapën disa firma të reja, duke e çuar numrin e tyre në 24. Deri atëherë tregu mbizotërohej nga firma të mëdha si VEFA, Gjallica e Kamberi, të cilat kishin edhe veprimtari të vërtetë ekonomike. Në të kundërt, Xhaferi, Populli dhe Sudja, që po rriteshin me shpejtësi, afruan interesa më të larta se firmat më të vjetra, por pa pasur veprimtari ekonomike. Rritja e numrit të firmave çoi në rritjen e interesave, të cilat arritën në nivele të larta. Në nëntor të atij viti, firma rentiere Xhaferri, afroi 44% interesa në muaj.

Shteti i raportonte FMN-së rritje ekonomike, por në të vërtetë ajo qe produkt i hyrjes së parave nga emigrantët dhe jo nga rritja e prodhimit. Zyrtarë të huaj përmendnin përfshirjen në këto skema të dy krahëve të politikës. Kjo u duk kur firmat i depozituan paratë e tyre në bankat shtetërore, ku interesi i depozitave ishte shumë më i ulët se interesi që duhej të paguanin firmat te huadhënësit. Këto depozita u përdorën nga bankat për të blerë bono thesari, duke financuar në këtë mënyrë borxhin e qeverisë.

Indiferenca e shtetit, shkak i tragjedisë

Gjatë vitit 1996, Fondi Monetar Ndërkombëtar i tërhiqte vëmendjen qeverisë shqiptare, që të paralajmëronte popullin për rrezikun që sillnin firmat piramidale. Por ato nuk bëheshin publike. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë e kishte informuar qeverinë për natyrën piramidale të firmave dhe rreshtonte pasojat që mund të vinin. Megjithatë, qeveria nuk veproi. Drejtori i përgjithshëm i Bankës së Kursimeve këshillonte të bëhej kujdes dhe pohonte se bankat qenë më të sigurta për paratë e qytetarëve.

FMN dhe Banka Botërore i dërguan qeverisë shqiptare një paralajmërim të fortë në muajin gusht të atij viti, dhe pastaj, të njëjtën gjë e përsërisnin çdo muaj. Në tetor, ministri i Financave paralajmëroi publikun për rrezikun e firmave, por thënia e tij u shua shpejt, sepse qeveria nuk e kishte seriozisht ndalimin e atij aktiviteti kriminal.

Presidenti i Shqipërisë në atë kohë, u shpreh në mbrojtje të firmave, duke thënë që ato qenë të ligjshme dhe të suksesshme, madje deklaroi se paratë e shqiptarëve ishin më të ndershmet dhe më të pastrat në botë. Pas kësaj deklarate, mijëra njerëz u sulën drejt firmave piramidale, shitën shtëpitë e tyre, pasuritë personale, madje edhe gjënë e gjallë, në mënyrë që të investonin në këto të ashtuquajtura fondacione, të cilat kishin pak ose asnjë aset. Si të gjithë skemat piramidale, ajo u shemb nga pesha e saj, duke mashtruar më shumë se dy të tretat e popullsisë shqiptare.

Kambanat e alarmit patën rënë, por shteti e kishte të vështirë të frenonte “mrekullinë” që sillte ekonomia e tregut. Nuk kishte asnjë ligj që lejonte veprimtarinë e firmave rentiere dhe shteti kishte menduar të bënte një ligj për mbylljen e tyre!!Tashmë dihet që viti tragjik 1997, qe pasojë e falimentimit të 24 firmave piramidale, të cilat rrëmbyen nga xhepat e shqiptarëve mbi 1.2 miliardë dollarë.

Populli në protestë

Më 15 janar të vitit 1997, Maksude Kadëmi që përfaqësonte firmën Sude, shpalli falimentimin, duke kërkuar që të vinte “kompetenti” dhe të sqaronte njerëzit. “Kompetenti”, një prej funksionarëve të lartë të shtetit, grabiti kursimet e qytetarëve dhe nuk u identifikua kurrë. Kjo i acaroi njerëzit që prisnin në radhë të merrnin paratë, duke thirrur: Duam paratë tona! Policia rrethoi selitë e firmave piramidale. Para tyre shihje njerëz që qanin për të marrë lekët e bukës së gojës, dyndeshin drejt dyerve të firmave, por ato qenë mbyllur. Vehbi Alimuça, president i firmës VEFA bënte thirrje nga televizioni shtetëror për qetësi dhe garantonte kthimin e parave të kreditorëve pasi, sipas tij, kishte marrëveshje me kreditorë të huaj dhe gjithçka ishte normale. Por turma nuk mund të priste.

Protesta e parë që u zhvillua me kërkesa të qarta për zgjidhjen e krizës, ishte ajo e 16 janarit në Vlorë. Më 19 janar u zhvillua në Tiranë një protestë e kreditorëve të Sude-s. Më 24 janar, filloi “de fakto” rebelimi. Ndërkohë u mbyllën Populli dhe Xhaferri. Me mijëra banorë të Lushnjës shpartalluan forcat e policisë dhe dogjën bashkinë e qytetit. Më 22 janar 1997, u arrestua Rrapush Xhaferri, gjë që nxiti demonstratat e dhunshme në Lushnjë.

Më 23 janar 1997, u mbyll aktiviteti i gjithë firmave piramidale dhe u arrestuan 118 vetë. Në Tiranë e rrethe shpërthyen protesta dhe kërkohej dorëheqja e qeverisë Berisha. Më 24 janar u bllokua rruga nacionale në afërsi të qytetit të Lushnjës. Njerëzit kërkonin lirimin e Rrapush Xhaferrit, president i një kompanie piramidale. Zëvendëskryeministri i kohës, Tritan Shehu, shkoi në Lushnjë për të qetësuar qytetarët, por u mor peng prej protestuesve për disa orë.

Makina të policisë goditeshin me gurë. Partia Socialiste shfrytëzoi zemërimin popullor dhe kërkoi zyrtarisht dorëheqjen e Sali Berishës dhe zgjedhje të parakohshme. Përleshjet me policinë u shtrinë edhe në Patos, Korçë, Durrës, Vlorë, Tepelenë…

Më 26 janar u dogj Bashkia e Vlorës, kurse më 27 janar edhe ajo e Peshkopisë. Protestat në fillim ishin ekonomike, por më pas ato u drejtuan kundër qeverisë dhe kundër presidentit Sali Berisha, sidomos në qytetin e Vlorës. Kërkohej dorëheqja e tij me çdo kusht, por ai nuk kishte ndër mend ta bënte një gjë të tillë. Më 28 janar u nxitën mitingje pro presidentit Berisha. Qeveria ndaloi protestat e opozitës dhe atë ditë u dogj selia e Partisë Demokratike në Vlorë. Më 4 shkurt filloi shpërndarja e një pjese të parave të humbura. Shpërndarja e tyre në sportelet e Bankës Kombëtare Tregtare, e zotëruar nga shteti, krijoi efektin e rënies së firmave të tjera, pasi njerëzit filluan të besonin që paratë i ishin vjedhur nga qeveria.

Gjallica mbylli dyert për disa ditë dhe më 5 shkurt 1997 falimentoi, ndërsa në 6 shkurt 1997 rifilluan protestat e dhunshme në Vlorë. Më 9 shkurt në qytetin e Flamurit u sulmua Komisariati i Policisë, ndërsa një ditë më vonë, po në Vlorë, 50 efektivë të forcave speciale sulmohen dhe shpartallohen barbarisht. Ditët në vazhdim ishin ditë tragjike për Vlorën dhe më pas për krejt jugun e vendit.

Më 10 shkurt 1997, studentë të universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë hynë në grevë urie për kërkesa ekonomike. Më 28 shkurt, qeveria e shpalli grevën e studentëve vlonjatë të paligjshme. Populli protestoi dhe, në mbrëmje, u dogj godina e SHIK-ut, madje pati dhe viktima, 9 të vrarë dhe 30 të plagosur. Vlora qe në kaos.

Masakra e Përmetit

Më 9 mars të vitit 1997 banorët e Përmetit dolën në një protestë paqësore, ku populli i bënte thirrje pushtetit të kohës së piramidave, për të larguar trupat e policisë speciale dhe të ushtrisë, të dërguara si “vullnetarë luftarakë” për të shtypur rebelimin e jugut. Përmetarët nuk e pranuan luftën mes shqiptarësh, përkundrazi, respektuan forcat ushtarake, duke u kërkuar në mënyrë paqësore të largoheshin prej atij qyteti, mbasi nuk dëshironin të “derdhin gjak”.

Por në mënyrë misterioze, në atë protestë ndodhi diçka që nuk pritej. Në qendër të qytetit të luleve, me njerëzit më paqësor të trevave shqiptare, u vra kryetari i PD-së së rrethit të Përmetit, Tomor Mullaraj, mësues i gjimnazit të këtij qyteti. Thuhej se qe vrarë në zyrat, ku ishte thirrur një mbledhje. Nuk dihet se nga kush. Trupin e patën lënë të pajetë, në mes të zyrës dhe askush nuk u interesua për të. Kush e vrau? Ende nuk ka përgjigje. Bashkëshortja e tij qëndronte e ngrirë para trupit të të shoqit. Patën hapur dyert e mortit dhe arkivolin e kishim në mes të shtëpisë, kur morën njoftimin se do të sulmohej Përmeti. E lanë arkivolin aty dhe morën rrugët drejt malit. Thoshin se sulmi bëhej që të mbronin qytetin nga pushtimi grek. Plumbat u morën jetën edhe 5 qytetarëve të tjerë, që ndodheshin në protestë, në sheshin e qytetit. Hetuesit hodhën dyshimin se ishte qëlluar me snajper, nga forcat ushtarake të dislokuara ato ditë në Përmet, po kurrë nuk pati autorë. Mullaraj u shpall dëshmor, pasi u sakrifikua në krye të një misioni. Viktima të atij terrori mbetën edhe Efali Theodhori, Kristul Theodhori, Bledar Kasa, Reshat Telhai. Një ditë më vonë u vranë edhe tre persona të tjerë. Gjithçka qe zhytur në errësirë. Atëherë nuk kishte shtet. Po sot? Nëse shteti ekziston pse nuk zbardhen ngjarjet e dhimbshme, me qëllim që të mos përsëriten më kurrë?

 

 

Vrasjet, temë e ditës

Më 11 mars 1997, kryeministri i asaj kohe, Aleksandër Meksi, dha dorëheqjen. Ishte rrëzuar ngrehina e shtetit. Armët ishin sheshit. Zbrazeshin drejt qiellit pa pushim. Breshëri automatikësh, të shtëna topash, luftë e vërtetë. Në disa qytete të Shqipërisë së Jugut qenë krijuar Komitetet e Shpëtimit Publik. Nuk e kuptonim çfarë ishin ato komitete, por njerëz të panjohur merrnin misione, duke u vetëshpallur shpëtues të popullit. Luanin rolin e qeverive lokale. Vendi ndodhej pranë anarkisë. Me kallashnikov në krah shihje punëtorë, mësues, deputetë e zyrtarë gjithëllojësh. I kishim parë podiumeve, kur flisnin për paqe, për qetësi, për drejtësi e rindërtim të shoqërisë kapitaliste. Tani qenë egërsuar dhe qëllonin drejt reve. Helikopterë ushtarak dëgjoheshin ditë pas dite të përshkonin qiellin dhe sillnin lajme nga “lufta”. Grupe ushtarakësh niseshin drejt jugut, pasi kishte të dhëna që prej andej mund të niseshin forca drejt Tiranës për të vendosur qetësinë. Shqipëria ndodhej në shtetrrethim, në gjendje të jashtëzakonshme…

Kishte nga ata që e quanin gjithçka normale. Nuk kishin pse trembeshim nga pushka. Edhe në Amerikë, thoshin, populli mbante armë. Shqiptari ishte i lidhur ngushtë me pushkën, pasi parulla e partisë në sistemin monist ishte, “në një dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën”. Kohë më parë, pushkën çdo familje e kishte të varur në mur. Historikisht kështu ka qenë. E mbanin të luftonin armikun, të mbronin familjen. Por jo në monizëm. Atëherë nuk lejohej pushka. Armë nuk mund të mbante askush, ndaj dhe krimi i vrasjes qe minimizuar. Përjashtim bënin disa persona që cilësoheshin pushkatarë të fshatit, apo zyrtarë të lartë, të cilëve pistoleta u nevojitej për vetëmbrojte. Natyrisht edhe ushtarakët. Qytetarët e tjerë mund t’i preknin armët me dorë gjatë ditëve të zborit. Madje edhe atëherë, pa fishek. Fishekët jepeshin të kontrolluar, vetëm ditën e qitjes.

Njerëzit dukej sikur kishin fituar “liri absolute”. Lëviznin me armë në krahë rrugëve të kryeqytetit dhe kudo tjetër në Shqipëri, sidomos në qytetet e jugut. Fëmijët shtinin pa pushim në ajër. Ndiheshin trima dhe të burrëruar. Filloi të lulëzonte krimi në rrugë. Vrasjet ishin temë e ditës. Grabitjet me armë bënin kërdinë. Rrugës dukeshin gjurma gjaku. Gëzhojat popullonin trotuaret. Vriteshin njerëz direkt, por dhe pa dashje, nga rikoshetat e plumbave, apo fluturimi i tyre “në rrugë të gabuar”. Qe vrarë një grua në Tiranë, ulur në divan duke parë televizor. Një fëmijë në Berat sodiste nga dritarja rrugën, por humbi jetën nga një plagë e shkaktuar nga armë zjarri. Thoshin se qe plumb qorr. Ku ta dish. Nuk kishte shtet. Policia gjyqësore qe shuar. Prokuroria ishte strukur në qoshe të vetë.

Vriteshin të rinj dhe shoqëroheshin për në varreza. Pas kortezhit vijonin qindra të rinj të armatosur që zbraznin karikatorë të tërë me fishekë, për ndër të të vrarëve. Të tjerët qenë në këmbë, ecnin në heshtje varri. I lusnin zotit, por kishin frikë se nuk i dëgjonte. Bëhej shumë zhurmë. Kjo ishte gjendja në popull.

Politika në krye të “njerëzve të çmendur”

Shteti pati rënë. Qeveria nuk funksiononte. Dy partitë kryesore bisedonin për të gjetur një emër për kryeministër provizor, një emër konsensual. U hodhën në shesh shumë emra. Më në fund gjendet një djalë në Gjirokastër. Quhej Bashkim Fino, ish-kryetar i Bashkisë së atij qyteti. Duhej të merrte në dorë situatën. E sollën në Tiranë me helikopter. Thonë se ishte propozim nga jashtë, ca thonë grekë, të tjerë italianë. Ku i dihet. Kishte një javë që ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Shqipëria qe bërë vend i ndaluar për të huajtë.

Komandën për të stabilizuar situatën në rrethet e jugut e mori shefi i shërbimit sekret, Bashkim Gazidede. U gradua gjeneral menjëherë. Gazetari Bardhok Lala qe gjetur i sakatuar dhe hedhur në Liqenin Artificial të Tiranës. Nuk qe mbytur. Banditët e hodhën për të mos marrë më frymë, por fati i tij, koka kishte mbetur jashtë ujit. Qe natë kur e plasën në ujë të sakatuar. Banda të armatosura rrihnin e masakronin jo vetëm gazetarët, por këdo që bënte oponencë. Ishte vrarë gazetari Ali Ukaj. Nuk duhej të ngarkohej me përgjegjësi asnjë politikanë apo parti politike. Madje u dekretua falja e fajtorëve. Asnjë gjemb në këmbë për politikanët. Gjithsesi, gazetarët jepnin lajme të çuditshme, por nuk qenë të lirë, rriheshin barbarisht. Kishte pak ditë që ishte djegur gazeta ”Koha Jonë”. Ngjarjet kryesisht i ndiqnim nëpërmjet televizionit. Vlora ishte epiqendra e tyre. Diku, një grup policësh ishte vënë përpara nga një turmë e madhe njerëzish. Qëlloheshin me gurë. Të tjerë që sulmonin depot e armëve. Ushtria qe shtrirë përtokë. Ngjasonte me një trup të vdekur. Në një bazë detare shihje një grup të madh civilësh, shumica me maska në kokë. Disa flisnin greqisht, të tjerë maqedonisht e serbisht. Një zot e merrte vesh se çfarë qe kurdisur. Në direkun e një anije lundruese që ngritur flamuri grek. Topa të kalibrave të ndryshëm ishin stivosur rrugëve, si plaçkë lufte. Forcat qeveritare patën shkuar me tanke për të shtypur kryengritjen. Qe një pamje groteske. Tanku ishte përmbysur me zinxhirë përpjetë. Vlora po masakrohej dhe më pas do ta paguante edhe më shtrenjtë, kur pak më vonë, më shumë se 100 vetë, gra, fëmijë e burra, u mbytën në det.

Agjenturat e huaja fërkonin duart

Burgjet qenë hapur. Doli nga qelia dhe Fatos Nano, lider i së majtës dhe premtoi kthimin e plotë të shumave të parave që njerëzit patën future në firma. Të burgosurit lëviznin lirisht me automatik në krahë. Shqipëria kishte hyrë në luftë vëllavrasëse. Thuhej se njerëzit qenë çmendur dhe ishin sulur për të rrëmbyer armë. Disa thoshin se kjo lojë bëhej me qëllim për të çuar pushkë në Kosovë. Të tjerë flisnin me siguri që Partia Demokratike kishte dhënë porosi të armatosej krejt efektivi i anëtarëve të saj. Por nuk mungonin të tjerë që, për organizimin e asaj katrahure, bënin përgjegjës socialistët. Madje shkonin edhe më tej. Akuzonin politikanë të majtë se qenë të lidhur me qarqe greke që u interesonin prapësitë. Nuk mungonin as ata që e shihnin shkakun e turbullirave te shtetet fqinjë, e sidomos te Greqia. Ish kreu i SHIK-ut, Bashkim Gazidede dhe ish deputeti Blerim Çela, akuzonin direkt shërbimin sekret të Athinës. Thuhej se Shërbimi Informativ Grek (EYP) kishte mbledhur të dhëna për të gjitha firmat piramidale që funksiononin në Shqipëri, përpara shpërthimit të trazirave të tmerrshme të vitit 1997. Përmendej shtetasi grek, Apostolo Vavilis, i cili kishte qarkulluar për vite të tëra nëpër Europë me emra të ndryshëm. Në Shqipëri ai qe prezantuar me emrin Apostolo Kavaleras dhe pati lidhje të afërta me kompaninë rentiere Vefa, madje nënshkroi edhe kontrata me të.

Gjendja komplikohej më tej, kur ndër aktorët e trazirave, përmendnin shërbimet të fshehta të një niveli më të lartë. Praninë agjenturore e pranonte dhe ish-kryeministri Aleksandër Meksi, i cili deklaroi se, pa u sqaruar fakti si u krijuan dhe u ushqyen piramidat, fajdet, fondacionet, se çfarë ndodhi realisht në vitin 1997, nuk do ketë qetësi në Shqipëri. Sipas tij, duhej të hapeshin arkivat e atyre shteteve që patën rol në atë që ndodhi. Sigurisht për këtë duhen shumë vite. Por shumica bënin fajtor qeverinë shqiptare. Natyrisht qeveria nuk heshtte, por akuzonte opozitën, sepse ishte ajo që kërkonte të merrte pushtetin me dhunë. Në këtë vorbull qenë përfshirë gjithë njerëzit. Edhe në rrugë. Një grup thoshin se duheshin pushkatuar komunistët, ndërsa disa të tjerë qenë të mendimit se disa demokratë duhet të vareshin në litar. Flisnin hapur në rrugë. Madje edhe kot, mjafton që të shihnin duke ecur dhe të mendonin se ishe komunist, apo të klasifikonin në krahun e demokratëve. Gjithçka ishte e frikshme. Por këtu duhet thënë se si katalizatorë të krimeve shërbyen banditët dhe hajdutët.

Ngjarjet tronditën gjithë botën. Stacione të mëdha televizive dhe gazeta prestigjioze hapeshin me lajme nga Shqipëria. Dhjetëra kameraman të guximshëm të kanaleve televizive të huaja, filmonin pa pushim. Ata qenë marrë në mbrojtje të banditëve, pasi të huajt respektoheshin prej tyre. Disa njerëz të shoqëruar nga persona të panjohur, bënin thirrje për të shpërthyer gjithë depot e armëve, por nuk fshihej dhe frika se shpërthimi i depove mund të bëhej shkak për të shuar krejt qytetin. Në Vlorë thoshin se qenë djegur punonjës të SHIK-ut. Flitej dhe për pirje gjaku. Kanibalizëm. Qe prishur dynjaja. Vërtetë bënin shqiptarët veprime të tilla? Televizionet e huaja jepnin të rinj e të vjetër hipur në tanke, që lëviznin lirisht shesheve. Të tjerë me antitank në krahë. Diku qëllohej me flakëhedhëse. Rreziqet ishin ngado, nga plumbi, predha, zjarri, pabesia.

Kush është engjëlli dhe kush është djalli?

Intelektualët qenë hutuar nga kjo marrëzi kombëtare. Ndonjë bënte thirrje nga stacionet televizive për të ulur armët e mbledhur mendjen. Pleq e fëmijë rrinin të strukur në shtëpitë e tyre, larg dritareve nga ku mund të haje ndonjë plumb. Dhe nuk munguan humbje jete, duke qenë brenda shtëpive. Të tjerë dilnin herët nga shtëpia dhe fshiheshin në guva, shpat maleve, pa mundur të merrnin asgjë me vete. Nuk mungonin dhe ata që plaçkitnin magazina me ushqime e sende të tjera, pa u trembur fare. Njerëz me thasë mielli, sheqeri apo orizi ecnin rrugëve nën breshërinë e automatikëve. Dita fillonte dhe mbyllej me luftë. Gëzhojat e armëve të kalibrave të ndryshme patën mbushur rrugët. Bisedat ishin rrëqethëse. Kudo flitej për të vrarë, sidomos në Berat, Vlorë e Tepelenë. Lajmet vinin në rrugë telefonike, nëpërmjet televizorit, në mënyra të ndryshme.

Qeveria nuk funksiononte. Me iniciativën e një grupi intelektualësh, javën e dytë të muajit mars u nënshkrua marrëveshja për krijimin e një qeverie teknike, e cila merrte përsipër të stabilizonte situatën. Por nuk u bë fakt. Thanë se u krijua një qeveri mikse. Por kurbanët ishin të pranishëm çdo ditë. Kudo, sidomos në Vlorë e Berat. Në Përmet qenë vrarë 7 njerëz të pafajshëm nga ushtria e shtetit të tyre, shtatë intelektualë. Asnjë arsye, asnjë shkak. Nuk mbajti kush përgjegjësi. Ikën ashtu, si në hije, të vdekur dhe të gjallë.

Jeta qe paralizuar. Për shkolla as që bëhej fjalë. Vdekjet shiheshin si diçka e zakonshme. Në varreza vinin kryesisht të rinj, të vrarë kushedi për ç’shkak, apo pa asnjë shkak. Në Berat thoshin se kishin vrarë një burrë, duke venë bast: Kush do ta merrte më mirë nishan. Madje një tjetër lajm shkonte dhe më tej: I kishin hapur barkun një nuseje, për shkak të një basti të fëlliqur, të shihnin nëse fëmija në barkun e saj, ishte djalë apo vajzë. Njëlloj siç vepronin andartët grek më 1914. Duket se ne paskemi qenë më të egër.

Në rrethet Vlorë, Tepelenë e Përmet, ishin hedhur parulla për t’u nisur drejt Tiranës. Është e vërtetë, apo jo, kjo legjendë u përhap me shpejtësi dhe krijoi panik. Madje edhe u besua, sepse depot e armëve u thyen edhe në Tiranë. Kryeqyteti nuk kishte as polici. Ajo u tërhoq nën frikën e krimit. Familjet shqiptare jetonin nën tmerrin e vrasjes dhe rrëmbimit. Përdhunoheshin dhe rrëmbeheshin vajza në mes të rrugës. Prindërit rrinin të ngurosur dhe prisnin kthimin e fëmijëve. Ata iknin herët dhe ktheheshin vonë. Kishte mosbindje të përgjithshme. Këshillat e më të mëdhenjve nuk pinin ujë. Askujt nuk i flitej. Në pritje të ndonjë sulmi mbi kryeqytet, njerëzit vraponin të blinin sa më shumë ushqime dhe të qëndronin të ngujuar brenda shtëpive. Qe hapur paniku i mbylljes së furrave të bukës dhe vrapohej për të gjetur një thes miell. Institucionet e shtetit, nga ministritë te shkollat, ishin të kyçura. Hyrjet e pallateve po mbylleshin me dyer hekuri.

Javën e parë të muajit maj mbërriti përfaqësuesi i Europës, austriaku Franc Vranicki. Qe takuar me kryeministrin e ri, Bashkim Fino. U takuan në det, duke pasur sigurinë e garancinë e Zani Caushit, një nga banditët e lagjes Çole të Vlorës. Fino shkoi në Vlorë të takonte Presidentin e Komunitetit Europian. Të mbronte çështjen shqiptare, të drejtën e njerëzve që nuk kishin më të drejta. Vranicki kontaktoi edhe me ish-kryeministrin e ish-presidentin. Përfaqësues të partive flisnin para europianëve duke e quajtur ngjarjen gjëmë të madhe dhe fajësonin njëri-tjetrin. Në atë kohë Vranicki qe shprehur: “Këtu nuk merret vesh kush është engjëlli dhe kush djalli”. Duket se të dy palët ishin zhytur deri në grykë.

“Është një dosje e zezë që nuk do të hapet kurrë”, – deklaroi në atë kohë ministri i Mbrojtjes, Safet Zhulali. Por edhe ai iku me anije në San Benedeto…

Mario Vargas Llosa, nobelist peruan, kryetar i jurisë së festivalit të Venecias shkruante: “Tragjedia e Shqipërisë, e këtij vendi të lashtë “të shqiponjave”, nuk nisi me marshimin e piramidave… Ashtu siç ndodhi në ish-Jugosllavi, kriza shqiptare tregon se procesi që të shpie drejt qytetërimit, është sa i gjatë dhe i mundimshëm, aq dhe i mbushur me rreziqe për t’u kredhur në barbari, rrezik ky ndaj të cilit, fatkeqësisht, nuk ekziston asnjë antidot”.

Shkatërrimi i ushtrisë

Gjithsesi, duhet pranuar se ushtria nuk e kreu detyrën, në vitin e mbrapsht 1997. Ky është një turp i pashlyeshëm i saj. Kurrë nuk e ka thënë të vërtetën, se cilët qenë shkaqet, kush e dha atë urdhër shkatërrues për të ardhmen e Shqipërisë, cili ishte roli i qeverisë shqiptare, ndikimi i huaj, faktorë të tjerë. Sido që të jetë, ushtria ka një pjesë të madhe të fajit. Nuk u tregua ushtri profesioniste, pasi qe ushtri e politizuar, e depersonalizuar nga ndryshimet, nga padija apo keqdashja e drejtuesve të shtetit, nga synimet e të tjerëve. Pasojat dihen. Mijëra të vrarë.

Të mos harrojmë që Shqipëria ka pasur një ushtri të fortë dhe të disiplinuar, por dhe të madhe në numër. Edhe ajo pësoi të njëjtin fat me njerëzit e vrarë nga ajo barbari e një shoqërie të çmendur, që drejtohej nga njerëz të papërgjegjshëm, apo të shitur. Vlen të themi që ushtria shqiptare, në vitin 1985, ka pasur 22 divizione, mbrojtje kundërajrore, Flotë Luftarake Detare me rreth 80 Katërsilirus, 8 Dragamina dhe 35 mijë mina detare, të cilat mbroheshin nga artileria bregdetare me mbi dy mijë gryka topash të kalibrave të ndryshëm. Ishin 4 gjuajtës detarë, 4 nëndetëse, 6 motovedeta etj.

Ushtria jonë në mesin e viteve ’80, të shekullit të kaluar, numëronte 16 500 oficerë, 9 mijë nënoficerë, 60 mijë ushtarë, 8 mijë civilë, 450 mijë rezervistë, 230 mijë forca vullnetare, 127 brigada këmbësorie, artilerie dhe sulmuese. Qenë 34 regjimente të artilerisë kundërajrore, 1 500 tanke të inkuadruar në 9 brigada e batalione, 4 mijë gryka zjarri të artilerisë tokësore, mbi 100 anije luftarake, 370 avionë e helikopterë të Flotës Ajrore etj.

Në rast lufte ushtria shqiptare qe e përgatitur për të hapur zjarr brenda 2-3 minutash nga shkelja e territorit me anë të mitralozave të rëndë, që quheshin “armë roje”. Brenda 72 orëve viheshin nën armë 750 mijë vetë, të veshur me uniformë. Thuhej se 320 avionë luftarakë dhe 50 helikopterë, mund t’i bënin roje territorit shqiptar. Pa përmendur këtu depot e rezervave ushqimore të siguruara në kushte hermetike, për gati 5 vjet furnizm me drithëra. Por në realitet asgjë nuk funksionoi. Jeta u paralizua dhe njerëzit u mbyllën brenda. Vetëm kriminelët dhe hajdutët qarkullonin të lirë, duke vënë bast me njëri – tjetrin, se sa njerëz do të vrisnin atë ditë…

Përfundimi

Tashmë e dimë të gjithë se çfarë ndodhi. U vranë aq shumë të rinj, sa në një luftë. Asnjë politikan nuk u cenua. Gjithçka qe zhytur në errësirë. Atëherë nuk kishte shtet. Po sot? Nëse shteti ekziston, pse nuk zbardhen ngjarjet e dhimbshme, me qëllim që të mos përsëriten më kurrë? A është në gjendje politika aktuale të marrë përsipër qeverisjen e këtij vendi, jo për ta vjedhur, por për të rritur nivelin ekonomik të shqiptarëve? A mund ta sigurojnë këtë popull që meriton të respektohet, madje dhe të sakrifikohet për të, që nuk do të ketë më ngjarje të dhimbshme, si në vitin e mbrapshtë 1997? Që nuk do të ketë më Gërdec dhe 21 Janar? Që nuk do të pengohen reformat për interesa të disa individëve? A do të ketë një strategji të qartë kombëtare, për integrimin e Shqipërisë, një strategji të pranuar me konsensus, mbi bazën e së cilës të punohet për bashkimin e këtij populli të copëtuar padrejtësisht, duke u përkushtuar me të gjitha forcat dhe mundësitë, duke fjetur dhe u zgjuar me Shqipërinë në mendje, me hallet tashme dhe të ardhmen e saj. Përparimi mund të arrihet vetëm nëse duam ne, vetëm nëse luftojmë ne. Të tjerët mund të ndihmojnë, por mundet edhe të pengojnë. Këtë tashmë e dimë nga historia, ndaj duhet të nxjerrim në krye ata që punojnë për këtë vend, jo ata që e pengojnë. Të ndërtojmë strategji të përbashkëta pozitë-opozitë dhe të mos shkelim mbi shinat ku duhet të udhëtojë kombi më i vjetër, mbase dhe më vital, por njëkohësisht edhe më i sakatuar i Europës.

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit