Home POLITIKE Llalla-Holder...

Llalla-Holder: Luftë kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit

23
0

Gjatë takimit të zhvilluar në zyrën Holder në Uashington D.C, është diskutuar mbi çështje që përbëjnë interes hetimor për dy vendet, kryesisht për forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror për luftën kundër kriminalitetit ndërkombëtar.

Nga ana e tij, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, Eric Holder, ka shprehur vlerësimin për rezultatet konkrete të autoriteteve shqiptare në goditjen e personave që merren me financimin dhe rekrutimin e shtetasve të ndryshëm për konflikte të armatosura në Lindjen e Mesme.

Gjithashtu, Llalla e ka njohur homologun e tij mbi rezultatet konkrete të Prokurorisë dhe shtetit shqiptar në përgjithësi në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit vendas. Për Kryeprokurorin Llalla, ndihma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj prokurorisë shqiptare ka qenë dhe vijon të ketë një rol kyç në forcimin e pavarësisë dhe në rritjen cilësore të hetimeve.

Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër trafikut të personave. Zyrtarët amerikanë kanë shprehur vlerësimin për angazhimin e Prokurorisë Shqiptare në goditjen gjatë vitit 2014 të një rrjeti personash që u siguronin shtetasve të ndryshëm shqiptarë kalim të paligjshëm të kufirit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke vënë theksin se Amerika është shtet i mundësive, por duke respektuar rregullat, autoritetet amerikane e vlerësojnë pozitivisht angazhimin e prokurorisë shqiptare në hetimin dhe goditjen e grupeve që synojnë të thyejnë ligjet e vendit për emigracionin.

Pas takimit në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA, i cili zgjati rreth 60 minuta, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Llalla po vijon takime me zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë, të Byrosë Federale të Investigimit (FBI), Divizionin e Sigurisë Kombëtare në Departamentin e Drejtësisë dhe me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, përfshirë edhe një takim të veçantë me Këshilltarin e Lartë për Antiterrorizmin në Departamentin Amerikan të Shtetit, ambasadorin Robert Bradtke, i cili pak ditë më parë zhvilloi takime me zyrtarët e lartë shqiptarë në Tiranë.

Këto takime të nivelit të lartë të Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, janë pjesë e një axhende të posaçme, të koordinuara me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, në kuadër të pjesëmarrjes së Llalles në konferencën për “Korrupsionin dhe Mitmarrjen Ndërkombëtare”, qe ka nisur në Uashington ditën e hënë dhe vijon për disa ditë. Në këtë konferencë, zyrtarë të lartë nga vende të ndryshme të botës diskutojnë për forcimin e mekanizmave dhe bashkëpunimin ndërkombëtar kundër korrupsionit.

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Më shumë nga Politika

Më shumë nga Politika

Lajmet e Fundit

Te Fundit