Home Bota Las Vegasi i ...

Las Vegasi i Maqedonisë dështon

20
0

Në atë kohë, Ministria e Transportit dhe Komunikimit tha se qëllimi ishte tërheqja e investimeve të huaja dhe nxitja e zhvillimit së komunave në fjalë.

Sot, vendet janë të gjitha të boshatisura, duke ngritur pikëpyetje nëse shitja e atyre zonave në çmime aq të ulëta ishte e justifikuar.

Dy nga kompanitë që bënë blerjet e zonave nuk kanë kërkuar për leje ndërtimi brenda afatit kohor të caktuar.

Asnjë prej tyre nuk ka filluar ndërtimin ndonjë hoteli, ndonëse ata kishin si detyrë ta kishin bërë këtë brenda një periudhe dy-vjeçare.

Ligji maqedonas për ndërtimet nga viti 2013 thotë se tokat duhet të konfiskohen prej investitorëve që nuk përmbushin kushtet.

Deri më tani, duket se Ministria e Transportit dhe Komunikacionit e ka shpërfillur ligjin.

Ajo nuk e ka konfiskuar tokën dhe as nuk ka penalizuar ndonjë nga kompanitë për vonesë në ndërtimin e hoteleve apo në pajisjen me leje ndërtimi.

Fakti se të gjitha vendet kanë rënë në duart e biznesmenëve vendas – pa harruar investitorët e huaj që ishin qëllimi fillestar, në mënyrë që të tërhiqeshin marka të njohura hotelesh në Maqedoni – i ësjtë shtuar kritikave të shitjes.

Ndëkohë, disa nga investitorët thonë se vonesa nuk është faji i tyre. Ata këmbëngulin se pengesat burokratike ia kanë bërë atyre të pamundur të marrin lejet që u duhen për të filluar ndërtimin.

Afatet janë shkelur, por s’ka sanksione:

Tre vende përgjatë Vardarit në Shkup u caktuan të jepeshin për zhvillim hotelerie.

Kompania “Mill One” bleu një. Një zonë e dytë iu shit ish-drejtorit të Bordit Shtetëror të Rezervave të Naftës, Marjan Jovanov.

Ai më vonë u bë pronar i tokës që iu shit fillimisht “Mill One”, pasi kjo e dyta nuk ia doli të paguajë për tokën që kishte marrë.

Komuna Centar e Shkupit tha se Jovanov i siguroi lejet e ndërtimit për të dyja vendet, për të parën në nëntor 2011 dhe për të dytën në shkurt 2012.

Megjithëse kjo përputhej me afatin përfundimtar të sigurimit të licencës, ai nuk iu përmbajt afatit të fillimit të ndërtimit, që mbaroi në nëntor 2013 dhe shkurt 2014.

Neni 66 i Ligjit të Ndërtimit thotë se një leje ndërtimi e humbet vlefshmërinë nëse një ndërtues nuk fillon ndërtimin brenda dy viteve nga data e marrjes së lejes.

Në kohën e këtij kërkimi, Jovanov nuk ishte në gjendje të kontaktohej.

Kreu i Lidhjes së Ndërtimit Civil në Dhomën e Ekonomisë së Maqedonisë, Nikola Velkovski, konfirmon se nëse ndërtimi nuk fillon brenda dy vitesh nga fillimi i kontratës, toka duhet të konfiskohet.

“Nëse entiteti në fjalë nuk ka filluar ndërtimin e godinës, duhet t’i merret toka,” tha Velkovski.

Një tokë e tretë në Shkup u shit në nëntor 2011 te kompania Amadeus Group. Komuna Centar e Shkupit na informoi se, prej dy vitesh, kompania ende nuk e ka marrë lejen e ndërtimit.

Komuna tha se Amadeus Group ishte 18 muaj me vonesë në dorëzimin e aplikimit për leje ndërtimi, që, dy vite e gjysmë më vonë, ende mbetet për të sigurohet.

Kompania nga ana e saj nuk ia doli të përmbushë detyrimet dhe ka shkelur ligjin ndërtimor që kërkon përmbushjen e projektit brenda dy viteve.

Përpjekjet për të kontaktuar me Amadeus Group rezultuan gjithashtu të pasuksesshme. Nuk ka numër telefoni në Shkup dhe askush nuk përgjigjet në selinë e kompanisë në Shqipëri.

Ministria e Transportit na informoi se një marrëveshje aneks ishte firmosur në qershor 2013, kur kompania kërkoi fillimisht leje.

Ministria nuk na dha një arsye për vonesën në sigurimin e lejes,ose përse kompanisë nuk i është privuar toka meqë nuk i është përmbajtur ligjit.

Historia është e ngjashme për dy vende të tjera të shitura në burimet e Biljaninit në Ohër, që i ka blerë kompania Fibula Air Travel.

Në vend të hoteleve luksoze të premtuara, vendi është i zbrazët. Edhe kjo kompani nuk iu është përmbajtur afateve për fillimin e punës.

Disa shitje janë anuluar:

Dy kilometra nga qyteti i Shtipit, një tjetër tokë iu shit kompanisë Oasis. Si në Ohër, këtu nuk ka hotele veç një vend të zbrazët.

Ndryshe nga rasti me investitorët e tjerë, këtu faji gjendet te autoritetet, jo te investitori, sipas një prej pronarëve të Oasis.

Slave Ivanovski tha se ata kishin hasur me probleme për rrugën që shtrihet buzë zonës.

“Ne po presim planin e ri urbanistik që mund të zgjidhë problemin e rrugës, pasi na pengon nga fillimi i punës,” tha Ivanovski.

Rasti me tokën në Gevgelija është tjetër. Komuna këtu thotë se shitja fillestare e tokës është anuluar.

“Komuna e kundërshtoi vendimin për shitjen e tokës dhe procesi ka ndaluar,” thanë burime nga komuna, “ndaj shteti ende e ka në zotërim këtë tokë”.

Shitja është anuluar gjithashtu për një tokë në komunën e Centarit në kryeqytet, Shkup.

Toka ku një hotel i stilit barok supozohej të ndërtohej u ble nga kompania Amadeus Stone, që pagoi 3296 euro për të, vetëm një euro për metër katror.

Pas kritikave publike se një vend kaq tërheqës u shit aq lirë, u zbulua fillimisht se toka nuk ishte vetëm e shtetit.

Më 23 janar, 2014 Ministria anuloi shitjen. Në atë kohë, tre njerëz kishin pretenduar se zotëronin copë të tokës. Shpjegimi ishte se kadastra kishte gabime.

Edhe në zonat e tjera nuk është ndërtuar ende. Në kufirin me Greqinë, pranë Bitolës, kompania maqedonase e sistemeve diellore bleu një copë tokë në mars 2011.

E siguroi një leje ndërtimi vetëm dy vite e tre muaj më vonë, gjë që bie në kundërshtim me kushtet e kontratës dhe ligjin.

Komuna tha se kompania kishte filluar disa veprimtari, por asgjë e dukshme.

E njëjta gjë ndodh edhe në Delcevo, në Mt Golak, ku toka iu shit në 2011 Orce Todorovskit. Ai e siguroi një leje ndërtimi vetëm tetorin e shkuar.

Tokë e shitur lirë:

Përveç faktit se çfarë kanë bërë apo nuk kanë bërë investitorët me blerjet e tyre, ekziston edhe një mosmarrëveshje për çmimin shumë të ulët të shitjes për zonat.

Ministria e Transportit dhe e Komunikacionit thotë se shtetit mblodhi vetëm 2 milion euro në total prej këtyre shitjeve, me një çmim mesatar 28 euro për metër katror.

Velkovski thekson se kur toka pritet të përdoret për ndërtim të një godine komerciale siç është hoteli, çmimet e tregut fillojnë normalisht nga 150 euro për metër kator, ndërsa çmimet mesatare janë 300 deri në 400 euro.

Thënë ndryshe, përpara se qeveria të vendoste të shiste 100 zona me çmime të ulta, kompania Stone Bridge bleu një tokë në komunën e Aerodromit në Shkup për të ndërtuar një hotel për 550,000 euro – më shumë se 100 euro për metër katror.

Një tjetër kompani, Pronat DC Prime, në mars 2011, bleu një tokë shtetërore atraktive në Sheshin Maqedonia në Shkup për më shumë se 620,000 euro. Edhe kjo për më shumë se 100 euro për metër katror.

Këto dy kompani paguan rreth tre deri katër herë më shumë për tokën që morën sesa blerësit e 11 tokave në fjalë.

Nëse shteti do i kishte shitur të gjitha 11 zonat për të paktën 100 euro për metër katror do të kishte mbledhur mbi 7 milion euro në total jo 2 milion euro.

Shumica e tokave të shitura me çmimin fillestar një euro për metër – dhjetë prej tyre – u shitën për 1 milion euro në total, që është baraz me çmimin e tregut me të cilin dy kompanitë e përmendura më lart blenë tokat e tyre.

Pothuajse gjysma e parave të mbetura që shteti mblodhi nga shitja e 11 zonave të tokës shtetërore u sigurua nga shitja e një toke të vetme në Ohër te kompania Develop Group për më shumë se 1 milion euro. Kjo funksionoi për rreth 70 euro metri kator. Ky ishte çmimi më i lartë i arritur në ankandet publike.

Ministria refuzon përgjegjësinë:

Ministria e transportit nuk iu përgjigj pyetjeve se si dhe nëse po e monitoronte përmbushjen e marrëveshjeve me kompanitë që kanë blerë 11 zonat për të ndërtuar hotele.

Nuk iu përgjigj as pyetjeve nëse ndonjë nga kompanitë ishte gjobitur për vonesat apo për mospërmbushjen e detyrimeve kontraktuale.

Pasi raportet e shitjeve u botuan në median maqedonase në qershor, ministria mohoi se ligji e detyronte shtetin të konfiskonte tokën e blerësve që nuk kishin përmbushur kushtet e kontratës.

Ministria tha se i takonte komunave të ndiqnin respektimin e pikave të kontratave; përgjegjësia për menaxhimin e zonave të ndërtimit i mbetet atyre.

Megjithatë, anulimi i miratimit, nënkupton kthim të tokës te pronari origjinal, në këtë rast shteti.

Komunat që kanë fituar të drejtën e përdorimit të përhershëm të tokës së ndërtimit me të drejtën për të ndërtuar në të, gjithashtu mund ta kalojnë këtë të drejtë te një person ose entitet vetëm me miratimin e mëparshëm të qeverisë.

Marrë nga BIRN

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Më shumë nga Bota

Më shumë nga Bota

Lajmet e Fundit

Te Fundit