Home Uncategorized Kush e djallo...

Kush e djallosi punën në Kosovë?

15
0

Në fakt Ambasadorja Amerikane u foli më shqip e më troç se unë liderëve kosovarë. Me një shqipe popullore shqeto, larg çdo lloj stili diplomatik ajo, para pak ditëve,ju drejtua politikanëve atje me këto fjalë: ”Mos e dh… punën..!” Ne si popull jemi mësuar të bëjmë çdo lloj pisllëku, por nuk jemi mësuar me kësi lloj fjalësh të pista, sidomos nga një diplomate, aq më tepër femër. Pjesa më e madhe e shqiptarëve ia pranojnë Ambasadores ato fjalë. Ajo tha një gjë jo vetëm mëse të vërtetë, por po e thoshte në gjuhën që e meritonin politikanët e Kosovës. Ata po e menderosnin vërtetë punën, sepse po shkelnin rëndë parimet bazë të funksionimit të një shteti demokratik, duke mos u marrë vesh midis tyre, në mënyrë që t’i hapnin rrugën e qeverisjes së vendit asaj pale apo aleance që kishte fituar mazhorancën e votave të popullit të Kosovës. Shteti kosovar mbeti me institucione të uzurpuara për 6 muaj rresht dhe me jeta parlamentare u paralizua plotësisht me formulën e stisur allashqip të Flora Brovinës. Po kush e kishte djallosur punën, Pozita apo Opozita? Këtë as Ambasadorja e askush tjetër nuk gjeti kurajën t’ua thoshte politikanëve dhe as kosovarëve.

Hashim Thaçi arriti të marrë në favorin e tij dhe të Partisë së tij PDK një vendim krejt të njëanshëm të Gjykatës Kushtetuese, i cili i lejonte vetëm Hashimit të vijonte qeverisjen dhe të mos mblidhte parlamentin, deri sa të gjente një aleat për të krijuar mazhorancën e domosdoshme të numrave. Ose më sakte deri sa të mund të çante e thyente Bllokun opozitar. Kjo sigurisht nuk ishte një lojë legale politike, por një rast i pashembullt, që tregon qartë nivelin, ku ndodhet demokracia në shtetin e ri ballkanas. Kështu, 6 muaj qëndroi në karrigen e Kryeministrit Hashim Thaçi pa asnjë lloj mandati. Blloku opozitar i qëndroi gjatë besnik marrëveshjes për bashkëqeverisje, por ndoshta askush nuk e kishte besuar se Hashimi mund të mbante në mënyrë kaq të paskrupullt e kundër çdo principi demokratik e kushtetues të paralizuar jetën parlamentare dhe pushtetin në Kosovë. Askush nuk e kishte menduar gjithashtu se LDK-ja dhe Isa Mustafa ishin aq të dobët sa t’i përuleshin kundërshtarit kryesor, kundër të cilit ia kishin dhënë votat kosovarët. Ndoshta askush nuk e besonte se Thaçi shihte aq larg, sa të kuptonte kohën kur do të binte më i dobëti i Bllokut, Mustafa dhe kështu të realizonte ëndrrën e tij për t’u qëndruar gjithnjë mbi kokë kosovarëve edhe pse sipas pjesës më të madhe të tyre Ai tashmë e ka mbushur kupën e duhej të dilte në opozitë. Pikërisht në këtë kohë, kur nuk mbante më ujë pilafi, foli ambasadorja amerikane. Nuk e di nëse ajo e kupton, se në trojet shqiptare zëri i Amerikës është më i madh se zëri i gjithë presidentëve të vendit, ndaj për këtë arsye njerëzit pyesin: Pse nuk foli më parë Ambasadorja dhe pse nuk e tha troç!? Unë nuk e kuptoj se çfarë faji kishte në atë kohë Blloku opozitar, pse përfaqësonte një mazhorancë kushtetuese të mjaftueshme dhe kërkonte natyrshëm që të qeveriste vendin..! Blloku ishte në të drejtën e vet më të ligjshme kushtetuese që të krijonte institucionet, të mblidhte Parlamentin dhe të qeveriste. Por Hashimi nuk lëshonte karrigen e Kryeministrit dhe zyrat e shtetit.!? Nuk ka se si t’ia ketë drejtuar bllokut opozitar ato fjalë Ambasadorja, sepse ndryshe do të dilte se është vërtetë amatore në politikë. Ajo që bëri Hashim Thaçi në këto 6 muaj në Kosovë është një precedent i rëndë për këtë demokraci të re, e të brishtë. Ai me gjykatësit e tij goditi rëndë sistemin demokratik në vend, ka goditur shpresat e njerëzve për drejtësi, ka çelur rrugën e autokracisë dhe mbajtjes së pushtetit me dhunë në Kosovë, si në lojën e matrioshkave Putin-Medvedev, apo kungulleshave turke të Erdoganit. Qofsha i gabuar, por këto janë gjëma për të ardhmen, janë gurë që do të tentojnë të rrokullisen gjithnjë tash e tutje, janë gurë të rëndë që mund t’i bien në kokë ose popullit kosovar, ose vetë Hashim Thaçit, që i shtyu të rrokullisën kundër të tjerëve. Por edhe pabesia që bëri Mustafa me koalicionin dhe me votuesit e tij do të ketë pasoja jo të vogla në të ardhmen e politikës në Kosovë, pasi njerëzit nuk do të dinë më kujt t’ia besojnë votën. Me atë që ka ndodhur tash 6 muaj në Kosovë, askush nuk duhet të krijojë iluzione se ishte brenda lojës së ligjshme demokratike të politikës. Këto 6 muaj as kishte demokraci, as ligj, as shtet, as institucione të ligjshme në Kosovë. Aty ishte Thaçi që kishte uzurpuar institucionet duke bërë presion mbi partitë e tjera dhe mbi popullin që: ose të linin PDK-në e Hashimin në pushtet (Kryeministër apo më mirë President), ose ndryshe Kosova nuk do të kishte as Parlament e as shtet. Dhe ja, kështu u bë. Nuk e di ku mund të gjejmë ndonjë rast të ngjashëm, mbase në ish-republikat e BS apo vendet arabe, me këtë që ka bërë Hashimi. Në një vend demokratik normal, një palë që fiton vota më shumë se të tjerët, i jepet kohë 15, maksimumi 30 ditë të krijojë qeverinë. Më pas, mandati i kalon palëve të dyta e më radhë. Tjetër gjë do të ishte zgjatja e kohës, sepse palët që kanë mazhorancën nuk arrijnë marrëveshje qeverisëse dhe i provojnë me radhë tentativat. Kush e kishte këtë të kompetencë t’ia kalonte këtë të drejtë të ligjshme palëve në Kosovë? Gjykatësit e Hashimit që për Kushtetutë njohin vetëm Qeverinë e Thaçit, apo Presidentja Jahjaga,që nuk donte ta prishte me asnjë palë, me sa duket, duke ëndërruar dhe ajo të rrijë sa më gjatë në poltronin e rehatshëm të Presidentes. Për këto arsye, ne tani po pyesim: Kush e djallosi punën në Kosovë ? Tani që ra Mustafa e mbeti Hashimi. Apo tani që u ngritën ata të dy e ranë të tjerët, a u djallos më keq, apo u parfumos puna këtu..?Mbase do të jetë më mirë t’ia lëmë popullit të Kosovës dhe Opozitës së saj këtë përgjigje, pasi kam bindje se ata do të dinë ta thonë më shkoqur e më fort se kurrë këtë në zgjedhjet e radhës, veçse duhet pak durim që gjithsesi treni europian Kosovës të mos i ikë.

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit