Home Uncategorized Kur arrestohe...

Kur arrestohej Fatos Nano

6
0

 

Në vijim të hetimeve parlamentare të famshme po botojmë sot kronolgjinë e arrestimit të kreut të PS në vitin 1993, Fatos Nano. Në paraditen e datës 31 korrik 1993, ish-kryeministri i fundit i Partisë së Punës dhe kryetari i parë i Partisë Socialiste, do të hynte në ambientet e prokurorisë së Tiranës. Me siguri nuk do të kishte menduar se ai do të ishte rrugëtimi i fundit i tij si njeri i lirë për katër vjet rresht

 

Nga Lorenc Vangjeli*

 

…Kur nga një i burgosur politik, i gjetur fillimisht fajtor për akuzën e shpërdorimit të ndihmave italiane e dënuar me 14 vjet burg, do të bëhej sërish qytetari i parë politik i Tiranës, kryeministër i një shumice dërmuese të majtë. Por i gjithë fillimi i vitit 1993, për të do të ishte i veçantë. Deri në seancën e fundit parlamentare të atij sesioni, kur atij do t’i hiqej imuniteti si deputet, gjë që i hapi rrugë dhe arrestimit të tij katër ditë më pas. Nano nuk pati mundësi të mbante një fjalim në atë moment, por ai e kishte parandjerë lakun që po i thurrte kundërshtari i tij, Berisha me të cilin dikur kishte ndarë të njëjtën parti deri në ndarjen e rrugëve të tyre politike që çuditërisht, vite më pas, do të ribashkoheshin sërish.

Sot, më shumë se 20 vjet më pas, është shumë interesante të shihen një numër ndërhyrjesh të Fatos Nanos në Parlament. Ato afrojnë aromën e vjetër të një kohe kur ministra dhe deputetë shkonin me triko leshi në parlament, por kishin shumë pasion; dëshmon për kohën kur ende shumë prej tyre ishin tërësisht idealistë, ndërsa ca pak të tjerë, kishin kuptuar se pushteti ishte sipërmarrja më e madhe e jetës së tyre.

SEANCË PLENARE

E martë, më 23.03.1993, ora 10.30

Fatos Nano

Projektligji "Për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut" në Shqipëri ka rëndësi të jashtëzakonshme, sepse ka karakter kushtetues. Si i tillë, ai merr vlerën e një prove përfundimtare për ata që ushtrojnë pushtetin qysh prej një viti, për PD-në dhe ata që ka vënë ajo në drejtimin e vendit. Në këtë prizëm iniciativa legjislative e Presidentit do të meritonte të përgëzohej, por pasi ai dhe partia e tij t'u jepnin përgjigje me prova reale dhe jo demagogjike shqetësimit aktual mbarëpopullor dhe pyetjeve të një opinioni gjithnjë e me të gjerë ndërkombëtar. A ka dalë Shqipëria nga kriza e totalitarizmit, apo është zhytur më thellë gjatë këtij viti? A vazhdoi shkelja e të drejtave të njeriut në Shqipëri, hakmarrja apo larja e hesapeve për shkaqe bindjesh politike apo të tjera? A janë trajtuar njëlloj shqiptarët si shtetas të Republikës së Shqipërisë apo është rimbjellë fara e përçarjes kombëtare dhe e konflikteve sociale mbi bazën e një lufte të re klasash, që përjashton shumicën e tyre nga mundësitë për të qenë të lirë dhe të mbrojtur nga ligji në jetën private dhe publike? A janë integruar në jetë ish-të persekutuarit politikë të komunizmit apo janë shtuar radhët e tyre me të persekutuar të postkomunizmit? (Në sallë ka duartrokitje.) Ju falemnderit për miratimin!

Mjerisht këto dhe pyetje të tjera që shprehin zhgënjimin dhe kundërshtimin e njerëzve për kursin revanshist të qeverisjes pëdëiste, kanë marrë deri tani të njëjtën përgjigje: 47 vjetëve të diktaturës komuniste iu shtua dhe një vit tjetër dhe trofetë e fitores së demokracisë janë grabitur nga një grup aventurierësh politikë ultra të djathtë që njohin liri, të drejta e privilegje vetëm për vete, për farefisin dhe të bindurve të tyre. Shqiptarë dhe të huaj, njerëz të thjeshtë apo intelektualë, politikanë, diplomatë dhe gazetarë po shtrojnë gjithnjë e më shpesh pyetjen: “Çfarë e pengon vërtet Presidentin Berisha të zbatojë deklaratat dhe premtimet e tij për lirinë e bashkëvuajtësve dhe bashkëfajtorëve, pajtimin kombëtar dhe paqen sociale, për mënjanimin e ekstremizmit nga drejtimi i shtetit dhe i bartësve të tij që ushtrojnë terror politik, policor apo ekonomik, mbi të gjithë ata që guxojnë të mendojnë ndryshe?” Përgjigja ka mbetur pezull përderisa janë vetë ekstremistët pëdëistë dhe lobi i tyre pseudokombëtar ose pseudondërkombëtar që ushtrojnë presione deri dhe shantazh mbi atë votë dhe mbi institucionet e shtetit. Prandaj shteti i së drejtës ka mbetur demagogji, ashtu si, për fat të keq, dhe kjo iniciativë e fundit kushtetuese e Presidentit Sali Berisha.

…Gjykimi juaj bardhë e zi u sprovua si i dështuar, sepse antikomunizmi po vërtetohet dështak, jo vetëm në Shqipëri po aq sa komunizmi që të krijojë garanci reale për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut. Angazhohuni, pra, vëllezër opozitarë, të ndryshoni kursin e qeverisjes, të largoni ethet e hakmarrjes së veshur me pushtet, depolitizohuni nga fanatizmi partiak në emër të shqiptarizmit. Zhbllokoni pushtetin lokal dhe jepuni njerëzve mundësitë të jetojnë e të vetëqeverisen! Rivendosni sovranitetin e Parlamentit dhe të çdo deputeti të tij. Kthehuni imunitetin dhe liritë e ligjshme Ilir Metës dhe poliçanasve, minatorëve të Bulqizës, naftëtarëve të Ballshit, sindikalistëve të Fierit, veteranëve të Luftës Antifashiste, opozitarëve dhe gjithë shtetasve të tjerë të Shqipërisë, pavarësisht nga bindjet

politike, përkatësia fetare e kombëtare. Ktheni në punë intelektualët, specialistët, akademikët, pedagogët, të papunët dhe bujqit pa tokë. Bëni të gjithë shqiptarët pronarë që të riaktivizohen realisht resurset e mëdha ekonomike njerëzore të vendit! Jepini dimensionin e premtuar, human qeverisjes suaj në frymën e mirëkuptimin kombëtar. Shkurt, pra, propozimi im është ky: jepuni fuqi prapavepruese të gjitha neneve të këtij projektligji të rëndësishëm, në mënyrë që të korrigjoni gabimet e bëra nga ju gjatë një viti dhe që askush në Shqipëri të mos ndihet më i pasigurt dhe i pashpresë. Nuk kemi më kohë për të humbur, bëhuni tolerantë dhe demokratë të vërtetë, duke parë nga e ardhmja. Do të humbasim të gjithë nga pak, por do të fitojë Shqipëria dhe kombi. Bëhuni, pra, shqiptarë të vërtetë dhe mos kërkoni serbë, rusë, amerikanë apo dhe të tjerë midis nesh. Këtë kërkojnë nga ju socialistët dhe jo vetëm ata, por miliona shqiptarë për liri dhe demokraci të vërtetë, deri më sot janë zhgënjyer.

SEANCË PLENARE

E hënë, 29.03.1993, ora 17:00

Fatos Nano – Zoti Pjetër, respektoj arsyet që ju shtynë juve pas kaq kohësh të merrni fjalën për të njëjtën çështje në një kohë të shkurtër dy herë. Respektoj, ashtu si parafolësi im, vuajtjet tuaja 28-vjeçare në burg, siç respektoj edhe vuajtjet e bashkëvuajtësve tuaj, me të cilët ju keni ndarë koromanen për 28 vjet. Unë do të dëshiroja që asnjë forcë madhore, që gjatë 28 vjetëve ka tentuar t'ju nënshtrojë juve për t'ju vënë në shërbim të interesave më sublime se idealet që mbronit ju, të mos ju detyronte të merrnit fjalën përsëri në emër të një projektligji që tashmë është bërë publik. Do t'ju uroja që me pozicionin shumë tolerant dhe shumë të paanshëm që keni mbajtur deri tani si Kryetar i këtij Kuvendi, i zgjedhur nga ky Parlament, të mos ushtronit asnjë presion, të mos bënit diversion dhe të mos kërkonit pozicionime të ndryshme kundrejt të kaluarave të ndryshme të pjesëtarëve të këtij Parlamenti, të cilat, po të hapeshin dosjet përfundimisht, do të dilnin shumë më të ndryshme se ç'paraqiten publikisht. Prandaj, duke shfrytëzuar të drejtën e replikës prej një minute, unë ju uroj që të vazhdoni të jeni ai që keni qenë, i papërkulshëm ndaj presioneve të askujt, neutral ndaj pushteteve që synojnë t'i imponohen karakterit suprem të pushtetit legjislativ, Parlamentit, dhe po aq këmbëngulës për ruajtjen e barazisë së deputetëve të zgjedhur nga populli, si në të djathtë dhe në të majtë, në qoftë se e djathta dhe e majta juaj përkon me të djathtën dhe të majtën e sallës.

…Mbështes plotësisht shqetësimet e zotit Hajdari për rreziqet që i kanosen demokracisë në Shqipëri dhe e falënderoj që më ka kuptuar drejt edhe në interpretimin e aspiratave të zgjedhësve të tij për ndryshimin e kursit të qeverisjes, që ai të mos bjerë në duart e atyre që përmendi ai.

SEANCË PLENARE

E martë, 30.03.1993, ora 10:00

Po ju flas përfundimisht, qartë dhe pa ekuivoke në emër të Partisë Socialiste, duke iu përgjigjur edhe zotit Selami. Zoti Nano nuk ka asgjë në ndërgjegjen e tij. Atë që po përmendin kolegët e krahut të djathtë, i kemi të gjithë në koshiencën kombëtare dhe duhet t'i kapërcejmë. Ne kemi qenë të parët që ju kemi bërë thirrje të punojmë së bashku, ju kemi bërë thirrje të respektojmë shqiptarët e mjerë kështu siç janë, pa i etiketuar dhe pa i izoluar nëpër geto socialiste apo komuniste. Ju nuk u jeni përgjigjur këtyre thirrjeve. Megjithatë, ne nuk lodhemi së besuari se ju mund të jeni të gjithë tolerantë. Prandaj, në ka interes më të madh për ta çuar Shqipërinë në Evropë, për t'u pranuar në organizmat përkatës, të cilët i përmendi edhe zoti Selami, është të lëmë çdo punë dhe të përgatitim së bashku dokumentet themeltare që e futin këtë shtet realisht në Evropë, në vend të këtyre hartimeve fëminore.

…po jua rikujtoj. E para. Nuk kërkojmë pushtetin tuaj. Kërkojmë që ju të dini ta mbani atë dhe t'ju respektojë populli, duke respektuar të gjithë shqiptarët, siç janë dhe siç kanë dalë të mjerë nga diktatura komuniste, ku edhe ju keni qenë në këtë tokë, nuk keni ardhur nga një planet tjetër. E dyta, ne nuk ju kërkojmë pushtetin. Bashkëpunim do të thotë të kuptoni ju të parët mesazhin e zotit Berisha. Jo vetëm "mirëmëngjesi opozitë", por urdhëroni të kalojmë tërë ditën bashkë dhe të punojmë. Dhe në qoftë se ju shqetëson fakti që humbisni pushtetin, reflektoni për ta mbajtur në dobi të të gjithëve.

SEANCË PLENARE

E hënë, 05. 04.1993, ora 17.00

Fatos Nano

Me sa duket, politika agrare e ndjekur deri tani nga Qeveria, së pari, bien në kundërshtim me vetë programin e paraqitur dhe të miratuar në këtë Parlament prej saj dhe, së dyti, me interesat e shumicës së fshatarësisë, sepse ajo po shfaqet si një politikë agrare në interes të një pakice të vogël të fshatit, kur gjendja e fshatit përgjithësisht është e mjeruar. Po e mbështes këtë në faktet e mëposhtme, që janë prapë parciale:

Ndarja e tokës, që duhej të përfundonte më 15 qershor, praktikisht është bllokuar, madje në mjaft fshatra e zona ka mbetur prapa. Çështja e shpërndarjes së tapive është në nivele minimale. Strategjia e shpallur për riorganizimin e ish-NB-ve në shoqëri aksionare, komponent i vetë programit të PD-së, u zëvendësua me praktikën e shkatërrimit barbar të një pasurie me përmasa kolosale. E kam fjalën për 160 mijë hektarë tokë ose një të katërtën e pjesës më pjellore të tokës bujqësore të vendit, për mbi 1000 hektarë serra, 12 mijë ha vreshta, 30 komplekse gjysmindustriale të prodhimit të mishit e të vezëve, 60 mijë ha pemëtore e ullishte nga më modernet, mbi 20 mijë krerë lopë të racave të pastra etj. Një shembull fare minimal, por me përmasa drastike për zonën përkatëse, është Maliqi.

U tha se në gjendjen e sotme të bujqësisë shqiptare, Qeveria do të ndërtojë një politikë fiskale dhe krediti të posaçme për t'i favorizuar fermerët, ndërsa në fakt, me masat e politikës fiskale, më vjen keq që Ministria e Bujqësisë nuk arrin të krijojë partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, por i nënshtrohet asaj, bujku shqiptar nuk po njeh asnjë mbrojtje nga shteti, përkundrazi, po i thellohet barra e tatimeve. Mund të numërosh shumë fshatra e zona që sot edhe bukën e marrin me listë, dhe më pas jam i shqetësuar politikisht se do të pasojnë edhe produkte e nevoja të tjera të fshatit me këtë rrugë. Prandaj, objeksionet tona janë që politika agrare e Qeverisë të njohë realitetet konkrete të vendit dhe t'i vijë në mbrojtje shumicës së popullsisë.

SEANCË PLENARE

E martë, 4 maj 1993, ora 17:30

Fatos Nano

Do të ishte normale që diskutimin tim ta kisha filluar duke ju falënderuar që ma dhatë fjalën, por të them të vërtetën, e kam vështirë t'ju falënderoj, sidomos zotin Tomor Malasi, që gati për një javë rresht e ka shndërruar Parlamentin Shqiptar në një sallë shpifjesh dhe akuzash nga më monstruozet, duke shkelur ligjin, rregulloren deri në uzurpimin ushtarak, të dhimbshëm e të turpshëm të këtij tempulli të demokracisë.

E gjithë kjo, duke m'u mohuar fjala si deputet, si njeri, si kryetar i një partie, që ju e dini ç'peshë ka, fill pas aprovimit të ligjit "Mbi të drejtat themelore të njeriut". A nuk ju duket pak apo shumë anormale? Për ç'të drejta të njeriut mund të garantohet populli shqiptar në këto kushte? Në një situatë të tillë presioni e dhune, jo vetëm unë, por i gjithë Parlamenti është krejt i pasigurt dhe i pambrojtur. Le të shpresojmë dhe të përpiqemi që nga kjo gjendje të dilet dhe personat përgjegjës të marrin ndëshkimin e merituar.

Të nderuar kolegë, ndodhem përpara jush dhe kam insistuar të marr fjalën që t'i përgjigjem së vërtetës për një varg pseudoakuzash dhe shpifjesh nga më të ndyrat, që për gati 2-3 javë e sidomos në të ashtuquajturën interpelancë të zotit Blerim Çela më janë bërë mua, Qeverisë që kam kryesuar dhe Partisë Socialiste që me mandat legjitim drejtoj. …dua të deklaroj përpara Parlamentit Shqiptar dhe përmes tij gjithë popullit, me përgjegjësi të plotë personale, civile, qytetare dhe politike, se pseudoakuzat dhe shpifjet e paraqitura nga materialin e Blerim Çelës e kompani nuk janë gjë tjetër vetëm se një montazh i inskenuar politiko-elektoral, me synime të mbrapshta dhe të ulëta për të likuiduar dhe kufizuar lirinë politike, madje dhe fizike të Partisë Socialiste, të Kryetarit të saj dhe opozitën e vërtetë në Shqipërinë e sotme. Prandaj, bëj thirrje që autorët e këtij skenari t'i bëjnë llogaritë saktë.

Kjo çorbë e gatuar në kuzhinë antishqiptare dhe të lobeve të lidhura me to dhe që përdorin si mashë Blerim Çelën dhe njerëzit që qërohen nga kjo sallë, si ushtarë "Shvejk", nuk mund të bjerë veçse erë të qelbur por që, për fat të keq, nuk e ka gëlltitur vetëm zoti Blerim Çela. Me paturpësi dhe deficiensë politike dhe profesionale, Blerimi dhe ekipi i tij, lëshuan bombën tymuese të korrupsionit të Fatos Nano dhe të Qeverisë të tij.

Në deklaratën zyrtare të forumeve drejtuese Kombëtare të Partisë Socialiste të Shqipërisë, në konferenca shtypi dhe sot para jush përsëris në emër të socialistëve se as unë, as Qeveria që drejtova për tre muaj prej 25 shkurtit 1991 deri më 4 qershor të po atij viti, nuk janë të implikuar në asnjë lloj korrupsioni; pra, as në atë që lidhet me ndihmat italiane të emergjencës, për të cilat ritheksojmë mirë njohjen ndaj popullit dhe shtetit italian. Prandaj jua them ballë për ballë juve dhe popullit, Blerim Qelës dhe kujtdo tjetër; "Mos shpifni, mos mashtroni, ju o të mashtruar, sepse do të jepni edhe ju llogari shumë shpejt!" …zoti Çela kërkon të më akuzojë për ndihmat e emergjencës nga Italia përmes shkeljeve dhe favorizimeve me firmën “Levante Co”. Po sqaroj publikisht sa vijon: Firmën “Levante Co” nuk e ka caktuar Qeveria Nano. Ajo e gjeti të caktuar në përputhje me marrëveshjen midis Qeverisë Çarçani dhe asaj Italiane, sipas ligjeve në fuqi të shtetit italian dhe miratimit dypalësh para 26" shkurtit 1991.

…Zoti Çela, ju akuzoj se nuk keni asnjë dokument të saktë nga pala italiane, pasi të tëra dokumentet që hedhin dritë mbi këtë problem janë të bllokuara për së mbari, jo për së mbrapshti, në Itali, dhe për hetimin e gjykimin e tyre është sovrane vetëm drejtësia italiane. Ka një parim universal, të shprehur qartë në ligjet e shteteve të industrializuara të Evropës Perëndimore, se shteti që merr ndihma nuk ka të drejtë as etike, as juridike të përgojojë apo hetojë shtetin që i dhuron ato, kur organet e këtij të fundit nuk kanë ngritur asnjë problem për ndihmat e dhëna. Është fjala për dinjitet shtetëror dhe a mirënjohje që Shqipëria duhet t'ia shprehë zyrtarisht Italisë mike dhe fqinje. Mos e njollosni këtë solidaritet fqinjësh evropianë, sepse atje duam të vemi, sepse do të humbte dhe atë pak dinjitet që ju ka mbetur.

Nuk ju falënderoj!

*JAVA

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit