Home Uncategorized Fundi tragjik...

Fundi tragjik i një italiani, që ishte i dashuruar me Shqipërinë

27
0

Giampaolo Azzola, 55 vjeç, u vra në të gdhirë të 4 marsit, brenda ambienteve të lokalit të natës, “Ante Grand”, në Rrugën e Elbasanit, në një ngjarje që tronditi opinionin publik shqiptar. Një djalë i ri, Kostadin Xhuvani, 26 vjeç, i biri i një ish-aktoreje të famshme shqiptare dhe së fundmi parlamentare, Luiza Xhuvani, do t’i ndërpriste jetën sipërmarrësit italian, i cili në ditaret që mbante mbi përshtypjet ndaj Shqipërisë shprehte gjithnjë simpati për vendin tonë, dhe gjithashtu e kishte pritur mirë ardhjen në pushtet të shumicës së qendrës së majtë, të udhëhequr nga kryeministri Edi Rama. Por fati i sipërmarrësit italian, që u “dashurua” me “vendin e shqiponjave”, qe i tillë, tragjik. Ai që e qëlloi me tre plumba, njëri prej të cilëve e kapi në zemër, (sipas hetimeve të deritanishme aksidentalisht), ka qenë edhe më parë i dënuar me dy vjet për një vrasje që kishte ndodhur në vitin 2011. Italiani humbi jetën në vrasje e katërfishtë, me autor, Kostadin Xuvani, ndërsa e ëma e këtij të fundit, dha brenda ditës dorëheqjen nga detyra e deputetes. Ndërkohë, trupi i italianit Azzola është përcjellë drejt vendlindjes, ku edhe i është dhënë lamtumira e fundit nga familjarët. – “Është koha, të përpiqemi për të kuptuar njëri-tjetrin, nuk duam të flasim,” ka refuzuar me shumë edukatë mediat italiane djali i tij, Louis Carrara, ku brenda një vile në vendlindje ishte mbledhur familja dhe miqtë, në pritje të trupit, për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Ambasada Italiane në Tiranë është angazhuar për të transportuar të ndjerin Azzola, drejt vendlindjes. – “Ajo që ndodhi është shumë serioze, dramatike dhe e papritur, pasi gjithashtu ai ishte edhe një mik i yni,” – thotë oficeri në detyrë, në Ambasadën Italiane në Tiranë, Valeria Baistrocchi. – “Ne jemi duke ndjekur hetimet, por në këtë moment, ne nuk kemi marrë shumë informacion nga ana e policisë. Hetimet janë në vazhdim e sipër dhe po kryhen aktualisht në fshehtësi.” Mbetet për t’u konfirmuar nga hetimet, në fakt, në qoftë se Azzola ka qenë rastësisht i përfshirë në ngjarje, apo në qoftë se ai që tërhoqi këmbëzën e armës, kishte pasur synim për ta goditur atë. Ajo që dihet, ai ishte i ulur në një tavolinë, në një klub nate, dhe pas përplasjeve me armë mbeti i vrarë, bashkë me tre të rinj të tjerë shqiptarë.  Motivi për të shtënat mbetet një mister, për momentin.

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit