Home Forum Fatos Lubonja...

Fatos Lubonja: Katër skenarët pas të cilëve fshihet largimi i Saimir Tahirit

88
0

Fatos Lubonja ka bërë sot një shkrim mbi largimin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Ai shkruan se ka katër faktorë për largimin e Tahirit nga qeveria.

Faktori i parë, sipas tij, është Ilir Meta.

Lubonja shkruan se Ilir Meta po kërkon të rrisë pushtetin e tij si pasojë e krizës që ka shkaktuar çadra e opozitës, duke dalë si shpëtimtar i situatës, si në rastin e Reformës në Drejtësi. Në këtë mënyrë ai e lidh shkarkimin e Tahirit me një kërkesë të Metës.

Ky skenar, sipas Lubonjës, bëhet më i besueshëm me daljen e ministres Gjosha, e cila tha se vendi ka nevojë për një kryeministër si Meta dhe jo një arrogant si Rama, duke nënkuptuar se arroganca e tij e ka prodhuar këtë situatë.

Lubonja shkruan për Panorama, se Rama e ka pranuar me pahir që, për të siguruar mbështetjen e Metës për të dalë së bashku në zgjedhje, të shesë Saimir Tahirin, një njeri që “është përdorur dhe mund të përdorej më shumë se të tjerët si dorë e Ramës edhe kundër LSI –së së Ilir Metës”.

Një tjetër faktor, sipas Lubonjës,  janë ndërkombëtarët.

Lubonja shkruan se ata e kanë kuptuar falsitetin e “fabulës së Ramës duarpastër që lufton duarndoturit Berisha e Meta e që duhet ndihmuar t’i heqë qafe këta nëpërmjet reformës në drejtësi”.

“Duket se ata kanë grumbulluar tashmë edhe mjaft informacion, sa nëpërmjet vëzhgimit të punëve të qeverisë, aq edhe nëpërmjet shërbimeve të tyre apo punës së kundërshtarëve të Ramës, që u ka sqaruar se ajo që opozita e quan “republika e kanabisit” apo “e krimit” në krye të së cilës është dora e vetë Kryeministrit, është një realitet që duhet marrë seriozisht”, shkruan ai, duke hedhur hipotezën se “ndërkombëtarët ka gjasa t’i kenë çuar Ramës sinjale të qarta se me Tahirin, kredibiliteti i tij cënohet edhe më tej, veçanërisht në këtë situatë” kur flitet edhe për 1 300 kontenierë  me plehra të zhdukur.

Ka edhe një version tjetër, sipas Lubonjës, i cili në fakt është ka nisur të artikulohet prej ditës së djeshme.

“Qarkullon edhe një version, që i përjashton këta të tjerët, se Tahiri është shkarkuar për arsye të brendshme të konfliktit midis bandave dhe banditëve që mbështesin PS –në.

Se Rama pra, i kërcënuar nga disa banditë që i konsideron të rëndësishëm për pushtetin e tij, veçanërisht fushatën elektorale, u ka hequr atyre qafe një njeri që i pengonte në aktivitetin e tyre për shkak të lidhjeve të tij me banditë të tjerë rivalë”.

Ky version, sipas Lubonjës, edhe pse më i pabesueshëm se të tjerët, tregon për klimën dhe opinionin që qarkullon rreth institucioneve tona.

Një faktor i katërt, që mund të shpjegojë këtë ngjarje të papritur,, sipas Lubonjës është brishtësia psikologjike e Ramës në këtë moment krize.

Kjo dobësi, thotë Lubonja, vjen si kombinim i faktorëve të mësipërm dhe stilit të punës së Ramës.

“Kjo edhe pasi thellë -thellë ai e di lojën e pisët që kryen, lidhjet e pista që ka përdorur edhe faktin se është i rrethuar me njerëz të clëve ua ka dhe ia kanë me hile. Situata e rënduar sa nga çadra, edhe nga Meta e një pjesë ndërkombëtarësh apo edhe e kombinuar me interesa banditësh e ka bërë të thyhet përpara kohe, duke e dorëzuar Tahirin, pa menduar se kështu po i bënte një çarje të madhe fasadës së propaganduar deri të shtunën se kemi qeverinë dhe ministrin më të suksesshëm në historinë e këtyre 25 vjetëve. Në një hap të dytë duket se është penduar që ka bërë këtë hap dhe ka menduar ta frenojë rreshqitjen duke shpjeguar heqjen e Tahirit si riformatim të qeverisë për shkaqe elektorale. Duke ia njohur stilin e punës, nuk përjashtohet që ndërkaq veçmas Metës i thotë “e bëra për ty”, ndërkombëtarëve si lëshim që po i bën opozitës dhe banditëve në fjalë se e bëri për ata”, shkruan Lubonja.

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit