Home Magazine Faik Konica, ...

Faik Konica, patrioti i pazakontë

306
0

Nga Safet N. Ramolli

Një ndër evidentimet e përzgjedhura dhe të lançuara me kujdes nga të mirënjohurit Nasho Jorgaqi dhe Xhevat Lloshi, që kanë përmbledhur e përgatitur veprën krijuese të Faik Konicës, është edhe mirënjohja e tij e ndjerë për kontributin që kanë dhënë patriotët shqiptarë ndër vite. Konica, jo vetëm që pati një jetë të tejmbushur me veprimtari produktive në interes të çështjes kombëtare, por ai pati mençurinë të qëmtojë me kujdes dhe të evidentojë jo vetëm vlerat intelektuale dhe të personalitetit të disa prej atdhetarëve të shquar në lëmin e shqiptarizmës, por edhe të vlerësojnë e çmojë kontributin e tyre të çmuar për kombin shqiptar.

Por, edhe pse personalitet i përmasave ballkanike, evropiane dhe më gjerë, qëndrimi zyrtar i qeverisjes gati 50 vjeçare, të ardhur pas përfundimit të Luftës së II Botërore për Konicën ka qenë krejt shpërfillës, keqdashës deri në kufijtë e mohimit. Në literaturën shkollore të të gjitha niveleve, ka qënë i përjashtuar nga përfaqësimi. Por edhe politika qendrore dhe instrumentat e saj, që kanë shërbyer si “rripa transmisioni” të Partisë-Shtet, nuk është shprehur asnjherë pozitivisht për Konicën. Në se i referohemi Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, botimi Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, botim i vitit 1985, jo vetëm që nuk gjendet asnjë fjalë pozitive për këtë poliglot, në të kundërtën, është punuar me shumë merak, sipas porosisë së partisë-shtet, që të formulohen akuza nga më monstruozet. Ky personalitet shumëdimensional sulmohet në mënyrën më anakronike dhe më barbare të mundëshme. Ai akuzohet sikur gjatë gjithë jetës së tij është përpjekur të mbronte interesat e bejlerëve, si dhe lvizjen patriotike është përpjekur ta kufizojë vetëm në kërkesa kulturore. Por dihet fare mirë, që vendi atë kohë (fundshekulli XIX dhe gjysmës së parë të shek. XX) kishte probleme madhore që kishin të bënin me mbrojtjen e lirisë dhe të tërësisë territoriale. Por Konica akuzohet edhe sikur ka qenë kundër organizimit të kryengritjeve më 1896-1909, duke mohuar qëllimin e tyre për sigurimin e lirisë dhe të pavarësisë, por edhe sikur ka propaganduar idenë e autonomisë, por nën ombrellën e Perandorisë Austro-Hungareze, dhe pas përfundimit të Lufts I Botërore, Shqipëria të ishte nën protektoratin italian. Akuzat ndjekin njëra-tjetrën, p.sh sikur Konica, Luftën e Vlorës më 1920 e vlerësoi jo si luftë popullore për çlirimin nga pushtuesit italianë, por si shprehje të “verbërimit” politik. Sulmi vijojn me akuzën sikur në vitet 1921-1924 ai mbrojti interesat e çifligarëve e të bejlerëve, duke bërë përpjekje që të shfumonte vrullin e lëvizjes demokratike antifeudale, ndërsa pas dështimit të Lëvizjes së Armatosur në qershor 1924, u vu në shërbim të Ahmet Zogut, duke pranuar emërimin ambasador i qeverisë reaksionare në Uashington. Akuzat prekin edhe sferën e kulturës, sikur në revistën e mirënjohur “Albania”, të cilën e drejtoi me profesionalizëm dhe atdhetari në vitet 1896-1909, mbisundonte toni i sarkazmës dhe fyerja ndaj kundërshtarëve politikë personalë; dhe se në disa vepra letrare shprehte mosbesim ndaj popullit lidhur me aftësinë e tij për t’u integruar në rrugën e përparimit ekonomik dhe shoqëror. Në adresë të tij ka edhe mjaft akuza të tjera të tipit “sikur”, që “cënonin interesat kombëtare”.

Po, a mund të akuzohet një intelektual kompetent dhe brilant, një personalitet që përfaqësoi denjësisht qeverinë shqiptare në opinionin botëror me kulturë të gjerë,me argumente bindëse dhe kokëfortë, dhe me guxim si rrallëkush?!!! Për habinë edhe të opinionit botëror, kjo ngjau për këtë personalitet poliglot, i cili nuk kishte asgjë të përbashkët me akuzat monstruoze dhe dashakeqe që iu bënë.

Botimet pas vitit 1990, dhe sidomos ajo e cituar në krye të shkrimit, e pajisur me vlerësime të shumanëshme konkrete dhe bindëse, me siguri ka ndikuar, që tek disa studjues shqiptarë, “të shkundet” jo vetëm pluhuri i harresës, por sidomos përbaltja e qëllimshme e shtetit totalitar, për këtë personalitet të spikatur, ndërkohë studentët dhe studjuesit do të kenë rastin e mirë që të njihen me krijimatrinë e gjithanëshme të Konicës, por edhe me qëndrimin konseguent prej atdhetari, të cilat do të bëjmë kujdes t’i sjellim në vëmendjen e lexuesit në vijim. Konica ka qënë e mbetet një bashkëkombas jo i zakonshëm, por një bashkatdhetar i nderuar, prandaj edhe ka tërhequr mjaft vëmendjen e studjuesve të veprës dhe biografisë së tij. Jetoi vetëm 66 vjet, por ishte një jetë e plotëshme me veprimtari mbarëkombëtare. Shkruesi i biografisë së Konicës, bashkëshoku, Qamil M. Panariti, pohon prerazi e qartë se, Faiku lindi në Konicë të Shqipërisë, e cila atë mot (1876 S.R) ishte pjesë e Turqisë Evropiane, ndërsa pas dy Luftrave Ballkanike në vitet 1912-1913 mbetet si pjesë e Greqisë. Ishte krenar për vendinlindjen, gjithë jetën mbajti për mbiemër emrin e fshatit të lindjes.

Në vogël mori mësime intensive në gjuhën arabishte, greqishten e vjetër, latinishten dhe frëngjishten. Inteligjent nga natyra, por edhe vullnetplotë, në kolegj në Francë, përfundoi dy klasë gjatë një viti akademik shkollor. Nga ana tjetër, Liceu Perandorak i Galata-Sarajit në Turqi, me orientim dhe faktikisht profrëng, sidomos Universiteti i Dizhonit në Francë, i mundësuan të njihet me historinë e Francës dhe të vendeve të tjera të Evropës, por edhe me letërsinë e tyre të pasur e të gjerë. Në Universitetin e Masaçuninit të SHBA-së, të vëllazëruar dhe unifikuar me Universitetin e Harvardit të Kembrixhit, përfitoi ndër të rrallët gradën shkencore “Mjeshtër i Arteve në Letërsi”.

I kompletuar me kulturë oksidentale, njohu mirë edhe atë orientale, dhe i pajisur nga natyra edhe me dhuntinë si orator, bëhej tërheqës dhe i dëshirueshëm për auditorë të kualifikuar. Fillon të botojë që kur ishte student. I gjerë dhe i thellë në mendime, realitetin e perceptonte me lehtësi dhe e pasqyronte me vërtetësi. “Trokiti” me kurajo në dyertë e poezisë, të prozës poetike, të portretit e të prozës së shkurtër, të kritikës letrare e të essesë, të satirës, të përkëthimeve, të studimeve historike, por provoi me sukses edhe lëvrimin e prozës së gjatë. Gjithësesi, studjuesit, biografët, analistët dhe kritikët e veprës së tij, kanë rënë në “emërues të përbashkët”: ndërsa kishte horizont të gjerë dhe në krijimtari rrokte tematikë të larmishme dhe interesante me karakter historik, social, shoqëror, statist etj.; përgjithësisht nuk zotëronte durimin e duhur për të çuar punët deri në fund. Megjithatë spikat mes bashkëkohësve si një ndër prijësit e artit dhe të kulturës moderne shqiptare, vlerësim i pohuar me zëplotë edhe nga studjues perëndimorë.

Biografët, bashkëshokët dhe pregatitësit e kësaj vepre madhore, pranojnë dhe pohojnë pa mëdyshje se, Konica ka qënë ndër shqiptarët e rrallë, që u lidh me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare më shumë sesa shpirtërisht. Nëse, mjaft të tjerë u lidhën me çështjen kombëtare, Konica “… u zhyt në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare” për të qënë prezent dhe aktiv përgjatë udhëtimit të Anijes Kombëtare Shqiptare në udhëtimin e saj, jo vetëm si një udhëtar i zakonshëm por edhe si një timonier i orientuar qartë drejt Nordit. Faik Konica nuk u integrua rastësisht në këtë lëvizje dhe as i papregatitur. Përkundrazi, ai vinte nga një familje e vjetër feudale e dëgjuar për atdhetarizëm, trimëri, besnikëri, ndershmëri dhe fisnikëri. Biografët nënvizojnë edhe faktin që, Faiku kishte lidhje fisnore me Ali Pashë Tepelenën sepse, e ëma e këtij të fundit ishte pikërisht nga dera e madhe e bejlerëve të Konicës. Kështu, edukata familjare dhe lëvizja kombëtare i ngulitën vetëdijen patriotike për misionin kombëtar që do të realizonte gjithë jetës, ashtu sikurse edukimi i gjerë shkollor, e pajosën me formim e kulturë të plotë perëndimore, me mënyrën e organizimit dhe të zhvillimit të veprimtarisë së shoqërisë në vendet më të emancipuara, më të përparuara e më të demokratizuara të kohës. Kësisoj Konica do t’i përmbahej deri në fund linjës së drejtimit demokratik perëndimor të shoqërisë shqiptare.

Fan Noli, një nga bashkëshokët dhe bashkëluftëtarët e afërt dhe të besueshëm të Konicës për shumë kohë, pohon sinqerisht se, në periudhën 1897-1912 Faik Konica dhe Shahin Kolonja kanë qenë dy nga pionierët më të shquar të Pavarësisë së Shqipërisë. Kur ishte 19 vjeç, nxënës në Francë, botoi një artikull me të cilin thumbon një personalitet turk, i cili nuk i bënte vendin e merituar kombit shqiptar. Në të pastajmen çështjen kombëtare e mbrojti jo vetëm me pathosin e atdhetarit, por edhe me guximin, mençurinë e intelektualit dhe me zhdërvjelltësinë e diplomatit. U lartësua si patriot duke kryer veprimtari atdhetare në vatrat kryesore të metropoleve evropiane. Parisi, Londra, Brukseli, etj., do të kishin prezent dhe aktiv për mjaft kohë, në rolin e veprimtarit e të ndërmjetësuesit të zgjuar, potent, këmbëngulës e trim të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, F. Konicën.

E donte vendin dhe popullin e tij, prandaj i grishte bashkatdhetarët, që të krenoheshin me vlerat patriotike e morale të të parëve të tyre, duke e stigmatizuar popullin shqiptar si “… një komb trimash…”, i cili ngrinte Flamurin Kombëtar në ballë të betejave sa herë që armiku e kërcënonte. Lirinë e bashkëkombasve dhe të krejt kombit shqiptar, e gjykonte me realizëm. Ai mendonte se, nuk mund të ketë komb të lirë pa qytetarë të lirë. Për lirinë e individit formulon këtë frazeologjizëm filozofik: “Liria është e drejta e çdo njeriu për të besuar atë që dëshiron, për të folur atë që ka në zemër, për të shkruar atë që ka në mendje dhe, për të bërë atë që i pëlqen, me kusht që të mos dëmtojë asnjë njeri tjetër”.

Jo vetëm që e pranon, por shpesh herë pohon se, atdheu dhe populli për atë ka qënë dhe mbetet i shtrenjtë, prandaj i revoltuar prej qëndrimeve të disa turkomanëve, por edhe të disa të tjerëve që e pranojnë shtypjen, shprehet me mllef dhe keqardhje përmes vargjeve : “…Është turp prej kësi krimbash, / Të mundohet një komb trimash…,” ose “… As nder, as turp, as gjak s’ kini, / Unjni kryet dhe po rrini…”.

Faik Konica – mirënjohës për kontributin e atdhetarëve shqiptarë

Nga qeveria shqiptare e dalë pas përfundimit të Luftës II Botërore, padrejtësisht është kritikuar ashpër, deri në kufijtë e mohimit apo të përjashtimit. Akuzat ndaj këtij personaliteti madhor të çështjes shqiptare janë të shumta. Midis të tjerave akuzohet sikur ka mbajtur qëndrim indiferent, deri edhe mohues, ndaj mjaft drejtuesve të administratës shtetërore dhe kontributit të tyre. Njëherësh akuzohet, sikur, me pa të drejtë, ka kritikuar me tone të ashpra dhe përmes sarkazmës së mprehtë disa nga bashkëpunëtorët e tij, por edhe të tjerë në përgjithësi. Është e vërtetë, që Konica ka qenë vëzhgues i vëmendshëm dhe i rreptë ndaj administratorëve të vendit nga nivelet më të ulta deri tek ato qëndrore. Në vitin 1913 mundi të bëjë një vizitë në vendlindje, dhe i pakënaqur me mënyrën e administrimit dhe rezultatet e arritura, lëshoi “rrufe” edhe ndaj “Plakut të Vlorës”. Mendoj se kritikat qëndrojnë, por nuk janë mbajtur parasasysh sa duhet kushtet në të cilat veproi kjo qeveri: afati kohor ishte i shkurtër, vetëm një vit; territori qe i kufizuar në një  trekëndësh të ngushtë; armiqësia e fqinjëve qe e ashpër; përçarja midis krerëve në zona të ndryshme ishte mjaft evidente etj. Ato u shndërruan në gurë “nën rrota” për veprimtarinë e kësaj qeverie. Por Konica ishte sidomos kritik për paaftësinë, por edhe për mungesën e dëshirës për të punuar me përgjegjshmëri të punonjëve të administratës. Dhe për këtë çështje kishte mjaft të drejtë. Këto qëndrime kjritike të tij nuk e errësojnë aspak vlerësimin që kishte për kontributin e atdhetarëve shqiptarë në shërbim të çështjes shqiptare. Më poshtë do të vërejmë, se atdhetarët e vërtetë dhe kontribuesit me vlerë të çështjes shqiptare, ai i gjen në gjithë shtrirjen gjeografike të Shqipërisë dhe jo në veri apo jugë; në gjithë besimet fetare pa bërë dallime midis ndarjeve fetare etj.

Faik Konica është njohës shumë i mirë i historisë së kombit shqiptar, si dhe vlerëson e çmon kontributin që kanë dhënë atdhetarët shqiptarë në lëmin e politikës, të krijimtarisë letrare, të diplomacisë, të trimërisë, të respektimit të të drejtave të shqiptarëve por edhe të popujve të tjerë etj. etj, por gjithëherët në dobi të çështjes kombëtare shqiptare. Ai u është mirënjohës paraardhësve dhe bashkëkombasve, të cilët çështjen shqiptare e bënë gjithmonë dhe kaherët të tyren jo vetëm në teori, por sidomos në veprimtarinë praktike.

Avdyl Frashërin e lartëson, kur në kujtimet për atë, përpos të tjerash shprehet edhe sa vijon: “… tepër i papjekur, mjerisht nuk kuptoja në ato ditë të lumtura për mua, fjalët që dilnin si zjarr i qëruar nga goja e tij”.  Për Naimin e letrave shqip, veçon epitetet e spikatura: “zemërqëruar, mendjehollë, fjalëkripur, mendjelëruar, ndjesëhollë”, etj. etj. Ali Pashë Tepelenës i mvesh mjaft epitete, midis tyre edhe togfjalëshin “… luani që i vuri shpatën Turqisë…”, ndërsa Jeronim de Radën e kualifikon ndër shqiptarët që e kanë dashur vendin e tyre me zjarr, që nuk janë vetëm shqiptarë por edhe atdhetarë. Atë Gjeçovin e veçon nga të tjerët si një njeri me mendje të ndritur, me zemër të mirë e të madhe, me fjalë të paka por me vend, si “… një nga njerëzit më të lartë…”, që ka patur Shqipëria, pra “… si një lartësi e përulur, … një lartësi shpirti dhe mendjeje e panjohur…, një njeri që shpërndante veç fjalë të urta dhe ngushëllime njerëzore, … i ditur me  një dituri patingëllimë, po edhe shqiptar i kthjellët”.

Bajram Currin e tipizon si njeriun fisnik, me tipare të  skalitura mirë trupore, të mençur prej natyre, të kulturuar në sjellje e veprime, të civilizuar si një evropian i vërtetë, por sidomos “… liberal në mes të despotizmës, patriot në mes të tradhëtisë…, i patrembur në armët…, një besnikëri e patundur në fjalën që jepte…”.

Por krejt natyrshëm Konica kishte një admirim të veçantë për At Gjergj Fishtën, prandaj për atë shprehet gati me superrelativa kur midis të tjerash artikulon edhe sa vijon:  “Dëshiroj të përmend të parin Gjergj Fishtën, një at françeskan i lindur në Zadrimë, i cili është më tepër se thjesht një poet, ai ka qënë për një çerek shekulli një prijës intelektual i shquar…”. Më tej Konica pohon se levantinët i ngjisin sëmundjen e shpirtit njëri-tjetrit, “aqë sa At Gjergj Fishta, në ato ditë të bukura e të lumtura që shkuam bashkë në Boston shumë vjet më parë, at Gjergj Fishta më thosh se pas mëndjes së tij ka në Shqipëri jo vetëm njerëz që janë levantinë…”.

Konica bën vlerësime të nënvizuara edhe për Ismail Qemalin, të cilin ndonjëherë e kritikon për mangësitë në qeverisjen njëvjetore, por mbi të gjitha e epiteton Burrë Shteti, i cili i ka kryer shërbim të paçmuar Perandorisë Turke, por njëherësh ai ka meritën e veçantë se është “… njeriu që shpalli pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912”.

Përbën një fakt të njohur historik bashkëpunimi i Konicës me Fan Nolin. Ai shprehet se e ka patur Nolin bashkëshok, bashkëpunëtor dhe bashkëluftëtar të besueshëm dhe të respektueshëm, por edhe kundërshtar për ca kohë. Por njëherësh ka kurajon qytetare dhe intelektuale, që ta vlerësojë Nolin si një fytyrë historike të qëndrueshme në kohë, që ka luajtur rol të rëndësishëm dhe të madh në lëvizjen kombëtare shqiptare. Gjithësesi formulon edhe mendimin se është “… mëndjehapur…, nga kultura, nga mendësia dhe nga karakteri i tij më kujton shpesh kishtarët e Përlindjes Italiane… Pa dyshim, shkrimtari i sotëm shqiptar më i rëndësishëm është hirësia e tij, peshkopi Fan S. Noli, reformator i kulturës, gojëtar, udhëheqës politik, kompozitor muzike dhe njeri me shumë dhunti të tjera”.

Si për të përmbyllur portretizimet, të cilat Konica i realizon me aqë finesë, mjeshtëri dhe besnikërisht, le të nënvizojmë se si e dëshironte portretin e shqiptarit në përgjithësi. “Vetëm një gjë duam të shtojmë: shqiptarët njohin e duhet të njohin për të tyre vetëm ata që, kurdo, kundër të gjithëve, janë, thuhen, rrëfehen e provohen : Shqipëtarë!”, përfundon F. Konica.

 

  1. Konica i vlerësuar brenda e jashtë vendit

Gjthësesi, duhet pranuar dhe pohuar se, ai i meriton plotësisht epitetimet, që i janë rezervuar prej personalitetesh të njohur të fushave të ndryshme, qofshin ata shqiptarë por edhe të huaj.

Biografi i tij më i besueshëm Qamil Panariti, posë të tjerash, formulon edhe këto epitetime: “Ka qënë burrë i përsosur, një pritës i pakapërxyeshëm, një rrëfimtar i rendit të parë, zotëronte një kujtesë të fortë e të shkëlqyer”, … një enciklopedi e gjallë për njohuritë e gjëra dhe fushat e ndryshme të njohjes…”, “Princ i gjuhës shqipe…, kryelëronjës i gjuhës sonë”, e mjaft të tjera si këto.

Fan Noli, kur midis të tjerash shprehet edhe: “… Nuk ngurojmë që ta përmendim Konicën krahas me këta mjeshtra, sepse ai ka qënë një stilist i përkyer, një studjues i shkëlqyer dhe patriot i madh shqiptar… Çështja kombëtare shqiptare ka qënë parimi i gjithë jetës së tij… Ishte njeri me kulturë të lartë…, … të gjithë autorët shqiptarë që vijnë pas Konicës janë nxënësit e tij, duke përfshirë edhe shkruesin e këtyre rradhëve…”.

Gijom Apolineri, shkrimtar dhe mik i tij, dhe Zhyl Lë Metri, e kanë quajtur “enciklopedi shtetërore”, që “e dinte frengjishten si një francez” dhe “Ky i huaj që e shkruan kaqë mirë gjuhën tonë!”

Një analist nga më të mirë-informuarit shprehet edhe sa vijon: “… Konica ishte bujar deri në faj e mëkat; nga ana politike ka qënë një oportunist që ka vepruar në shumicën e rasteve emocionalisht…., besonte me një lehtësi të skajëshme…”.

Një autor i huaj formulon edhe këtë konsideracion: “… Konica si kryqtar atdhetar i ka bërë vehtes një vend të madh në luftën e kombit të tij për shtetësi dhe gjithmonë do të mbahet,… si ati themelor i Shqipërisë moderne, … ai ishte një populist, një lloj Volteri shqiptar…”. Anglezi H. Breilford, në librin e tij “Makedonia”, shprehet edhe sa vijon: “… Një dijetar e studjue, …, Filolog që dinte gotishten dhe sanskrishten, ashtu siç dinte frengjishten, gjermanishten dhe italishten dhe gjithë gjuhët e Ballkanit… Konica është shqiptari më i arësimuar dhe më i edukuar i kohës së vet”.

Një gazetar amerikan më 12 prill 1939 shprehet: “… si përfaqësues i një vendi të vogël pak kush nga diplomatët i ka bërë vehtes një vend kaqë të rëndësishëm në Uashington sa Faik Konica, ministër i qeverisë së rrëzuar të Shqipërisë”. Vlerësim ky, që është bërë objekt debati jo vetëm në politikën por edhe në botën akademike shqiptare, pas viteve 1990.

Më 20 tetor 1938, At Gjergj Fishta i dhuron librin “Lahuta e Malëcisë”. Në kopertinë i vendos dedikimin: “Njeriut më të ditur, Faik Konicës, gjykatësi i letërsisë shqipe më eleganti, me miqësi të përherëshme e të përulur!”

Në ceremoninë e varrimit kishin ardhur qindra adhurues, qofshin miq apo të njohur. Kishin ardhur edhe përfaqësues nga Miduseti, Detroiti, Miçigani, Ohaijo, Uest Verxhinia etj. Në qëndër të Bostonit, në një sallë të madhe, u kryen shërbimet e varrimit. Fjalën e përzishme e mbajti bashkëshoku, bashkëluftëtari dhe bashkatdhetari i tij, peshkopi Fan S. Noli. Ishte një fjalë e përzishme në shqip e anglisht, jo se kështu e deshte rasti ceremonial, por sepse Faik Konica meritonte shumë lotë, psherëtima e dhembje… Peshkopi Fan Noli e mbylli fjalën me shprehjen: “Zoti i plotfuqishëm i dhëntë paqen e përjetëshme!”

Kështu u mbyll kjo jetë komplekse. Amaneti i tij që, eshtrat të preheshin në tokën shqiptare, ishte një amanet i dhembshëm më tepër se gjithë amanetet e tjera, sepse pati fatin e keq të mos krijonte as familje. Por të ndodhurit e vendit tonë në luftë, e sidomos rrethanat që u krijuan në përfundim të saj, ky amanet nuk do të realizohej në kohë. Por në vitin 1995 eshtrat e shqiptarit të ndershëm Faik Konica shkelën në tokën e amëshuar shqiptare. Dy metrat vend, që pati dëshiruar në atdheun e tij të shtrenjtë, u gjendën në Kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë, ku besojmë se është bërë realitet edhe lutja e Fan Nolit që, Zoti i plotfuqishëm t’i ketë falur paqen e përjetëshme këtij “shpirti të rebeluar”.

Ja kjo ishte motua e një jete të madhe, e një jete që u jetua vetëm për atdhe e komb.

 

 

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit