Home Uncategorized Etleva Bisha:...

Etleva Bisha: Ndihma ekonomike, nuk duhet të nxisë parazitizmin

339
0

 

Intervistoi: Viola Thoma

Znj. Etleva, ju jeni aktualisht drejtoresha e një prej tre institucioneve më të rëndësishme në varësi të Ministrisë së Mirëqënies Sociale. Sa i vështirë ka qenë për ju ky post, duke u nisur nga misioni që ka ky dikaster? A ka hasur pengesa puna juaj?

Fillimi ka qënë jashtëzakonisht shumë i vështirë, sepse për fat të keq, institucionin e gjetëm në një situatë të vështirë. Ai nuk po e kryente rolin dhe funksionin e vet. Ju kujtoj se në momentin që unë u emërova, familjet që do të përfitonin ndihmën ekonomike apo personat me aftësi të kufizuar prej mëse tre muajsh nuk po merrnin pagesat e tyre, për shkak të keqmenaxhimit të fondeve, si dhe prej fryrjes abuzive të secilës prej skemave. Gjithashtu, në funksionet që Shërbimi Social kishte, mungonin mekanizma të qartë të ngritur, të cilat janë të rëndësishëm për vazhdimësinë e punës. Kështu, situata që gjetëm, normalisht do të  krijonte pengesa dhe paraprinte tek ne një numër të madh sfidash, të cilat vlen të përmendet se janë kapërcyer. Një tjetër sfidë e jona lidhet me rolet dhe funksionet që Shërbimi Social ka, e për të qenë të suksesshëm nuk mjafton vetëm çfarë bën shërbimi social, por edhe çfarë bëjnë aktorë të tjerë. Kam parasysh këtu faktin që kur flasim për shërbime sociale, shërbimet në parim duhet të jenë të ngritur atje ku janë qytetarët, pra sa më afër komunitetit dhe kjo nxjerr në plan të parë rolin e qeverisjes vendore. Së pari, për të  identifikuar nevojat e grupeve vulnerabël në kushtet lokale dhe më pas, për të ngritur shërbime që u vijnë në ndihmë këtyre grupeve. Për hir të së vërtetës, njësitë e qeverisë vendore në Shqipëri, me pak përjashtime, mund të përmend Bashkinë e Elbasanit e cila ka një model shumë të mirë të funksionimit të shërbimeve lokale. Është ngritur një partneritet shumë i mirë nëpërmjet qeverisjes vendore dhe organizatave joqeveritare, por janë shumë të pakët momentet ku njësitë e qeverisjes vendore realisht kuptojnë dhe vlerësojnë rolin që ato duhet te kenë në ofrimin e shërbimeve sociale. Mungesa e këtij roli nga njësitë e qeverisjes vendore, krijon një presion të vazhdueshëm mbi shërbimin social, sepse është dashur që gjatë këtij viti të mund të menaxhojmë raste të familjeve, të cilat nuk kanë vetëm nevojë për ndihmën ekonomike, por ka nevojë për një sërë shërbimesh të tjera që ofrohen nga aktorë të tjerë dhe jo domosdoshmërisht nga shërbimi social. Kështu që mund të themi se kjo është një tjetër sfidë që vijon të jetë e tillë për sa kohë që në Shqipëri  njësitë e qeverisjes vendore nuk do të kuptojnë që sikurse kanë përgjegjësi për zhvillimin ekonomik vendor, kanë përgjegjësi edhe në këndëvështrimin e zhvillimit social.

Tashmë ka kaluar plot një vit nga emërimi juaj në këtë post, çfarë ka ndryshuar ky institucion në varësi? Konkretisht?

Së pari, Shërbimi Social është i fokusuar në tre shtylla kryesore: Në mirëmenaxhimin e fondeve në lidhje me ndihmën ekonomike; në mirëmenaxhimin e fondeve të aftësisë së kufizuar; në ofrimin e shërbimeve të përkujdesit. Në secilin prej këtyre drejtimeve, ne kemi ndryshuar jashtëzakonisht shumë komponentë. Së pari, në këndvështrimin e ndihmës ekonomike, përgjatë një viti, shërbimi social përmirësoi cilësinë e kontrolleve që kryen nga legjislacionet pranë njësive vendore.  Ky është viti i parë që të gjitha njësitë e qeverisjes vendore janë kontrolluar në mënyrë të plotë në përputhje me legjislacionin dhe si rezultat i këtyre kontrrolleve me standartet e duhura ne arritëm të shmangnim abuzimet nga skema e ndihmës ekonomike. E gjetëm skemën me 106 mijë familje dhe ka përfunduar skema sot në rreth 80 mijë familje. Në fakt, për ne shifrat nuk kanë ndonjë rëndësi, për ne e rëndësishme është që fondet e ndihmës ekonomike realisht të shkojnë tek familjet që kanë nevojë për ndihmë. Duhet të them që ka pasur familje të cilat kanë përfituar në mënyrë abuzive dhe nuk do përfitojnë më, ndërkohë kemi familje që kanë dalë nga skema dhe kjo në sajë të një ndërveprimi të mirë midis Shërbimit Social Shtetëror dhe zyrave të punës. Mirëmenaxhimi financiar nënkupton faktin që me një buxhet vjetor i cili për hir të së vërtetës është më i mirë se i vitit të kaluar, nga 4.2 miliardë lekë këtë vit ka shkuar në 4.8 miliardë lekë dhe me këtë fond të rritur dhe me një numër më të vogël familjesh të cilat përfitojnë këtë ndihmë ekonomike, ka krijuar mundësinë që familjet që marrin ndihmë ekonomike të jenë në përputhje me ligjin! Vitin e kaluar, pagesat nuk ishin të mjaftueshme dhe kishte familje që duhet të merrnin katërfishin apo trefishin e pagesave së ndihmës ekonomike dhe përfundonin duke marrë shumë pak, sepse nuk ishte fondi i duhur për të përballuar pagesën në përputhje me ligjin; gjatë gjithë kësaj kohe janë trajtuar këto raste duke u dhënë masën e duhur në përputhje me ligjin. Aftësia e kufizuar ka qenë një tjetër prioritet për ne gjatë gjithë vitit edhe atje kemi pasur ndryshime të rëndësishme, duke filluar nga takimet me mjekët. Arritën të identifikonim faktin se në dosjet e personave me aftësi të kufizuar, rreth 30% e tyre kishin mospërputhje të legjislacionit, dhënie të aftësisë së kufizuar jashtë kritereve mjekësore, trajtim të individëve që nuk duhet të përfitonin të njëjtën shumë monetare. Gjatë këtij viti, ne ngritëm dymbëdhjetë njësi task- force në dymbëdhjetë qarqe të vendit dhe duke u bazuar në këtë skemë, mundëm ta pastronim edhe njëherë sistemin. Pra, në sajë të kësaj pune, ia dolëm që për herë të parë skema e aftësisë së kufizuar, jo vetëm që nuk ka rritje por ka rënie, pavarësisht se ka qenë rritja natyrale prej 6% për shkak të shmangies së abuzimeve. Skema e aftësisë së kufizuar ka rënë me 8% që pas 2011-ës  dhe  pas pastrimit të skemës, personat i kanë marrë pagesat e plota. Ky është një sukses jo vetëm për Shërbimin Social Shtetëror, por edhe për shtetin shqiptar. Në Shqipëri ka plotë 28 institucione përkujdesi dhe ajo që është përmirësuar gjatë këtij viti ka qenë një ndërhyrje në cilësinë e shërbimit,  nëpërmjet kontrollimit të cilësisë së shërbimit. Ndërkohë, vlen të përmendet nisma e “Rrjetit të Miqve të Shërbimit Social” dhe në të paktën shtatë prej këtyre qendrave, biznese të ndryshme kanë ndihmuar që të përmirësohet cilësia e infrastrukturës. Gjithashtu, është bërë publike dhe thirrja që e mira e një fëmije është qëndrimi pranë familjes së vet e jo në institucion, sado që ne përpiqemi të ruajmë standartet e institucioneve tona. Gjatë këtij viti, janë rreth 56% më pak fëmijë të çuar në institucione përkudesjeje, në krahasim me 2013 dhe kjo ka ardhur si rezultat i punës së fortë që ne kemi bërë për mosdërgimin e fëmijës së institucion, duke u ofruar alternativa mbështetjeje familjes së fëmijëve duke i fuqizuar ata. Ka pasur një rritje të ndjeshme të kujdestarisë, nëse në 2012 ka pasur vetëm 66 femijë të vendosur në këto institucione, gjatë 2014 janë gati 200 fëmijë të vendosur dhe Shërbimi i Kujdestarisë është shumë i rëndësishëm për të parandaluar institucionalizimin. Ndërkohë kemi pasur rezultatet konkrete edhe në kthimin e fëmijëve që janë në institucione pranë familjeve. Pra ky numër llogaritet në rreth 20% më i lartë se sa një vit më parë.

Kemi informacion se kohët e fundit institucioni juaj ka ndërmarrë disa nisma për situatën e fëmijëve në rrugë, mund të na pohoni diçka, si po ndryshon kjo situatë?

Gjithashtu, kemi ndërmarrë dhe nisma të reja, e cila është ajo e fëmijëve të rrugës, nuk është një nismë vetëm e SHSSH, por edhe e ministrisë së Mirëqenies Sociale, ministrisë së Brendshmë, Agjencisë së Mbrojtjes së Fëmijëve në partneritet me njësitë e qeverisjes vendore. Padiskutim, që ka shifra konkrete, mund të konstatohet se në vende të ndryshme të Tiranës, fëmijë që lypin nuk ka. Ata fëmijë që dikur lypnin, sot janë në shkollë, çerdhe, kopshte, ose në qendra ditore që ofrojnë shërbim për fëmijët. Ndërkohë, prindërve të tyre u janë ofruar ose alternativa punësimi, ose formim profesional.

Së fundmi, ka pasur një ndryshim të madh gjithashtu dhe në skemën e ndihmës sociale. Si u bë procesi i verifikimit nga organet kompetente?

Gjatë këtij viti, është punuar për të pilotuar një model të ri të ndihmës ekonomike, është pikërisht një model që po pilotohet me mbështetjen e Bankës Botërore dhe është një model për të cilin është punuar prej vitesh. Sivjet është viti i parë që po pilotohet ky model i ri në tre qarqe, në Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Sistemi i ri është tepër efektiv krahasuar me sistemet e tjera që po përdoren nëpër institucionet në mbarë vendin. Vlerësimi për familjet të cilat duhet të përfitojnë ndihmën ekonomike nuk bëhet më mbi kriteret e administratorëve, i cili konstatohet si vlerësim subjektiv. Në këto tre qarqe është ngritur një sistem elektronik  ku familjet që kërkojnë ndihmë ekonomike i drejtohen administratorit social, i cili ka një pyetësor në formë elektronike dhe ky pyetësor deklaron gjendjen ekonomike të individit, më tej, pas hedhjes së të dhënave administratori bën një verfikim të të dhënave pranë familjes dhe pasi është bërë ky verifikim, lista e të gjitha familjeve, regjistrimi i të cilave bëhet nga data 1-10 të çdo muaj, kalon në Këshillin e njësisë vendore dhe më pas, në drejtorinë rajonale të Shërbimit Social. Drejtoria në fjalë verifikon për secilën prej familjeve, në formë elektronike nëpërmes sistemeve të kryqëzuara. Familjet të cilat deklarojnë në mënyrë të vërtetë kalojnë në fazën tjetër, për familjet që kanë bërë deklarime të rreme procesi nuk vazhdon më. Ndërsa për familjet që kanë kaluar fazat e aplikimit, i nënshtrohen një formule të pikëzuar, e cila përbëhet nga një tërësi koefiçientesh statistikorë dhe kjo formulë u jep mundësinë e pajisjes me pikë të këtyre familjeve.

Por jo të gjitha familjet mund të marin ndihmë ekonomike, pra sistemi ka të përcaktuar një prag, i cili ndan familjet të cilat janë në një gjendje të vështirë ekonomike dhe nuk kanë mundësi punësimi e familjet të cilat plotësojnë disa kritere por nuk përfitojnë ndihmë ekonomike për shkak se janë të aftë për të punuar. Duke qenë se procesi është pilot, mund të themi se  është duke nxjerrë rezultat të mirë duke u siguruar familjeve që nuk kanë mundësi për të punuar një shumë tre herë më të madhe sesa ajo që kanë përftuar më përpara. Paralelisht, gjithashtu po kryhet vlerësimi për një proces përmirësimi. Ndërsa për familjet tepër të varfra, ne po u gjendemi në krahë, nëpërmjet njësive të qeverisjes vendore, i cili financohet nga buxheti kombëtar. Gjithashtu, sa herë kemi pasur familje shumë të varfra kemi operuar dhe me organizata joqeveritare.

Si ka ndikuar në buxhetin e shtetit skema e re e ndihmës ekonomike, duke qenë se më përpara është konstatuar një fryrje e kësaj skeme, e cila ka sjellë një deformim në buxhetin e shtetit?

Ajo që ne kemi bërë gjatë këtij viti ka qënë mirëmenaxhimi financiar, si për ndihmën ekonomike edhe për skemën e aftësisë së kufizuar. Të gjitha fondet e qeverisë shqiptare për këta dy komponentë janë mirëmenaxhuar. Skemat janë mirëmenaxhuar dhe kemi pasur një rritje të fondeve dhe ky fond ka shkuar te familjet që duhet ta marrin pagesën dhe së dyti, duke i trajtuar ato me një pagesë më të mirë se më parë.

Si është menaxhuar situata në rastet kur nuk ka pasur një llogaritje jo të saktë të ndihmës ekonomike nga titullarë të caktuar?

Aktualisht në Shqipëri po zbatohen dy modele, aktualisht është modeli tradicional që është përdorur gjatë gjithë këtyre viteve në nëntë qarqet e vendit, ndërsa në tre qarqet pilot është modeli i sipërmendur. Ndihma ekonomike duhet të kalojë përmes punësimit, sepse është konstatuar numër i lartë familjesh që përfitojnë ndihmë ekonomike, ndërkohë që janë të aftë për punë. Ndihma ekonomike nuk mund të konsiderohet si një mënyrë për të nxitur parazitizmin e qytetarëve dhe as informalitetin në tregun e punës. Ndihma ekonomike nuk merret për pagesa të tjera, si përshembull energjine elektrike. Ky është është një lloj tjetër kompënsimi. Pram ndihma ekonomike është për jetesë, pra e ndihmon familjen që gradualisht të dalë nga ky sistem dhe të kërkojë punësim. Kjo duhet të ndryshojë, ndihma nuk duhet të nxisë informalitetin dhe parazitizmin. Është e padrejtë për pjesën tjetër të popullsisë! 

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit