Home Uncategorized Ekonomi në Lu...

Ekonomi në Lushnjë, hapet zyra pilot për Mbrojtjen e Konsumatorit

78
0

Konsumatorët duhet të jenë të informuar për të drejtat e tyre dhe  të ankohen për t’i vënë në vend këto të drejta për çdo produkt industrial apo shërbim që ata marrin nga operatorët ekonomikë në vend. Kështu ka deklaruar Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes sot në Lushnjë në Ditën Botërore të Mbrojtjes së Konsumatorit, e cila festohet në gjithë botën më 15 mars.

Ministrja Ekonomi ndodhej në Lushnje pikërisht për hapjen e zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorit në këtë Bashki, e cila është një nga bashkitë pilot bashkë me Elbasanin dhe Tepelenën, ku gjithashtu u hapën sot zyrat e Konsumatorit. Në këto zyra qytetarët do të kenë mundësi të ankohen për produktet jo ushqimore dhe për shërbimet që ata marrin në treg dhe ku do të marrin përgjigje për këto ankesa.

Pasi inspektoi zyrën e re në Lushnjë, Ministrja Ekonomi së bashku me kreun e Bashkisë Lushnje z. Fatos Tushe u shprehën entuziastë se tashmë konsumatorët në këtë rajon kanë një derë ku të ankohen dhe të zgjidhin gjithë problematikat e tyre lidhur produktet që blejnë.

Ministrja Ekonomi ftoi gjithë konsumatorët që të vijnë dhe të informohen në këto zyra për të drejtat e tyre para se të blejnë produkte dhe shërbime, dhe të ankohen kur këto të drejta u mohohen nga tregtarët. “Ky është një shërbim kapilar që duhet të shkojë atje ku është konsumatori, tha Ekonomi, duke shtuar se kjo frymë e re bashkëpunimi me përdoruesit, pra me konsumatorët, po synohet të organizohet sipas direktivave të BE. “Vendosëm ta pilotojmë në Lushnjë, sepse dhe gatishmëria dhe bashkëpunimi këtu ka qenë shumë i madh” – tha Ekonomi duke falenderuar gjithë stafin për bashkëpunimin në hapjen e kësaj zyre. Ekonomi premtoi se MZHETTS do bëjë të pamundurën për të zgjidhur në kohë rekord çdo shqetësim që vjen nga kjo zyrë dhe që kërkon zgjidhje nga zyra qendrore e Mbrojtjes së Konsumatorit që është në varësi të kësaj Ministrie.

Ndërsa kreu i Bashkisë, Tushe falenderoi Ministren Ekonomi që zgjodhi Bashkinë Lushnje për të hapur këtë zyrë pilot. “Tashmë në këtë zyrë ka informacione të rëndësishme që lidhen me kontratat e shitjes së mallrave, me paketat e udhëtimit, për të cilat konsumatorët kanë qene krejt të painformuar. Në qendër të strategjisë së mbrojtjes së konsumatorit është konsumatori dhe mbikëqyrja e tregut” – tha Tushe, duke shtuar se dhe kjo zyrë do i shërbejë zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve.

Shumë shpejt zyrat e mbrojtjes së Konsumatorit do hapen në të gjitha bashkitë e vendit, për të qenë më pranë konsumatorit. MZHETTS do monitorojë numrin e ankesave dhe do të adresojë zgjidhjen e ankesave të konsumatorëve në gjithë këto zyra.

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit