Home Aktualitet Edi Rama: Po ...

Edi Rama: Po humbëm zgjedhjet, ju ministra do arrestoheni!

4
0

Kryeministri Edi Rama mblodhi sot kryesinë e PS-së ku formalizoi 4 ndryshimet e lajmëruara.

“Fatmir Xhafaj, ministër i Brendshëm, Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë, Olta Xhaçka, ministre e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Eduard Shalsi, ministër i Çështjeve Vendore”, këto propozime do t’i shkojnë presidentit Nishani për dekretim.

Ndërkohë, burime pranë PS-së thanë të paktën 2 kandidatë të tjerë për ministra (mes të cilëve, njëri Pandeli Majko) mendohet se kanë refuzuar ofertën e Ramës për të hyrë në qeveri.

Kjo mund ta ketë shtyrë Edi Ramën që të heqë dorë nga ideja për të larguar nga kabineti Ditmir Bushatin dhe Lindita Nikollën. Pavarësisht kësaj, mësohet se Rama u ka kërkuar të dyve, Bushatit dhe Nikollës që në qarqet e Shkodrës e Lezhës, të punojnë me të njëjtin kapacitet, si ministrat e larguar.

“HAKMARRJE NGA PROKURORET E GJYQTARET”

Kryeministri ka kërkuar mobilizim ndaj nga të gjithë anëtarët e kryesisë, për fushatën që pritet të nisë pas pak javësh.

“Krahu tjetër nuk e do reformën, e ka treguar edhe përmes çadrës që ka vendosur aty në bulevard. Mos u habisni që edhe para zgjedhjeve edhe pas zgjedhjeve të ketë sulme dhe hakmarrje të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Dihet që ata nuk e duan reformën”, thonë burimet e kryesisë së PS.

“Nëse nuk do të jemi në drejtim të vendit edhe pas 18 qershorit, ta dini se ju do të jeni të parët që do të paguani hakmarrjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ne e kemi ndërtuar filozofinë tonë të drejtimit mbi reformën në drejtësi dhe do të bëjmë çmos që ajo të realizohet e zbatohet”, mësohet të ketë thënë Rama.

Kjo fjali është interesante se tregon pozicionin ku e ka vendosur veten maxhoranca përballë sistemit të drejtësisë. Duke qenë se ajo synon të shkundë nga themelet të gjithë sistemin, është e ndërgjegjshme se të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët aktualë do ta shohin “me lupë” punën e saj, nëse nuk do të jetë në ekzekutiv.

Kjo frazë dëshmon gjithashtu edhe ndërgjegjësimin se drejtësia sot është e mefshtë sepse ka frikë nga ekzekutivi dhe se në një situatë tjetër ajo do ta bënte ndryshe punën e saj.

Burimet shtuan se kryeministri është shprehur në mbledhjen e kryesisë që çadra le të merret me 18 shkurtin, ne do të merremi me 18 qershorin. Po kështu, kreu i qeverisë ka kritikuar një pjesë të faktorit ndërkombëtar që sipas tij “kanë ngrehur çadrën e opozitës dhe që nuk janë miq të qeverisë e Shqipërisë”.

KOORDINATORET NE QARQE

Më tej, kryeministri ka lavdëruar Damian Gjiknurin, të deleguarin në qarkun e Vlorës. “Damiani është koordinatori dhe ministri më i shkëlqyer, është i vetmi që ka koordinuar më së miri punën mes ministrit dhe punës në qark. Po të shkojmë sot në Vlorë, 7 mandate i fitojmë në sajë të Damianit”, ka deklaruar Rama.

Ndërkohë, në krah të “ministres së re”, Ogerta Manastirliu, kreu i qeverisë, Edi Rama ka prezantuar sot masterplanin e QSUT, ndërsa bëri me dije se korrupsioni nuk luftohet nëse nuk ndryshon sistemi. Ai premtoi rritje pagash ndaj bluzave të bardha, ndërsa tregoi edhe për problemet me mjekët specialistë jashtë Tirane.

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit