Home KRYESORE “Beu i ...

“Beu i Surrelit” kërcënon me mbyllje brenda popullin e Tiranës!

12
0

Po vjen data 23 qershor, datë kur mbaron efekti i ligjit për Gjendjen e Jashtëzakonshme ndaj koronavirusit. Me sa duket loja e “beut të Surrelit” do jetë se synon ta mbajë prapë mbyllur Tiranën nga frika e protestave. Ndaj kryeministri Edi Rama paralajmëroi sërish mbylljen e vendit për shkak të pandemisë së koronavirusit. Bllokimi i ekonomisë do të lihet për në fund, ndërkohë kërcënimi i parë i kreut të qeverisë ishte për opozitën. Rama deklaroi se tubimet politike nuk do të lejohen më dhe aludoi për Kodin Penal. Pjesëmarrësit në këto takime do të dënohen individualisht me gjoba dhe ndjekje penale tha Rama. Për bizneset që nuk respektojnë masat do të ketë gjoba, por edhe burgosje të pronarëve.

Shifrat e ditëve të fundit dhe infektimet që kanë përfshirë qendrat spitalore dhe zyrat e administratës tregojnë se situata ka dalë jashtë kontrollit. Mbi 80 infektime në ditë është një shifër që në vendin tonë nuk u regjistrua as në kulmin e pandemisë në muajin mars dhe prill. Arsyet e shpërthimit të epidemisë me 3 muaj vonesë janë të shumta, por kryeministri Edi Rama e ka gjetur shpjegimin për këtë që po ndodh. Edhe këtë herë faji për rritjen e numrit të infektimeve është i opozitës.

Në komunikimin e djeshëm nga Facebook, kreu i qeverisë deklaroi se mos respektimi masave dhe tubimet e qytetarëve kanë sjellë këto pasoja. Me tubime politike kreu i qeverisë nënkupton protestat që u zhvilluan në 17 maj kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, si dhe takimet që kanë nisur partitë e opozitës në disa qytete të vendit. Koronavoirusi nuk është një problem me të cilin po përballet vetëm Shqipëria. Shtete të tjera në rajon mundohen të gjejnë zgjidhjen e krizës duke ndihmuar bizneset, duke nxitur aktivitetin ekonomik dhe sigurisht duke marrë masa ndaj atyre që nuk respektojnë rregullat. Tubimet politike që u referohet Edi Rama erdhën si pasojë e provokimit të qeverisë. Ishin mijëra policë që morën pjesë në shembjen e Teatrit Kombëtar dhe nëse ka shkelje të protokollit për virusin, të parët që duhet të përgjigjen janë zyrtarët qeveritarë. Kërkesa për ndalimin e aktiviteteve politike edhe këtë herë nuk ka lidhje me strategjinë për parandalimin e përhapjes së virusit, por me një taktikë politike.

Serbia shkon në zgjedhje më 21 qershor dhe ka pasur aktivitete politike edhe gjatë pandemisë. Maqedonia e Veriut do të shkojë në zgjedhje me 15 korrik. Në Francë ka çdo ditë protesta masive dhe përplasje me policinë, ndërsa në SHBA prej dy muajsh ka tubime dhe manifestime në shumicën e qyteteve kryesore. Asnjë kryeministër dhe president i këtyre vendeve nuk ka dalë para mediave të thotë se me ligj do të ndalojmë tubimet politike. Sigurisht protestat kanë risk për përhapjen e virusit, por kjo nuk u jep të drejtë qeverive të ndalojnë qytetarët të dalin në rrugë për të protestuar për çështje që kanë të bëjnë me të drejtat themelore. Por Edi Rama i ka rënë shkurt, fut në karantinë opozitën duke thënë se këtë e bën për të mos përhapur virusin. Në këtë mënyrë, jo vetëm justifikohet për pandeminë, por edhe ndalon të ketë protesta apo reagim qytetar. Kryeministri e di se arsye për të protestuar ndaj tij sot ka më shumë se kurrë. Për këtë qëllim po përgatitet që të ndalojë valën e protestave dhe çdo lëvizje qytetare. Deklarata për ndalimin e tubimeve vjen një javë para se zyrtarisht të përfundojë shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, më 23 qershor. Me qëndrimin e tij kryeministri po përgatitet që të shtyjë pa asnjë limit gjendjen e emergjencës duke i lënë dorë të lirë policisë të veprojë si të dojë me protestuesit.

Duke parë lojën e pistë që po bëhet me reformën zgjedhore, nëse Rama shkatërron dialogun ka mundësi që të mos ketë protesta, por demonstrata kundër tij. Kryeministri e di se cila do jetë pasoja e akteve që po kryen kundër opozitës reale ndaj po përgatit terrenin represiv. Të gjitha këto po i justifikon si masa kundër koronavirusit. Në fakt, nuk po e mbyll Shqipërinë për shëndetin e qytetarëve, po e mbyll për të shpëtuar qeverinë.

Mundet që kjo të jetë e stisur për ti kaluar testet një kompanie private e cila e ka 160 euro një test.

Mili Xhani

 

 

 

 

 

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit