Home Uncategorized Bankat rrisin...

Bankat rrisin fitimet nga depozitat deri në 81 për qind

58
0

Ulja në gati zero e interesave të depozitave ka rritur përfitueshmërinë e bankave nga biznesi kryesor depozita/kredi/borxhe deri në masën 81 për qind, ndërsa hendeku mes interesit të depozitave dhe interesit të kredive është zgjeruar.

Nga Gjergj Erebara, BIRN

Bankat e nivelit të dytë në Shqipëri patën fitime neto prej interesave prej 47 miliardë lekësh për vitin 2016, si pasojë e rënies së shpejtë të shpenzimeve për interesa dhe rënies më të ngadaltë të të ardhurave nga interesat, duke realizuar një normë fitimi nga aktiviteti kryesor në masën 81 për qind, më e larta normë fitimi e realizuar në të gjithë historinë e re të bankingut shqiptar. Lajmi bëhet i ditur nga statistikat e reja mbi të ardhurat dhe shpenzimet e sistemit të raportuara nga Banka e Shqipërisë.

Si pasojë e krizës së përgjithshme ekonomike, interesat e depozitave dhe të kredive janë në minimul historik aktualisht, por megjithatë, rënia e interesit të paguar për depozitat ka qenë më e shpejtë se sa rënia e interesit që bankat fitojnë nga kreditimi apo nga investimet në borxhin publik. Për rrjedhojë, bankat realizuan gjatë vitit 2016, 58 miliardë lekë të ardhura nga interesat përkundrejt vetëm 10.7 miliardë lekë shpenzimeve. Norma e fitimit nga ky aktivitet u rrit në vitin 2016 në 81.4 për qind, nga 77 për qind që qe më 2015 dhe 51 për qind që qe në vitin 2008, para fillimit të krizës.

Aktualisht interesat e paguara nga bankat për depozitat janë pothuajse zero. Ato kanë qëndruar nën nivelin e inflacionit që nga viti 2014, gjë që do të thotë se shqiptarët që kanë depozita në banka marrin një interes real negativ, pasi inflacioni gërryen vlerën reale të depozitës së tyre. Në janar 2017, norma mesatare e interesit të paguar për depozitat në lekë qe vetëm 0.24 për qind, gati dy pikë përqindjeje më të ulëta se sa norma e inflacionit. Interesi i paguar për depozitat në euro në janar qe 0.07 për qind, gjithashtu dy për qind më ulët se sa norma e inflacionit.

Interesat e kredive, ndonëse kanë rënë ndjeshëm me vitet e shkuara, vijojnë të jenë shumë herë më të larta se sa normat e interesit të depozitave. Në janar, interesi mesatar i kredive të reja në euro qe 7.5 për qind ndërsa interesi mesatar i kredive në lekë qe 7.5 për qind gjithashtu. Interesat e borxhit publik, ku bankat investojnë një pjesë të konsiderueshme të kursimeve të shqiptarëve, ndonëse kanë rënë ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit duke reflektuar kushtet e krizës, vijojnë të jenë mesatarisht rreth 5 për qind.

Për rrjedhojë, bankat kanë majmur fitimet.

Rriten shpenzimet për provigjone

Shpenzimet e bankave për aktivitetin e zakonshëm, të tilla si paga e shpenzime të tjera, janë rritur lehtë në vitin 2016 në krahasim me vitin 2015, por shpenzimet për provigjone, të cilat janë fitime të vëna për të mbuluar humbjet nga kreditë e këqija, u rritën në 18.5 miliardë lekë gjatë vitit të kaluar, shifra më e madhe e shënuar ndonjëherë. Bankat kanë rritur shpenzimet për provigjone për shkak se kanë konsideruar si të humbura një pjesë të kredive të këqija të akumuluara përgjatë viteve të fundit.

Në total, bankat realizuan një fitim neto prej 9.2 miliardë lekësh (65 milionë euro).

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit