Home Uncategorized A janë pastri...

A janë pastrim parash “donacionet” e Becchetit për Liri Berishën?

9
0

 

Nga Mero Baze

Të gjithë i mbajmë mend mbrëmjet “gala” të Liri Berishës, deri në vitin 2013. Me masa të rrepta sigurie, në një nga hotelet luksoze në Tiranë zhvillohej një ballo që shpjegonte gjithë domethënien e kapjes së shtetit nga biznesmenët shqiptarë dhe mënyrën e pagesës së gjobës së tyre tek familja. Jo të gjithë biznesmenët, që ishin të detyruar të ishin në atë “ballo” ishin trafikantë, por ama të gjithë trafikantët biznesmenë ishin në atë ballo. Aty ishin njerëzit që kishin rënë në sy si të pasur. Ata paguanin, merrnin një pikturë, kë u kapte dora dhe iknin.

Kishte të tjerë që kishin nevojë orë e çast për ndihmën e familjes, pasi kishin probleme me konçesionet dhe privatizimet. Ata uleshin aty në rresht të parë dhe blenin një pikturë deri në 150 mijë euro, pastaj harronin ta merrnin dhe ia falnin familjes. Një prej tyre është shitur në ankand, por është tek zyra e Sali Berishës. Kishte të tjerë që duhet të gënjenin administratën, që ishin njerëz të Familjes dhe paguanin e dilnin në fotografi me të, pasi fotografia u duhej më shumë.
Francesco Beccheti, ishte nga ata që paguante mbi 100 mijë euro për një pikturë. Kështu bëri dhe në banketin e fundit të Liri Berishës. Pas disa thirrjeve për çmim për një pikturë mediokre, ai shumëfishoi çmimin dhe e bleu. Ky ishte një rit i tij. Fondacioni i Liri Berishës e ka Becchetin përmes kompanisë BEG, donatorin e saj kryesor dhe kontribues personal deri në vitin 2013.
Media ka raportuar se në banketin e fundit ai ka paguar 150 mijë euro për një pikturë.
Pra nëse ka një njeri që ka përfituar drejtpërdrejt nga parat e Francesco Becchetit, ajo është gruaja e Sali Berishës, Liri Berisha.
Gazeta Tema disponon një dosje të plotë dhe të hollësishme mbi deklarimet zyrtare të saj në këtë pikë, por të gjithë janë koshient dhe për ato gjëra që kanë mbetur jashtë deklaratave.
Tani që burri i Liri Berishës, është i shqetësuar për ata që kanë pasur punë me Francesco Becchetin, duhet të shqetësohet së pari për gruan e tij.
Që gruaja e tij ishte një lavatriçe parash e mafias shqiptare, besoj se ka plot fakte. Mjaftojnë fotografitë e saj me biznesmenë në krah, që nga ata që kishin probleme me ligjin dhe evazionin fiskal, nga ata që donin të shpëtonin falë privilegjeve të dhëna nga qeveria përmes fotos me të, e deri tek kriminel ordinerë nga ata që blenin bluzën e Kakasë për 25 mijë euro, vetëm që të “dekriminalizoheshin”.
Por rasti i Becchetit është interesant, pasi ai nuk ka munguar thuajse në asnjë ballo prej vitit 2009 dhe nuk ka pranuar kurrë t’ia kalojë dikush me shumat marramendëse që ka paguar.
Tani pyetjet që kanë shqiptarët për Sali Berishën janë të shumta.
E para, a do të denjojë gruaja e tij të kthejë mbrapshtë lekët që ka marrë nga ky person? Liri Berisha jo vetëm që i ka vjelur biznesmenët problematikë të Shqipërisë, por ka pranuar dhe gjeste të shëmtuara, si ai pikturës së vjedhur të Sali Berishës, që edhe pse u dhurua në fondacion, gjendet në zyrën e tij private në Tiranë.
E dyta, nëse Liri Berisha nuk ishte gjobëvënëse siç i thërrasin me humor të zi gjithë biznesmenët, përse nuk vazhdon të bëjë mbrëmje bamirësie pasi ke ikur ti nga pushteti?! Nëse ajo do kishte imazhin e një gruaje bamirëse, siç pretendon ta imitojë dhe e dashura e re e djalit, atëherë ajo do të ishte person i besueshëm dhe pasi ju dolët në opozitë dhe mund të bënte ende mbrëmje bamirësie.

Prej vitit 2013 nuk e kemi parë më, madje ka zëra të frikshëm që edhe shumë fëmijë, për të cilët janë dedikuar ndihmat, janë lënë në mëshirë të fatit. Kjo tregon se Liri Berisha nuk kishte fuqi të mblidhte biznesmenë me integritetin e saj, por me forcën dhe dhunën e pushtetit.

Drejtoria e taksa- tatimeve vinte në rresht biznesmenët të shkonin të paguanin tek ajo, duke pasur ftesën për prezencë minimumi 2 mijë euro dhe të drejtën për të përdorur emrin e saj kur e kalonin 100 mijëshen.
Fakti, që sot Liri Berisha është ende presidente e atij fondacioni, por nuk ka besim askush t’i japë qoftë dhe 1 euro, tregon në të vërtetë kush e ka përdorur pushtetin për të marrë para të pista .
Dhe pyetja e fundit ka të bëjë me faktin që Berisha dhe i biri i tij reaguan të parët sapo u hap çështja Beccheti nga Prokuroria. Ajo që duan të dinë shqiptarët është nëse ju reaguat si burri dhe djali i dikujt që ka marrë para të pista nga ky njeri?

Nëse po, keni mirëkuptimin tonë. Nuk është hall i vogël!

TEMA

Lajmet Kryesore

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit